Neni 48
Studenti ka të drejtë:
- të përdorë paisjet e shkollës,
sipas rregullave përkatëse, për të
realizuar programin mësimor dhe punën e
programuar në aktivitetin e tij shkencor, bibliotekën
dhe mjediset sportive e kulturore të Fakultetit
e Universitetit;
- të përfaqësohet në Këshillin
e Fakultetit dhe Senatin e Universitetit në përputhje
me rregulloret përkatëse të këtyre
organeve;
- të organizohet në shoqata të ndryshme
jopolitike në përputhje me aktet ligjore
e nënligjore përkatëse;
- të përfitojë bursë studimi brenda
ose jashtë shtetit kur plotëson kushtet
e përcaktuara me Vendim të Këshillit
të Ministrave, të Senatit e në Marrëveshjet
Ndërshtetërore ose Ndëruniversitare;
të përfitojë shpërblime të
veçanta që administrohen nga Universiteti
i Tiranës sipas kritereve të caktuara nga
Senati;
- të strehohet në Qytetin Studenti nëse
nuk ka vendstrehimi tjetër;
- të ndjekë studimet në një degë
të dytë, në sistem të ndryshëm
nga ai që ndjek, sipas përcaktimeve në
këtë rregullore, në vendimet e Senatit
apo në aktet e posaçme të Ministrisë
së Arsimit dhe të Shkencës.
Neni 49
Studenti ka të drejtë të përmirësojë
çdo vit mësimor vetëm një notë
dhe lënda përkatëse të jetë
vetëm nga detyrimet e atij viti. Për këtë,
ai duhet t'i ketë shlyer të gjitha detyrimet
e vitit ose t'i ketë mbetur vetëm një
detyrim i pashlyer.
Për përmirësim note studenti provohet
vetëm një herë dhe vetëm në
sesionin e riprovimeve (vjeshtë); mbetet në
fuqi nota me të cilën studenti vlerësohet
në fund.
Kërkesa për përmirësim note i
paraqitet dekanatit para sesionit të riprovimeve.
Neni 50
Studenti ka të drejtë të ankohet për
shkelje të rregullave të zhvillimit të
provimit; ankesa paraqitet në Dekanat brenda
24 orëve nga momenti i përfundimit të
provimit. Dekani i Fakultetit, pasi verifikon shkeljet
e reklamuara me Përgjegjësin e Departamentit
dhe me komisionin e provimit, merr vendim të
formës së prerë. Në rast se ankesa
është e drejtë, Dekani vendos anullimin
e provimit dhe ribërjen e tij në një
datë të veçantë, jo më
vonë se tri ditë pas përfundimit të
sesionit të provimeve. Vendimi i tij bëhet
i njohur brenda pesë ditësh nga dita e ankesës.
Neni 51
Studenti është i detyruar:
- të njohë me hollësi rregullat e shkollës
e detyrimet e tij dhe të jetë i vetëdijëshëm
për zbatimin e tyre; në të kundërt,
shkolla nuk mban përgjegjësi për pasojat
që mund të rrjedhin nga mosnjohja e tyre;
- të zbatojë të gjitha rregullat që
rrjedhin nga Statuti i Universitetit të Tiranës,
nga kjo Rregullore dhe nga çdo akti tjetër
ligjor e nënligjor për Arsimin e Lartë;
- të shlyejë të gjitha detyrimet e
përcaktuara në planin mësimor dhe programet
e lëndëve;
- të mbajë përgjegjësi për
shkeljet e rregullave të shkollës nga ana
e tij; dëmi material që ai mund të
ketë bëre, zhdëmtohet në masën
që e gjykon dekanati.
Neni 52
Shkelje të rregullave të shkollës konsiderohen
të gjithë veprimet e kryera nga ana e studentit
që cënojnë personalitetin e mësimdhënësit
dhe të çdo punonjësi tjetër
të shkollës, normat etiko-morale të
shoqërisë si kopjimi në provime, falsifikimi
i dokumentave të ndryshme, aktet e rrugaçërisë,
të vjedhjes etj. kur këto veprime nuk bartin
elemente të veprës penale.
Ndaj studentit që kryen këto veprime, merren
këto masa disiplinore:
a) vërejtje me shkrim; b) përjashtim nga
shkolla për një vit; c) përjashtim
nga Universiteti i Tiranës; d) përjashtim
përgjithmonë nga Universiteti i Tiranës.
Vendimin për përjashtimin e studentit një
vit nga shkolla e merr Dekanati; vendimin për
përjashtimin nga Universiteti i Tiranës
(heqje vetëm e së drejtës së studimit
të filluar) dhe përjashtimin përgjithmonë
nga Universiteti i Tiranës (duke mos i lejuar
të fitoje të drejta studimi të mëpasshme)
e merr Rektorati i Universitetit të Tiranës,
mbi bazën e propozimit të Dekanatit.
Neni 53
Të drejtat dhe detyrimet e pedagogut, përcaktohen
në kodin e punës dhe në kontratat kolektive
dhe individuale te tij.