Ndonëse vetë shkrimtari 
                            D.Agolli është shprehur se "me Arkën 
                            e djallit, do të ndryshoj përfytyrimin e 
                            letërsisë shqipe", për një 
                            shumicë lexuesish kontributi më i rëndësishëm 
                            letrar i tij në prozë është "Shkëlqimi 
                            dhe rënia e shokut Zylo" (1973).
                            Kronikë e karrierës së palavdishme 
                            të një zyrtari "në vijë", 
                            romani është në të njëjtën 
                            kohë pasqyrë e pozitës së mjerë 
                            të vartësit të tij, Demkës, një 
                            kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është 
                            ndarë me talentin.
                            Vitet e fundit, veçanërisht pas botimit 
                            në Francë, këtij romani i është 
                            rikthyer vëmendja. Rreth tij është 
                            debatuar shumë. Janë hequr paralele dhe 
                            janë bërë analogji me vepra të 
                            ngjashme që nuk gjetën tribunë botimi 
                            në vende të Lindjes ish-komuniste. Me këtë 
                            rast është përmendur, jo pa njëfarë 
                            çudie, shkalla e lirisë së krijimtarisë 
                            tek autorët më të talentuar në 
                            Shqipëri. Për një gjykim më pranë 
                            së vërtetës rreth kësaj çështjeje, 
                            ndoshta duhej vënë në dukje fakti që 
                            ky roman u paraqit fillimisht si pronë letrare 
                            e së vetmes revistë humoristike të 
                            vendit - "Hosteni" - si dhe fakti tjetër 
                            i njohur, që e qeshura mundëson gjithçka. 
                            Përmbysjet e mëdha fillojnë me humorin. 
                            Kur një periudhë historike mbërrin 
                            kohën e humorit, kjo do të thotë se 
                            ajo ka trokitur në çastin e zbaticës. 
                            "Ushtari i mirë Shvejk shembi lavdinë 
                            e perandorisë", thotë Hasheku. 
                            Për burokratët dhe servilët është 
                            shkruajtur jo pak, por faji përgjithësisht 
                            i është hedhur njërës palë: 
                            ose eprorit arrogant, ose vartësit të përulur. 
                            Kurse në romanin humoristik të D.Agollit, 
                            Zyloja dhe Demka, shkurtime të emrave tradicionalë 
                            "Zylyftar" dhe "Demir", ku nuk 
                            merret vesh ku fillon "modernizimi" dhe 
                            ku mbarojnë "përkëdhelja/ përqeshja", 
                            e meritojnë plotësisht njëri--tjetrin. 
                            Të dy janë shkaktarë situatash që 
                            e bëjnë lexuesin të shkulet gazit, 
                            por edhe të pezmatohet disi. Produkt i njëri-tjetrit, 
                            ata janë njëherësh bashkëfajtorë 
                            për lëngatën që e vetëvuajnë.
                            Për artin e humorit paraqitja e dy personazheve 
                            në bashkëfajësi është një 
                            zgjedhje e njohur. Mjafton të kujtojmë, 
                            bie fjala, lidhjet midis Don Kishotit e Sanço 
                            Pançës në veprën e mirënjohur 
                            të Servantesit, Oliver Hardin dhe Sten Laurelin. 
                            Edhe Zyloja me Demkën të tillë janë, 
                            një në dy apo dy në një. Ata ushqejnë 
                            njëri--tjetrin dhe nuk mund të ndahen. Zylo 
                            pa Demkë dhe Demkë pa Zylo nuk mund të 
                            ketë. Cili prej tyre është më 
                            shumë fajtor? Kjo nuk është një 
                            gjë që zgjidhet lehtë.
                            Komizmi i figurës së Zylos buron nga kontradikta 
                            themelore e karakterit të tij: ai i jep vetes 
                            të tjera vlera nga ato që i takojnë, 
                            duke menduar se hierarkia shtetërore është 
                            edhe hierarki meritash. Shoku Zylo është 
                            një nga qindra e qindra nëpunësit e 
                            mesëm të një aparati shtetëror 
                            me shumë instrumente. Ai nuk është 
                            pa merita pune, diçka ka bërë për 
                            të mirën e saj, por këto merita në 
                            peshoren e shoqërisë kanë rëndesë 
                            shumë më të vogël se në mendjen 
                            e Zylos.
                            Në të vërtetë Zylo Kamberi është 
                            një figurë tragjikomike. Veprimet e tij 
                            të bëjnë të qeshësh, po aq 
                            sa edhe të ndiesh keqardhje. Zyloja nuk është 
                            një burokrat poterexhi, bujëmadh, i zhurmshëm. 
                            Arroganca e tij është e heshtur. Prepotenca 
                            e tlj është me zë të ulët. 
                            Veprimet e tij përherë priren nga qëllime 
                            të mbara, por çojnë në gabime 
                            trashanike.
                            Zyloja nuk është i vetëdijshëm 
                            për sëmundjen që e mundon. Ai nuk është 
                            një burokrat skematik, që shquhet që 
                            atje tej. Përkundrazi, lexuesi e mbyll librin 
                            i bindur se, po të mund të bëhej i 
                            ndërgjegjshëm për dobësinë, 
                            shokut Zylo ndoshta do t'i vinin mendtë dhe do 
                            të gjente forcë për të ndrequr 
                            veten. Prandaj ai është një figurë 
                            fatkeqe, ku bëhen bashkë mirësia e 
                            qëllimit me padijen, me humbjen e ndjenjës 
                            së realitetit, të masës për të 
                            vërtetën. Në këtë kuptim, 
                            Zyloja i shfaqet lexuesit në një pamje sa 
                            të rrezikshme, aq edhe për t'i qarë 
                            hallin.
