Qysh në gjysmën e parë 
                            të shek. XIV, bujarët Topiaj i zgjeruan 
                            me shpejtësi pronat dhe i forcuan pozitat e tyre 
                            shoqërore dhe politike. Zotërimet a tyre 
                            feudale ndodheshin në viset midis Durrësit 
                            Krujës e Tiranës. Tanush Topia e rriti gjatë 
                            çerekut të dytë të këtij 
                            shekulli pushtetin e vet si vasal i mbretit anzhuin 
                            të Napolit. Më 1338 papa i Romës dhe 
                            mbreti Robert e njohën atë si sundimtar 
                            të krahinave që përfshihen midis lumejve 
                            Shkumbin e Mat dhe i dhanë titullin kont. Por 
                            ai e ndjeu vehten aq të fuqishëm sa i prishi 
                            marrëdhëniet me kryezotin e tij, mbretin 
                            Robert. Shkas për këtë qe martesa e 
                            Tanushit me Helenën, bijën natyrale të 
                            Robertit, të cilën ai e rrëmbeu në 
                            Durrës kur ajo po udhëtonte për t'u 
                            martuar me një princ frëng në Greqi. 
                            Grindja që lindi midis tyre vazhdoi disa vjet 
                            dhe gjatë kësaj kohe Tanushi sundoi pothuajse 
                            i pavarur. Roberti mundi ta zhdukte Tanush Topinë 
                            duke e vrarë atë bashkë me të 
                            shoqen me pabesi në Napoli, ku i kishte ftuar 
                            gjoja për t'u pajtuar me ta. 
                           Tanushi la trashigimtar birin e vet Karlin. Ndonëse 
                            i ri, ky u shqua si një bujar energjik. Me 1359, 
                            Karli u bë sundimtar më vehte në domenën 
                            e Topiajve. Pastaj futi nën sundimin e vet edhe 
                            feudalët e mëdhej të Shqipërisë 
                            së mesme si Muzakët, Skurajt, Matarangët. 
                            Karli i vuri syrin Durrësit që ki shte rëndësi 
                            të posaçme për të, qoftë 
                            si kryeqendër e zotërimeve të veta, 
                            qoftë si qytet me të ardhura të mëdha. 
                            Më 1362 e rrethoi qytetin, por Karlit i mungonte 
                            flota për të plotësuar rrethimin edhe 
                            nga deti. Durrësi këtë radhë shpëtoi, 
                            por u detyrua t'i paguante Karlit një tribut 
                            vjetor.
                           Për të marrë Durrësin ai filloi 
                            të përgatiste një flotë dhe të 
                            ndërtonte në Melie, vend bregdetar në 
                            veri të Durrësit, një kështjellë 
                            që të kishte strehë për flotën 
                            e vet. Pajisja a Karl Topisë me një flotë 
                            të armatosur e shqetësoi Republikën 
                            e Venedikut, e cila shikonte te kjo flotë një 
                            rrezik për anijet e saj në Adriatik. Në 
                            maj të vitit 1364 Republika urdhëroi komandantin 
                            e flotës së vet në Adriatik të 
                            vëzhgonte ndërtimin e kështjellës, 
                            të shembte atë dhe t'i digjte anijet e arbëreshëve 
                            duke i akuzuar ata si "kusarë" dhe 
                            armiq të Venedikut. Njëkohësisht po 
                            atë vit, me nxitjen e Venedikut, Gjergj Balsha, 
                            zoti feudal i principatës që ishte krijuar 
                            në të njëjtën kohë në 
                            veri të Shqipërisë, sulmoi principatën 
                            e Durrësit. Në këto luftime, të 
                            cilat u zhvilluan në luginën e Matit, Karl 
                            Topia e mundi Gjergj Balshën, të cilin e 
                            zuri rob. Lufta midis tyre mori fund përkohësisht 
                            me ndërmjetësimin e Raguzës.
                           Pas këtyre ngjarjeve, Venediku u përpoq 
                            të afrohej me Karl Topinë. Më 1366 
                            republika e shpalli atë qytetar të Venedikut. 
                            Në letrën drejtuar Karlit ajo e quante atë 
                            "zot të Arbërisë në viset 
                            bregdetare të Durrësit" (Dominus Albaniae 
                            in partibus versus marittimam de Durachio) Por dy 
                            vjet më vonë, Karl Topia, me ndihmën 
                            e flotës që kishte përgatitur, e sulmoi 
                            dhe e pushtoi Durrësin. Marrëdhëniet 
                            me Venedikun u keqësuan përsëri dhe 
                            midis të dy palëve filloi një luftë 
                            e gjatë kundër anijeve të njëra 
                            tjetrës. Për të gjetur një mbështetje 
                            në grindjen me Republikën e Venedikut, Karl 
                            Topia lidhi aleancë me dy rivalët e saj, 
                            Raguzën dhe Hungarinë.
