Në kushtet e sundimit otoman ngritjeve 
                            të vazhdueshme të shqiptarëve kundër 
                            tij, përpjekjet për të shpëtuar 
                            besimin e krishterë kishin edhe për klerin 
                            e ndërgjegjshëm, jo vetëm një 
                            kuptim fetar por edhe patriotik. Duke mbrojtur fenë 
                            e krishterë kundër islamizmit, ata synonin 
                            të largonin rrezikun e asimilimit të shqiptarëve 
                            nga turqit osmanllij.
                           Qysh në mezin e shek. XVI, prifti katolik, 
                            Dom Gjon Buzuku, duke parë nivelin shumë 
                            të ulët teologjik të kolegëve 
                            të tij, botoi më 1555 një "Meshar" 
                            shqip me pjesë të përkthyera nga ungjilli, 
                            rituali dhe liturgjia. Me këtë botim ai 
                            kërkonte t'u vinte në ndihmë priftërijve 
                            të cilët nuk e njihnin gjuhën latinisht. 
                            Në fund të "Mesharit", gjindet 
                            një pasthënie, në të cilën 
                            autori thotë se iu përvesh botimit të 
                            kësaj vepre, i shtyrë nga dashuria për 
                            popullin e vet, pasi në gjuhën shqipe nuk 
                            kishte libra fetare. Por inisiativa e Buzukut për 
                            mjaft kohë nuk u pasua nga priftërijtë 
                            e tjerë. Niveli kultural i klerit në Shqipëri 
                            vinte duke u ulur vazhdimisht dhe numri i tyre duke 
                            u pakësuar përherë e më tepër. 
                            Gati gjysmë shekulli më vonë, Lekë 
                            Matrënga (1560-1619), nga Hora e Arbëreshëve 
                            të Siçilisë, një nga nxënësit 
                            e parë të Kolegjit të Shën-Athanasit 
                            të Romës, përktheu dhe botoi më 
                            1592, katekizmin "E msuamë e krishterë", 
                            që kishte për qëllim të ruante 
                            midis arbëreshëve ritin oriental nga presioni 
                            i kishës katolike. Në veprën e vet 
                            Matrënga botoi dhe një poezi, poezia më 
                            e vjetër shqipe që ne njohim. Eshtë 
                            një vjershë me 8 vargje, me të cilën 
                            autori i fton besnikët të venë përherë 
                            në kishë.
                           Në të njëjtën kohë filluan 
                            të vinin edhe në Shqipëri misionarët 
                            katolikë sidomos nxënësit e kolegjit 
                            të Loretos të cilët organizuan shkolla 
                            fillore pranë kuvëndeve dhe famullive të 
                            tyre. Këtyre shkollave ua kushtoi veprimtarinë 
                            e vet letrare Pjetër Budi (1566-1622) nga Guribardhë 
                            (Mat). Ai përktheu dhe botoi më 1618, "Doktrinën 
                            e Krishterë" dhe më 1621 në një 
                            vëllim të përbashkët "Pasqyrën 
                            e të rrëfyemit" dhe "Ritualin 
                            roman", që të tria vepra me përmbajtje 
                            doktrinore e rituale katolike. Në veprën 
                            e vet Budi botoi edhe një numër të 
                            madh poezish, të gjitha me frymë fetare 
                            dhe ku bëhet përpjekja për t'i paraqitur 
                            ato në formë artistike, Disa nga këto 
                            vjersha janë shkruar nga një koleg i tij, 
                            At Pal Hasi.
                           Me gjithë këto, niveli kultural i klerit 
                            katolik në këtë kohë kur fushata 
                            e islamizimit po korrte suksese ishte gjithnjë 
                            në një shkallë të vajtueshme, 
                            sikurse shpreheshin të gjithë vizitatorët 
                            apostolikë që dërgonte Roma gati për 
                            çdo vit në Shqipëri. Qysh nga viti 
                            1620 drejtimin e propagandës fetare e politike 
                            të Vatikanit në vendet e lindjes e mori 
                            institucioni i ri i fuqishëm i krijuar po atë 
                            vit me emrin "De Propoganda Fide" (Për 
                            përhapjen e Fesë) me qendër në 
                            Romë. Instituti i ri ngriti herë pas herë 
                            për kuadrot shqiptare edhe shkolla të tjera, 
                            "Kolegjin ilirik" të Fermos (1633), 
                            nën drejtimin e misionarëeve jezuitë. 
