Neni 11
Shkollat e larta universitare përbëhen nga
fakultetet. Në raste të veçanta,
brenda një shkolle të lartë universitare
mund të përfshihet një shkollë
e lartë jouniversitare, me strukturë të
ngjashme me atë të një fakulteti.
Fakulteti është njësi mësimore-shkencore
e shkollës së lartë universitare, që
mbulon shkenca me trung të përbashkët.
Fakulteti dhe shkollat e larta jouniversitare përbëhen
nga departamente.
Departamenti është njësi bazë
mësimore-shkencore e shkollës së lartë
universitare dhe njësi bazë mësimore
e shkollës së lartë jouniversitare.
Objekti i mësimdhënies dhe i kërkimit
shkencor të departamentit përfshin disa
disiplina të një shkence. Departamenti,
si rregull, ndahet në seksione në të
cilat përfshihen disiplinat më të përafërta
të një shkence.
Neni 12
Në strukturat e njësive të shkollave
të larta përfshihen institutet, qendrat
dhe sektorët kërkimorë
laboratorët dhe atelietë mësimore,
klinikat, shërbimet, studiot, bibliotekat, qendrat
sportive, muzetë, fermat eksperimentale, që
funksionojnë sipas rregulloreve të brendëshme
përkatëse.
Neni 13
Kursi i studimit është një fushë
studimi në shkollën e lartë, në
përfundim të të cilit, nga shkolla
e lartë pranë së cilës kryhen
studimet, lëshohet diplomë. Sipas natyrës
akademike, kursi i studimit mund të emërohet
"degë" apo "profil". Profili
është nëndegëzim, me një
orientim studimi më të ngushtë dhe
më specifik se dega.
Kursi i studimit hapet me vendim të senatit të
shkollës së lartë, pasi të jetë
marrë miratimi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës
për plotësimin e stadardeve të vendosura
prej saj.
Efektet ekonomike të hapjes së kursit të
ri përballohen nga shkolla e lartë. shteti,
në buxhetin që i cakton shkollës së
lartë publike, merr parasysh ekzistencën
e kursit të ri vetëm pasi ta ketë njohur
nëpermjet procedurave të akreditimit.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës miraton emërtimin
e diplomave që lëshojnë shkollat e
larta për ato kurse studimi të njohura nëpërmjet
proçesit të akreditimit. Për shkollat
e larta ushtarake ose të policisë këtë
të drejtë e ushtron ministri përkatës.
Hapja e departamenteve dhe seksioneve bëhet me
vendimin e senatit të shkollës së lartë,
pasi të jetë marrë miratimi nga Ministria
e Arsimit dhe Shkencës për plotësimin
e stadardeve të vendosura prej saj. Efektet ekonomike
të hapjes së tyre përballohen nga shkolla
e lartë. Shteti, në buxhetin që i cakton
shkollës së lartë publike merr parasysh
ekzistencen e këtyre njësive të reja
vetëm pas rezultatit të vlerësimit
institucional dhe akreditimit të shkollës
së lartë.
Këtyre kritereve i nënshtrohen edhe hapja
e atyre strukturave e njësive të parashikuara
në nenin 12, të cilat përballohen nga
buxheti i shkollës së lartë.
Mbyllja e kurseve të studimit, e departamenteve
dhe e seksioneve bëhet nga Ministri i Arsimit
dhe Shkencës, pasi është dhënë
vlerësimi nga Këshilli i Akreditimit.
Hapja e shkollave të larta universitare, shkollave
të larta jouniversitare, fakulteteve, strukturave
e njesive të parashikuara në nenin 12 të
këtij ligji, të cilat nuk mund të përballohen
nga fondi i shkollës së lartë, bëhen
me vendim të Këshillit të Ministrave,
në bazë të propozimit të Ministrisë
së Arsimit dhe Shkencës, ose të ministrive
përkatëse për shkollat e larta ushtarake
ose të policisë.
Mbyllja i institucioneve publike të përcaktuara
në nenin 13 paragrafi 7 të këtij ligji,
bashkimi i tyre, ndryshimi i misionit etj., bëhet
nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrisë
së Arsimit dhe të Shkencës ose të
ministrive përkatëse për shkollat e
larta ushtarake ose të policisë, pasi të
jetë marrë mendimi i Këshillit të
Akreditimit.
Kriteret, mënyra e funksionimit dhe proçedurat
per dhënien e lejes për hapjen e shkollave
të larta jopublike përcaktohen me këtë
ligj dhe me akte nënligjore të nxjerra nga
Këshilli i Ministrave për zbatimin e tij.
Leja për hapjen e një shkolle të lartë
jopublike jepet jo më parë se 6 muaj pas
datës së depozitimit të kërkesës
në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës
dhe jo më vonë se një vit nga data
e depozitimit të saj në këtë ministri.
Në shkollat e larta ushtarake ose të policisë,
kursi i studimit hapet me miratimin e ministrisë
përkatëse. Përcaktimi i strukturës
mësimore dhe organike të çdo shkolle
të tillë bëhet në varësi
të arsimimit që jepet dhe miratohet nga
titullari i ministrisë përkatëse.
Neni 14
Në sistemin e arsimit të lartë funksionon
Konferenca e Rektorëve, si organ kolegjial autonom
i rektorëve dhe i drejtorëve të shkollave
të larta. Anëtar i Konferencës së
Rektorëve është edhe një përfaqësues
i autorizuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Konferenca e Rektorëve diskuton për problemet
themelore të arsimit të lartë. Detyrat
dhe kompetencat e Konferencës së Rektorëve
burojnë nga ky ligj, si dhe nga statutet dhe
rregulloret e brendshme të shkollave të
larta. Organizimi dhe veprimtaria e Konferencës
së Rektorëve përcaktohen në statutin
e saj të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe
Shkencës.
