Më 1570, perandoria e osmanllijve 
                            filloi luftën për të pushtuar ishullin 
                            e Qipros që ndodhej nën zoterimin e Venedikut. 
                            Këtë radhë ajo kishte përgatitur 
                            një flotë të madhe e cila krahas epërsisë 
                            në tokë do t'i siguronte asaj edhe epërsinë 
                            në det. Ky rrezik nxiti një varg shtetesh 
                            evropiane të bashkoheshin përsëri në 
                            një koalicion dhe krahas me Venedikun të 
                            hynin po atë vit në luftë kundër 
                            Turqisë. E shqetësuar nga rreziku që 
                            kërcënonte Qipron dhe nga rritja e shpejtë 
                            e fuqisë detare otomane, republika kishte interes 
                            të përhapeshin kryengritjet në të 
                            gjitha viset e pushtuara nga turqit. Në Shqiperi 
                            republika shpresonte t'i gozhdonte turqit me anën 
                            e kryengritësve shqiptare për të lehtësuar 
                            mbrojtjen e qyteteve Ulqin e Tivar që ndodheshin 
                            akoma nën zotërimin e saj.
                           Ngjarjet ndërkombëtare të vitit 1570 
                            tërhoqën vëmendjen dhe të shqiptarëve, 
                            të cilët shikonin tani te përkrahja 
                            e Venedikut mundësinë e dëbimit të 
                            turqve nga Shqipëria. Në veri të Shqipërisë 
                            kryengritjet shpërthyen qysh në fillim të 
                            vitit 1571 por ato u shtypën përkohësisht 
                            prej ushtrive të mëdha turke. Në veri 
                            kryengritja shpërtheu, përsëri. Malësorët 
                            dukagjinas sulmuan Lezhën dhe e çliruan 
                            përkohësisht. Pastaj, së bashku me 
                            një pjesë, të forcave venedikase që 
                            ndodheshin në Ulqin sulmuar Shkodrën. Gjatë 
                            sulmit Shkodra u dogj, por turqit, me ndihmat që 
                            u erdhën, e mbrojtën qytetin.
                           Në qershor të atij viti, flota e Venedikut 
                            u orvat të pushtonte Durrësin me zbarkim, 
                            e rrahu me artileri, por garnizoni turk nuk u dorëzua. 
                            Pastaj flota kreu një varg veprimesh luftarake 
                            në brigjet e Himarës. Të ndihmuar nga 
                            himariotët zbarkuan në bregdet stradiotë 
                            shqiptarë, grekë dhe italianë që 
                            kishin hyrë në shërbim të republikës. 
                            Himariotët së bashku me stradiotët 
                            pushtuan kështjellën e Sopotit dhe çliruan 
                            gjithë krahinën e Himarës.
                           Kundër himariotëve dhe ekspeditës 
                            venedikase u nisën sanxhakbejlerët e Delvinës 
                            e të Vlorës të forcuar me reparte jeniçerësh 
                            dhe me flotën turke që e dërgoi në 
                            ndihmë Stambolli. Në fillim ushtritë 
                            turke pësuan disfatë por më vonë, 
                            me hyrjen e flotës në veprim, kryengritja 
                            u shtyp. ekspedita venedikase u shpartallua dhe Sopoti 
                            ra përsëri në duart e turqve.
                           Pasi pushtoi Sopotin flota turke u nis drejt Ulqinit 
                            për të ndihmuar ushtritë e sanxhakbeut 
                            të Shkodrës që kishin rrethuar garnizonin 
                            venedikas të qytetit. Pas një rrethimi të 
                            fortë, në gusht të vitit 1571 garnizoni 
                            venedikas u detyrua të dorëzohej. Turqit 
                            lanë të lirë vetëm venedikasit 
                            të shkonin në Raguzë, kurse mbi ulqinakët 
                            bënë kërdinë, një pjesë 
                            të qytetareve i vranë dhe pjesën tjetër 
                            bashkë me gratë e fëmijët i bënë 
                            robër pastaj i dhanë zjarrin qytetit. Disa 
                            ditë më vonë turqit rrethuan Tivarin. 
                            Garnizoni venedikas nuk bëri asnjë qëndresë 
                            dhe e dorëzoi qytetin pa luftë.
                           Një muaj pas pushtimit të Ulqinit e Tivarit, 
                            në tetor 1671, flota e koalicionit evropian korri 
                            një fitore të madhe në betejën 
                            detare që u zhvillua në afërsitë 
                            e Lepantit, në gjirin e Korinthit. Këtu 
                            flota turke u shkatërrua krejtësisht. Në 
                            Shqipëri, ngjallen përsëri shpresat 
                            e çlirimit të vendit. Por shtetet evropiane, 
                            nuk dijtën të shfrytëzonin fitoren 
                            e Lepantit për ti dhënë grushte tjera 
                            Turqisë. Midis tyre lindën përsëri 
                            kontradikta për çështjen e mbisundimit 
                            në Ballkan. Spanja, e pa kënaqur nga përfitimet 
                            që pati rivalja e saj, Republika e Shën-Markut. 
                            u largua nga koalicioni duke u dhënë rast 
                            turqve të përforconin pozitat e tyre. Në 
                            mars të vitit 1573 edhe Venediku u tërhoq 
                            nga koalicioni dhe lidhi paqe të veçuar 
                            me Turqinë. Megjithëse në marrëveshjen 
                            e paqes, në pikën 6, u caktua që Ulqini 
                            e Tivari t'i ktheheshin përsëri Venedikut, 
                            turqit nuk e respektuan këtë dhe këto 
                            qytete i mbajtën për vehte. Keshtu, këtë 
                            rradhë sundimi turk u vendos në krejt bregdetin 
                            e Shqipëri.