                            "Shkollën e Montorios" në Romë 
                            nën drejtimin e misionarëve françeskanë, 
                            dhe dy shkolla për nxënësit klerikë 
                            të ritit unit nën drejtimin e bazilianëve, 
                            njërën në Grotaferrata afër Romës, 
                            tjetrën në Mexojuso, në një koloni 
                            të arbërëshëve të Siçilisë. 
                            Disa nxënës klerikë që kryenin 
                            këto kolegje ndiqnin pastaj studimet e larta 
                            në "Kolegjin urban të Propagandës" 
                            ose në fakultetet teologjike e filozofike të 
                            universiteteve të ndryshme të Italisë.
                           Shumica e priftërinjve dhe e misionarëve 
                            që kryenin këto kolegje dhe vinin në 
                            Shqipëri e ushtronin veprimtarinë e tyre 
                            vetëm si ushtarë të bindur të 
                            Propaganda Fides pa marrë parasysh interesat 
                            e shqiptarëve. Por në radhët e tyre 
                            kishte edhe priftërinj të cilët e ndjenin 
                            vehten të lidhur me fatet e popullit të 
                            tyre, duke rënë kështu në konflikt 
                            me misionarët e huaj. Këto konflikte merrnin 
                            shpesh herë trajta të acaruara dhe përfundonin 
                            nga ndonjëherë me atentate të fshehta. 
                            Viktimë e një atentati të tillë 
                            i nxitur nga Venediku dhe i organizuar me sa duket 
                            nga kleri i huaj qe edhe Pjetër Budi.
                           Shkollat që u ngritën në Shqipëri 
                            nga kleri katolik qenë shumë të pakta 
                            dhe në nivelin e shkollave fillore. Një 
                            shkollë të tillë kishte në Kurbin 
                            të Krujës me 1632 ku mësonin vetëm 
                            10 nxënës klerike. Më 1634 erdhi në 
                            Shqipëri një ekip misionarësh françeskanë 
                            të cilët më 1638 ngritën në 
                            fshatin Pdhanë afër lumit Mat një shkollë 
                            fillore për fëmijtë 8-10 vjeç. 
                            Këtë shkollë e ndoqën edhe fëmijë 
                            nga krahinat e tjera. Një vit më vonë 
                            më 1639, me kërkesën e banorëve 
                            të Blinishtit (Zadrimë) franceskanët 
                            ngritën në këtë fshat një 
                            kuvend dhe pranë tij një shkollë të 
                            mesme (gymnasium). Që në fillim kjo shkollë 
                            pati më tepër se 50 nxënës. Këtu 
                            mesimet e para zhvilloheshin në gjuhën e 
                            vendit (lingua vernacula).
                           Ngritja e këtyre shkollave shkaktonte ndërhyrjen 
                            e sundimtarëve turq. Më 1648 turqit e rrafshuan 
                            shkollën e Pdhanës, por një vit më 
                            vonë banorët e fshatit e rindërtuan 
                            përsëri. Për tu shpëtuar këtyre 
                            ndërhyrjeve, mësuesit priftërinj detyroheshin 
                            t'i zhvillonin fshehurazi mësimet në shtëpitë 
                            e veta ose të peshkopëve. Të tilla 
                            shkolla kishte në vende të ndryshme, në 
                            Janievë të Kosovës (1671), në 
                            Velje të Mirditës (1692), brenda në 
                            Shkodër (1699).