Neni 15
Senatet dhe këshillat në shkollat e larta
janë organe kolegjiale, të zgjedhura, që
vendosin për problemet më të rëndësishme
të shkollës së lartë në fushën
e mësimit, kërkimit shkencor dhe në
atë administrativo-financiare. Këto organe
mblidhen periodikisht.
Senati është organi më i lartë
i shkollës së lartë universitare; këshilli
i fakultetit është organi më i lartë
i fakultetit; këshilli i shkollës është
organi më i lartë i shkollës së
lartë jouniversitare dhe këshilli i departamentit.
Përbërja, detyrat, kompetencat dhe funksionimi
i senateve dhe i këshillave përkatëse
përcaktohen në statutet e shkollave të
larta dhe në rregulloret e tyre të brendshme.
Neni 16
Autoritetet drejtuese të shkollave të larta
dhe të strukturave të njësive të
tyre përbërëse janë:
a) Rektori për shkollën universitare.
b) Drejtori për shkollën jouniversitare.
c) Dekani për fakultetin.
ç) Përgjegjësi për departamentin.
d) Për shkollat e larta ushtarake ose të
policisë, autoriteti drejtues, i barazvlefshëm
me
rektorin, drejtorin apo dekanin mund të jetë
komandanti apo drejtori.
Në rast mungese, autoritetet ia delegojnë
të gjitha kompetencat ose një pjesë
të kompetencave zëvendësve të
tyre.
Detyrat dhe kompetencat e këtyre autoriteteve
drejtuese burojnë nga ky ligj dhe përcaktohen
me hollësi në statutet e shkollave të
larta.
Neni 17
Shkolla e lartë publike zgjedh organet dhe autoritetet
e veta drejtuese.
Departamenti zgjedh, me shumicë votash, përgjegjësin
e departamentit, anëtarë të këshillit
të departamentit si dhe përfaqësuesit
për në këshillin e fakultetit ose të
shkollës së lartë jouniversitare.
Këshilli i fakultetit ose i ai shkollës
së lartë jouniversitare përbëhet
nga përfaqësuesit e zgjedhur nga departamentet,
nga personeli joakademik dhe nga studentët. Ky
këshill zgjedh, me shumicë votash, dekanin
e fakultetit ose drejtorin e shkollës së
lartë jouniversitare, i cili mund të jetë
ose jo anëtar i këtij këshilli. Këshilli
i fakultetit ose i shkollës së lartë
jouniversitare (në rastin kur shkolla jouniversitare
është strukturë e universitetit) zgjedh,
me shumicë votash, përfaqësuesit e
vet në senatin e shkollës së lartë
universitare.
Senati i shkollës së lartë universitare
përbëhet nga përfaqësuesit e zgjedhur
nga këshillat e fakulteteve e të shkollave
të larta jouniversitare dhe nga studentët.
Ky senat zgjedh, me shumicë votash, rektorin,
i cili mund te jetë ose jo anëtar i senatit.
Zgjedhjet bëhen me votim të fshehtë.
Proçedurat dhe kriteret për pjesëmarrje
në zgjedhje të të gjitha kategorive
të punonjësve të shkollave të
larta, përcaktohen me rregulloren për zgjedhjet
në shkollat e larta. Dita e fillimit të
zgjedhjeve dhe afatet e realizimit të tyre, në
të gjitha shkollat e larta, shpallen nga Ministri
i Arsimit dhe Shkencës.
Pas mbarimit të zgjedhjeve, Presidenti i Republikës
emëron rektorin ose drejtorin e zgjedhur (në
rastin kur shkolla jouniversitare është
jashtë strukturës së Universitetit).
Zëvendësrektori dhe zëvendësdrejtori
propozohen, përkatësisht, nga rektori ose
drejtori dhe emërohen nga Ministri i Arsimit
dhe Shkencës. Rektori emëron dekanin e zgjedhur
dhe zëvendësdekanin e përzgjedhur nga
dekani. Përgjegjësi i zgjedhur i departamentit
emërohet nga dekani.
Neni 18
Rektori është njëkohësisht kryetar
i senatit, drejtori është kryetar i këshillit
të shkollës së lartë jouniversitare
dhe dekani është kryetar i këshillit
të fakultetit.
Përgjegjësi i departamentit në shkollën
e lartë publike ka të drejtën e përzgjedhjes
së përgjegjësve të seksioneve,
mbi bazën e konkurimit me dosjen personale. Emërimi
i përgjegjësit të seksionit bëhet
nga dekani. Përgjegjësit e seksioneve, anëtarët
e zgjedhur të këshillit të departamentit
së bashku me përgjegjësin e departamentit,
përbëjnë këshillin e departamentit.
Përgjegjësi i departamentit është
kryetar i këshillit të departamentit.
Neni 19
Autoritetet drejtuese të shkollave të larta
publike zgjidhen çdo tre vjet. Ata nuk mund
te zgjidhen radhazi në të njëjtin funksion
më shumë se dy herë.
Neni 20
Autoritetet drejtuese të shkollave të larta
duhet të kenë titujt më të lartë
shkencorë. Në statutin e secilës prej
shkollave të larta përcaktohen titujt që
duhet të kenë autoritetet sipas nenit 16,
si dhe anëtarët akademikë të këshillave
dhe të senatit.