Gjatë shek. XVI-XVII kryengritjet 
                            në Shqipëri vazhduan të kishin një 
                            karakter lokal. Forcat lëvizëse të 
                            kryengritjeve gjatë këtyre dy shekujve qenë 
                            fshatarë dhe malësorë të cilët 
                            luftuan kundër vendosjes së sistemit të 
                            timarëve në krahinat e tyre dhe njëkohësisht 
                            për të dëbuar sundimtarët turq 
                            nga vendi. Më saktë, në këto kryengritje 
                            morën pjesë fshatarët e malsorët 
                            e krishterë, pasi mbi këta rëndonte 
                            një shfrytëzim më i egër. Si rrjedhim, 
                            udhëheqjen e këtyre lëvizjeve e morën 
                            në dorë kuvendet shqiptare, në drejtimin 
                            e të cilave një rol të veçantë 
                            lojtën edhe prelatët e krishterë.
                           Gjatë këtyre dy shekujve feudalët 
                            spahij të Shqipërisë, të cilët 
                            në përgjithësi ishin me origjinë 
                            shqiptare, qenë, me përjashtime të 
                            ralla, bashkëpuntorët më aktive të 
                            sundimtarit turk,
                           Këto kryengritje, megjithëse shpesh herë 
                            morën përpjestime të gjëra, nuk 
                            e realizuan dot synimin e tyre kryesor, çlirimin 
                            e vendit. Megjithatë ato patën disa rezultate 
                            pozitive. Në radhë të parë ato 
                            mbajtën gjallë frymën e rezistencës 
                            dhe me anë të saj individualitetin e kombësisë 
                            shqiptare. Në radhë të dytë, krahinat 
                            malore fituan një varg privilegjesh për 
                            një farë administrimi autonom sipas normave 
                            tradicionale vendëse. Në sajë të 
                            këtyre sukseseve, shqiptarët e larguan rrezikun 
                            e asimilimit që i kërcenohej vendit nga 
                            armiqtë turq.
                           Kryengritjet shqiptare dhanë gjithashtu një 
                            kontribut në luftën e shteteve evropiane 
                            kundër Turqisë.
                           Në pjesën e fundit të shek. XVII 
                            u mbyll periudha kur vatrat kryesore të qëndresës 
                            shqiptare qenë krahinat malore dhe kur forcat 
                            kryesore lëvizëse qenë vetëm masat 
                            e malësorëve të krishterë, të 
                            udhëhequr nga krerët e kuvendeve. Qysh nga 
                            fundi i shek. XVII, lëvizjet kundër sundimtarëve 
                            turq në Shqipëri morën tipare të 
                            reja. Vatrat e qëndresës u shtrinë 
                            edhe në viset fushore. Forcat lëvizëse 
                            u bënë jo vetëm masat fshatare të 
                            krishtera por edhe ato myslimane, të cilat u 
                            ngritën kundër shfrytëzimit të 
                            vrazhdë turk. Roli i prelateve të kishave 
                            filloi të bjerë. Vet këtyre, qysh nga 
                            pjesa e parë e shek. XVIII, në luftë 
                            kundër sundimtarëve turq filluan të 
                            hynin edhe feudalët vendës. Këto ndryshime 
                            erdhën si pasojë e dobësisë së 
                            vazhdueshme, e dekadencës së sistemit feudal 
                            ushtarak dhe të disfatave që pësoi 
                            perandoria e osmallinjve në fund të shek.XVII 
                            dhe gjatë shek. XVIII.