                           Për nevojat mësimore të këtyre 
                            shkollave, vetë priftërinjtë shqiptarë 
                            që ishin njëkohësisht edhe mësues, 
                            përgatiten tekstet përkatëse në 
                            shqip. Shumë prej këtyre qenë tekste 
                            fetare, si ato që u përkthyen dhe u botuan 
                            prej Pjetër Budit ose vepra origjinane, si ajo 
                            me titull "Ceta e Profetëve" e shkruar 
                            nga shkrimtari Pjetër Bogdani (1625-1689). Disa 
                            vepra kishin krejtesisht karakter mësimor-didaktik. 
                            Të tilla qenë për shembull "Fjalori 
                            latinisht-shqip" i Frang Bardhit (1606-1643) 
                            që u botua më (1606-1643) dhe u përdor 
                            për shumë kohë prej nxënësve 
                            shqiptarë për mësuar latinishten, "Gramatika 
                            latinisht-shqip" që kishte përgatitur 
                            Andrea Bogdani dorëshkrimi i së cilës 
                            humbi gjatë ekpeditave turke të vitit 1683 
                            si dhe disa tekste të tjera fetare fjalorë 
                            që u përdorën në dorëshkrim 
                            dhe humbën më vonë ose ruhen akoma 
                            sot nëpër arkiva të ndryshme.
                           Kjo veprimtari vazhdoi edhe në pjesën 
                            e parë të shek. XVIII. Në vitet e para 
                            të këtij shekulli një rrethanë 
                            e favorëshme u krijua për klerin katolik 
                            të Shqipërisë kur në fronin e 
                            papëve që Klementi XI me origjinë shqiptare. 
                            Me nxitjen e papës u mblodh më 1703 koncili 
                            i peshkopëve të Shqipërisëe që 
                            njihet me emrin "Koncili i Arbënit". 
                            Krahas vendimeve për çështje ngushtësisht 
                            fetare, koncili mori edhe vendime për përhapjen 
                            e letërsisë fetare në gjuhën shqipe. 
                            Më 1711, me inisiativën e vetë Klementit 
                            XI, në shkollën e Montorios (Romë) 
                            u krijua edhe katedra e gjuhës shqipe. Por, me 
                            gjithë keto vendime, veprimtaria kulturale e 
                            klerit katolik në Shqipëri, me përjashtime 
                            të rralla nuk vazhdoi më në gjurmët 
                            e Budit, Bardhit e Bogdanit. Numri i besimtarëve 
                            katolikë në Shqipëri ishte pakësuar 
                            në një masë shumë të madhe. 
                            Rrethi i tyre ishte kufizuar krejtësisht në 
                            malsorët e veriut që ishin në një 
                            gjendje shumë të prapambetur. Veç 
                            kësaj edhe drejtimi i klerit ra pothuaj se krejtësisht 
                            në duart e prelatëve të huaj të 
                            cilët shikonin interesat e Propagandës Fide.
                           Me veprimtarinë e tyre letrare e pedagogjike 
                            priftërinjtë shqiptare, me Buzukun, Budin. 
                            Bardhin, Bogdanin, etj. u bënë inisiatorët 
                            e letërsisë shqipe dhe të arësimit 
                            shqip. Me gjithë përmbajtjen fetare ose 
                            didaktike që kanë veprat e tyre, ato kanë 
                            një rëndësi të posaçme 
                            për letërsinë dhe gjuhësinë 
                            shqipe. Qëllimi i veprave të tyre ishte, 
                            sipas vetë autorëve, jo vetëm përforcimi 
                            i ndërgjegjes fetare, por edhe shpëtimi 
                            i gjuhës shqipe nga bastardimet dhe nga humbja. 
                            Midis këtyre veprave një vlerë të 
                            veçantë ka vepra origjinale e Pjetër 
                            Bogdanit "Ceta e Profetëve". Në 
                            këtë vepër autori, ndonëse trajton 
                            çështje të filozofisë e të 
                            teologjisë, shkëputet shpesh herë nga 
                            tema qëndrore dhe kap disa probleme historike 
                            dhe sidomos çështje shoqërore të 
                            vendit. Gjuha e pastër dhe e këndëshme, 
                            stili i rrjedhshëm dhe elegant e bëjnë 
                            librin e P. Bogdanit jo vetëm një tekst 
                            fetar por edhe një vepër letrare artistike.