Me pushtimin e Shqipërisë 
                            feudalët turq u interesuan në fillim vetëm 
                            për ato ndërtime që plotësonin 
                            nevojat e tyre ushtarake, për ndërtimin 
                            ose rindërtimin e kalave, urave, etj., si dhe 
                            për nevojat e kultit të tyre Islam për 
                            ndërtimin e xhamive, teqeve, tyrbeve, etj. Turqit 
                            nuk sollën me vehte ndonjë stil të 
                            veçantë në arkitekturë. Në 
                            ndërtimet e tyre të para ata futën 
                            në përdorim teknikën, stilin dhe elementet 
                            arkitektonike që gjetën në vendet e 
                            pushtuara, të cilat i përvehtësuan 
                            me anën e mjeshtërve vendës. Këtë 
                            na e tregon kalaja e Elbasanit, kalaja e parë 
                            e ndërtuar nga turqit në Shqipëri mbi 
                            themelet e një kalaje të vjetër (1466) 
                            teknika dhe stili i saj nuk kanë ndonjë 
                            ndryshim të madh nga teknika dhe stili i kalave 
                            të tjera mesjetare paraturke.
                           Qysh në fillim të sundimit të tyre 
                            turqit i kushtuan kujdes të veçantë 
                            faltoreve islame. Edhe sot qëndrojnë në 
                            këmbë disa nga xhamitë e ndërtuara 
                            qysh në shek. XV (Xhamia Mbret në Elbasan, 
                            xhamia e Bajazidit të II në Berat, Xhamia 
                            e Imrahorit në Korçë). Por edhe në 
                            këto faltore turqit futën pak elemente të 
                            reja. Kubeja qendrore e xhamisë dhe shtyllat 
                            e sofasë janë një përvetësim 
                            i kubesë dhe shtyllave të kishave bizantine 
                            në Shqipëri. 
                           Lidhur me kultin e tyre, turqit përhapën 
                            gjithashtu tipin e mauzoleut oriental, tyrben, e cila 
                            qe diçka e re, kurse banjat publike që 
                            i ndërtuan në qytete s'ishin gjë tjetër 
                            veçse vazhdim i traditës bizantine. Si 
                            tyrbet edhe banjat janë shumë të thjeshta, 
                            pa as ndonjë dekoracion. Edhe urat, në përgjithësi, 
                            nga pikëpamja e teknikës dhe e stilit nuk 
                            kanë ndonjë ndryshim nga urat e vjetra. 
                            Ato u ndërtuan si gjithë veprat e tjera, 
                            prej mjeshtërve muratorëve vendës.
                           Në ndërtimin e shtëpive të thjeshta 
                            popullore përgjithësisht u ruajtën 
                            traditat shqiptare të vjetra. Stili turk-oriental 
                            duket se nuk u përhap gjatë këtyre 
                            dy shekujve në Shqipëri. Nga pikëpamja 
                            arkitektonike, shtëpitë e ndërtuara 
                            gjatë kësaj kohe janë të thjeshta. 
                            Vetëm feudalët filluan të ndërtonin, 
                            gjatë shek. XVII, saraje të bukura të 
                            kushtueshme.
                           Shek. XVI ka qenë një nga shekujt më 
                            të varfër përsa i përket ndërtimit 
                            të faltoreve të krishtera, pasi sundimtarët 
                            turq ndaluan ndërtimin e kishave dhe manastireve 
                            të reja. Nëpër fshatra të largëta, 
                            ku nuk ndihej dora e autoriteteve feudale turke, mund 
                            të jetë ndërtuar ndonjë kapele 
                            e parëndësishme nga pikëpamja arkitektonike.
                           Por gjatë shek. XVII filluan të ndërtoheshin 
                            përsëri një numur faltoresh të 
                            krishtera në Shqipëri. Gjysma e parë 
                            e këtij shekulli karakterizohet me ndërtimin 
                            e faltoreve me kube sipas traditës së vjetër 
                            të stilit bizantin por edhe me ndikime perëndimore 
                            (kisha e Fjetjes së Shën-Mërisë 
                            në manastirin Goranxi afër Gjirokastrës 
                            me kube të stilit gjysëm-gook ndërtuar 
                            me 1600). Më vonë, nga gjysma e dytë 
                            e këtij shekulli, ndryshoi stili arkitetonik 
                            në ndërtimin e faltoreve të krishtera. 
                            Ato nuk janë me stilit bizantin, në formë 
                            kryqi me kube që duket mbi çatinë, 
                            por të stilit bazilikal, në formë katërkëndësh 
                            këndrëjtë të ndarë në 
                            drejtimin gjatësor të tyre me shtylla me 
                            tri anije, me kube hemisferike të mbuluar nga 
                            çatia për të mos u dukur nga jashtë 
                            dhe me një ose tri gungore (absida) nga lindja. 
                            Largimi nga tradita vjetër e stilit bizantin 
                            me kube dhe me stolisjet e tjera nga jashtë dhe 
                            përdorimi i stilit bazilikal, i cili nga pamja 
                            e jashtme paraqitet i thjeshtë dhe u ngjet shtëpive 
                            të zakonëshme, u shkaktua nga nevoja që 
                            këto faltore të mos u binin në sy turqve 
                            fanatikë.
                           Në krahinat e Shqipërisë së 
                            veriut, për shkak të varfërimit të 
                            vazhdueshëm dhe të trazirave të shpeshta, 
                            vendin e kishave dhe të katedrave të mëparëshme 
                            të rrënuara e zunë kishat ose kapelat 
                            e thjeshta si dhe altarët e varfëra të 
                            vendosura në vende të hapura, pa asnjë 
                            vlerë artistike dhe arkitektonike.