Pas dështimit të ekspeditës 
                            së Dukës së Neverës, inisiativën 
                            për të ringjallur interesimin e papës 
                            dhe të shteteve të tjera e mori kalorësi 
                            boshnjak Bertuçi. Qysh nga viti 1595 ky ishte 
                            në kontakt me krerët shqiptarë dhe 
                            me premtimet që u bënte këtyre për 
                            ndihma ushtarake, përkrahje politike dhe shpërblime 
                            të mëdha kishte siguruar deri diku simpatinë 
                            e tyre. Në oborret evropiane Bertuçi e 
                            paraqiste vehten si udhëheqës të një 
                            ushtrie kryengritesish prej 30 mijë shqiptarësh 
                            dhe 50 mijë boshnjakësh. Ai kishte hartuar 
                            disa projekte për çlirimin e krejt Ballkanit 
                            me të cilat u kërkonte shteteve evropiane 
                            ndihma armësh dhe kuadrosh ushtarake. Pasi kishin 
                            dështuar përpjekjet pranë Selisë 
                            së Shenjtë Romake, projektin e vet Bertuçi 
                            ia paraqiti mbretit të Spanjës.
                           Në të njëjtën kohe edhe Pjetër 
                            Budi përpiqej më 1618 në Romë 
                            që të siguronte për shqiptarët 
                            ndihma armësh dhe kuadrosh ushtarake evropiane. 
                            Por përpjekjet e tij nuk kishin dhënë 
                            ndonjë fryt. Më 1621, kur ndodhej në 
                            Romë dhe përgatitej të nisej për 
                            në Shqipëri, Pjetër Budi me një 
                            relacion të hollësishëm drejtuar kardinalit 
                            Gocadino, përkrahte projektin e kalorsit Bertuçi 
                            dhe kërkonte vënjen e tij në jetë.
                           Relacioni i Budit është një dokumemt 
                            i rëndësishëm i shekullit XVII. Përveç 
                            lajmeve ekonomike, shoqërore dhe gjeografike 
                            mbi Shqipërine, ai na jep një pasqyrë 
                            mbi gjëndjen politike të popullit shqiptar 
                            pas 50 vjet kryengritjesh të vazhdueshme. Në 
                            relacion del qartë se ekspeditat e tërbuara 
                            të turqëve, mos pranimi i shteteve evropiane 
                            për të ndihmuar kryengritësit shqiptarë 
                            dhe dështimet e kryengritjeve të shumta 
                            që kishin ndodhur pas vitit 1571, nuk ua kishin 
                            thyer vullnetin dhe vendosmërinë shqiptarëve 
                            për të vazhduar luftën kundër 
                            sundimtarëve turq. Me 1621, rreth 30 mijë 
                            shqiptarë ishin gati të rrëmbenin armët 
                            kundër turqëve sapo të zbarkonte në 
                            Shqipëri ndonjë ekspeditë evropiane. 
                            Popullsia e krishterë, raportonte Pjetër 
                            Budi, do të luftonte krahas popullsisë myslimane 
                            me të cilën ishin në marrëveshje. 
                            Veç kësaj, edhe mjaft veta nga paria myslimane 
                            ishin gati të merrnin pjesë në kryengritje 
                            pasi edhe për këta pesha e sundimit të 
                            sulltanit ishte bërë e padurueshme. Në 
                            sajë të marrëveshjes me ushtarët 
                            shqiptarë që shërbenin në ushtrinë 
                            turke, kalatë e vendit do të binin menjëherë 
                            dhe pa luftë në duart e kryengritësve 
                            shqiptarë. Shqiptarët, shkruante Budi, nuk 
                            kanë nevojë për asgjë tjetër, 
                            "veçse për një princ që 
                            t'u ndihmojë me njerez, veçanërisht 
                            me njerëz për komandë dhe me municione, 
                            sepse janë mjaft ata vetë, për t'i 
                            qëndruar armikut turk me forcat e veta". 
                            Dhe koha më e përshtatshme për një 
                            ekspeditë ishte pikërisht viti 1621, theksonte 
                            Budi, "sepse vendi ishte pa ushtri turke, me 
                            qenë se të gjithë kishin shkuar në 
                            luftë kundër polakëve. Dhe, po të 
                            bëhej kjo ekspeditë, vazhdonte Budi, u jepet 
                            zemër polakëve dhe vete perandorit, i cili 
                            edhe ky do t'i drejtome armët kundër turqve... 
                            ".
                           As projekti i Bertuçit, as relacioni i Budit 
                            nuk e bindën papën dhe shtetet e tjera evropiane 
                            t'u përgjigjeshin thirrjeve të kuvendeve 
                            shqiptare. Refuzimet e vazhdueshme të të 
                            huajve dhe, më keq, shkeljet e premtimeve që 
                            bënin e shtuan mosbesimin e shqiptarëve 
                            ndaj tyre. Në fillim të vitit 1622, Budi, 
                            me t'u kthyer në Shqipëri, mblodhi në 
                            një kuvend të posaçëm klerin 
                            katolik të tri dioqezave (Zadrimës, Shkodrës 
                            dhe Lezhës) të cilët i bindi të 
                            betoheshin që të mos pranonin asnjë 
                            peshkop të huaj në këto dioqeza dhe, 
                            në qoftë se do të dërgohej ndonjë 
                            i tillë, të nxirrnin preteksin se këta 
                            nuk e njihnin as gjuhën e as zakonet e vendit. 
                            Arsyeja ishte se këto peshkopë qenë 
                            të pa dëshirueshëmnë Shqipëri, 
                            pasi vepronin në dobi të shteteve të 
                            huaj. Pas dhjetë muajsh, Pjetër Budi, gjatë 
                            udhëtimit për në Malësinë 
                            e Madhe, u mbyt nga armiqtë e tij kur po kalonte 
                            lumin Drin.
                           Mungesa e armëve dhe e përkrahjes politike 
                            sollën rënjen e hovit të kryengritjeve 
                            të armatosura në Shqipëri dhe në 
                            Ballkan. Në fakt, për 25 vjet me radhë 
                            (1613-1638), kronikat nuk bëjnë fjalë 
                            për kryengritje në Shqipëri dhe për 
                            një kohe edhe më të gjatë në 
                            vendet fqinje.
                           Gjatë kësaj kohe në Evropë ishin 
                            përhapur lajme gati legjendare mbi trimërinë 
                            dhe gadshmërine e shqiptarëve për të 
                            luftuar kundër turqve. Si dhe më parë, 
                            një varg personalitetesh të huaja, midis 
                            të cilëve dhe disa aventurierë, vazhdonin 
                            t'u paraqisnin oborreve evropiane "projekte" 
                            të hollësishme, me anën e të cilave 
                            merrnin përsipër po t'u jepeshin ndihmat 
                            e kërkuara, t'i dëbonin turqit nga Shqipëria 
                            dhe Ballkani. Por edhe këto projekte, megjithëse 
                            ngjallën për disa kohë interesimin 
                            e shteteve evropiane, nuk dhanë asnjë rezultat.