                           Pushtimi i Durrësit e armiqësoi Karl Thopinë 
                            dhe me anzhuinët, të cilët pretendonin 
                            gjithnjë sundimin mbi këtë qytet. Princi 
                            Ludovik i Navarrës, i shoqi i një princeshe 
                            anzhuine që pretendonte, si trashëgimtare, 
                            titullin e dukeshës së Durrësit, organizoi 
                            më 1372, me ndihmën e papës, një 
                            ekspeditë ushtarake kundër Karl Topisë, 
                            "armikut të vjetër" të anzhuinëve 
                            dhe mori qytetin. Por Karl Thopia i përzuri shumë 
                            shpejt anzhuinët nga Durrësi. Më 1374 
                            u miqësua me papën, i cili i njohu titullin 
                            Kont i Madh i Arbërisë.
                           Zgjerimi dhe forcimi i principatës së 
                            Durrësit u bë pengesë për bujarët 
                            Balshë, sundimtarët e principatës së 
                            Shkodrës, të cilët synonin gjithashtu 
                            të shtrinin sundimin e vet në tërë 
                            Shqipërinë. Republika e Venedikut gjeti 
                            rastin dhe nxiti Balshët kundër Karl Topisë. 
                            Balshët këtë radhë patën 
                            edhe përkrahjen e papës. Lufta midis tyre 
                            filloi më 1382; Balsha i II e shtiu në dorë 
                            atë vit Durrësin. Karl Topia i ndodhur ngusht, 
                            iu drejtua për ndihmë ushtrive turke, të 
                            cilat në atë kohë kishin përparuar 
                            deri në Maqedoni. Më 1385, me ndihmën 
                            e ushtrive turke të komanduara prej Hajredin 
                            Pashës, i mundi ushtritë e Balshës 
                            në fushën e Savrës, në jug të 
                            Lushnjës, ku u vra edhe vetë Balsha i II. 
                            Gjithë zotërimet e principatës bashkë 
                            me qytetin e Durrësit hynë prapë nën 
                            sundimin e Karl Topisë.
                           Ushtritë turke që ndihmuan Karl Topinë 
                            u larguan shpejt nga Shqipëria. Megjithatë 
                            ardhja e tyre e përkohëshme tregoi rrezikun 
                            e afërm që kërcënonte si Shqipërinë 
                            ashtu dhe pozitën e Venedikut në Adriatik. 
                            Kjo e shtyu papën dhe sidomos republikën 
                            e Venedikut të afroheshin me Karl Topinë, 
                            i cili kishte nxjerrë gjithashtu mësime 
                            nga lakmitë e turqve.
                           Pas këtyre ngjarjeve Karl Topia nuk rrojti 
                            shumë. Ai vdiq më 1388 dhe la trashëgimtar 
                            birin e tij, Gjergjin (1388-1392). Karl Topia ka qenë 
                            një nga sundimtarët më të shquar 
                            të Shqipërisë në shekullin XIV. 
                            Ai mundi të nënshtronte gjithë bujarët 
                            e Shqipërisë së mesme dhe hodhi kështu 
                            themelet e një shteti feudal shqiptar të 
                            pavarur. Në burimet e kohës ai përmendet 
                            me tituj të ndryshëm, si sundimtar, duke 
                            ose princ i Arbërisë (Princeps' Albaniae). 
                            Në mbishkrimin e tij në tri gjuhë që 
                            gjindet në kishën e manastirit të Shën-Gjon 
                            Vladimirit (Elbasan) të cilën e rindërtoi 
                            ai, quhet latinisht "Princ i Arbërisë", 
                            sllavisht "Zot i arbëreshëve", 
                            greqisht "Sundimtar i gjithë tokës 
                            së arbëreshëve".
                           Karl Topia synonte të bashkonte të gjitha 
                            viset e Shqipërisë në një shtet 
                            të vetëm, por këtë synim nuk e 
                            realizoi dot. Më 1388 kur vdiq Karli dhe kur 
                            filloi sundimin e vet biri i tij, Gjergj Topia, turqit 
                            filluan depërtimin në Shqipëri.