Rritjes shumë të madhe të 
                            perandorisë së osmallinjve nuk i përshtatej 
                            më organizimi shtetëror që patën 
                            bërë sulltanët turq gjatë shek. 
                            XV. Brënda kufijve të saj tani banonin në 
                            mori popujsh të kombësive të ndryshme 
                            të cilet formonin një shumicë dërmuese 
                            përballë popullsive turke. Ata nuk ndodheshin 
                            në të njëjtën shkallë zhvillimi 
                            ekonomik e shoqëror. Dispozitat ligjore të 
                            redaktuara rreth mesit të shek. XV në kanunnamenë 
                            e sulltan Fatihut nuk i përshtateshin gjëndjes 
                            se re të perandorisë.
                           Përveç kanunnamesë së sanxhakut 
                            dhe shtesave të mëvonëshme kadilerët 
                            e Shqipërisë mbështeteshin gjithashtu 
                            edhe në kanunnamene qëndrore që njihet 
                            me emrin "kanunamea e sulltan Sulejmanit" 
                            e kodifikuar pas mesit të shek. XVI e cila përmblidhte 
                            dispozitat themeltare të regjimit feudal-ushtarak 
                            dhe të marrëdhënjeve sociale-ekonomike 
                            të krejt perandorisë së osmanllijve.
                           Kanunametë e sanxhaqeve të ndryshme të 
                            Shqipërisë kishin, përsa u përket 
                            normave kryesore të regjimit feudal-ushtarak, 
                            pika takimi midis tyre. Ato të gjitha kishin 
                            për qëllim të mbronin pronësine 
                            feudale-ushtarake mbi tokën, interesat centralizuese 
                            të pushtetit otoman si dhe ato të feudalëve-spahij. 
                            Por, në mjaft raste, përsa u përkiste 
                            hollësive ato kishin ndryshime nga njëra 
                            tjetra të cilat pasqyronin shkallën jo të 
                            barabartë të zhvillimit ekonomik e shoqëror 
                            të popullsisë së sanxhaqeve të 
                            Shqiperisë.