                            Zyloja nuk i beson faktit, por imazhit që ka 
                            në mendje, iluzionit. Përmasa e jetës 
                            në mënyrën e të menduarit të 
                            tij është zëvendësuar nga idetë 
                            format. Subjektivisht Zyloja e konsideron veten në 
                            pararojë të shoqërisë, kurse objektivisht 
                            e kufizon atë. Këtu ndahet edhe qëndrimi 
                            emozional i autorit. Ai e përqesh, e satirizon, 
                            e vë në pozitë të vështirë 
                            personazhin e vet, por edhe i dhimbset, e justifikon 
                            disi, madje, në një farë mënyre, 
                            ka raste kur duket qartë se e merr në mbrojtje, 
                            duke mos e zhveshur nga çdo vlerë. Situatat 
                            që kalon Zyloja i jeton me seriozitetin më 
                            të madh, kur të tjerët mezi e mbajnë 
                            të qeshurën. Duke ngatërruar forcën 
                            e ligjit, të kompetencës, të të 
                            drejtave si epror, me forcën e argumentit, që 
                            është autoriteti më i lartë, ai 
                            i mvesh vetes atribute të pamerituara, beson 
                            verbërisht në forcën çudibërëse 
                            të urdhërit, të fjalës. Duke imituar 
                            modelin që ka zgjedhur si shpresë për 
                            "nëpunësin në ngjitje", ai 
                            shmanget nga vetja. 
                          Burokrat i çuditshëm, në të 
                            shumtën e herës i dehur nga një realitet 
                            që nuk ekziston, i mërguar nga jeta e vërtetë, 
                            megjithatë, herë-herë Zyloja thotë 
                            disa të vërteta lakonike dhe të befta, 
                            që ai i quan "ese". Në këto 
                            raste është shumë e vështirë 
                            të përdoret për të emërtimi 
                            burokrat. Madje thua: "sa mirë do të 
                            ishte të mos e pushtonte ajo sëmundje e 
                            mallkuar, ajo marramendje, ajo dehje që vjen 
                            nga iluzionet, ai dyzim i realitetit.
                          Hasheku, në parathënien e romanit të 
                            tij të njohur "Ushtari i mirë Shvejk", 
                            thotë se kënaqësia dhe vlerësimi 
                            më i madh për të ka qenë kur dëgjoi 
                            një ushtar t'i drejtohej me emrin e personazhit 
                            të tij shokut të vet., Këtë kënaqësi 
                            duhet ta ketë ndier edhe autori i romanit "Shkëlqimi 
                            dhe rënia e shokut Zylo". Zyloja dhe Demka 
                            janë bërë shenjime kategorish të 
                            shoqërisë. Edhe si burokrat, Zyloja është 
                            i veçantë, disi kapricioz, kontradiktor, 
                            krejt i pangjashëm me një galeri të 
                            tërë personazhesh të këtij lloji, 
                            që gjenden në letërsinë humoristike 
                            apo johumoristike. Zyloja është një 
                            burokrat me dramë, burokracia e tij nuk është 
                            butaforike dhe estradeske. Natyra e dyfishtë, 
                            mospërputhja ndërmjet qëllimit dhe 
                            përfundimit, i provokon lexuesit emocione tejet 
                            të kundërta. E rëndësishme është 
                            se cilido që të jetë emocioni: dhimbje, 
                            keqardhje, përqeshje, lexuesit i shkakton ndjenjën 
                            e refuzimit ndaj pozitës së personazhit.
                            Zyloja dhe komisari Memo janë dy prej personazheve 
                            që e kanë vënë autorin në 
                            provën e skemës. Një burokrat dhe një 
                            komisar, në një letërsi të mbushur 
                            me burokratë dhe komisarë, ishte e vështirë 
                            të kishin individualitetin e tyre. Nëse 
                            D.Agolli edhe në këto dy raste e tejkalon 
                            skemën, duke krijuar një burokrat të 
                            vërtetë dhe një komisar të vërtetë, 
                            kjo do të thotë se ai e ka mundur skemën.
                            Demka, nga ana e tij, gjlthashtu është sa 
                            qesharak, aq edhe i mjerë. Dikur njeri me talent, 
                            me kohë ai e ka lënë rrugës individualitetin 
                            dhe dhuntinë e vet, për t'iu nënshtruar 
                            "vullnetit të detyrës", një 
                            eufemizëm për vullnetin e eprorit. Ai nuk 
                            e ka zotësinë magjike të kundërshtimit 
                            dhe lexuesi thotë "mirë t'i bëhet", 
                            por prapë se prapë ndjen keqardhje për 
                            të.
                            Me Demkën autori paralajmëron se njeriu 
                            i zakonshëm mund ta shpërngulë fajin 
                            nga vetja dhe të gjejë një alibi, por 
                            ai që ka hyrë në botën e mediumeve 
                            publike nuk ka alibi. Individi fiton aq liri sa meriton. 
                            Për skllavin e bindur më e mira është 
                            skllavëria.
                            Ku mund të jenë sot, pas dy dekadave jete 
                            si personazhe ndërmjet lexuesve, Zyloja dhe Demka? 
                            Një gjë mund të thuhet me siguri: ata 
                            përsëri janë bashkë. Ndoshta mund 
                            të kenë ndërruar rolet. Kjo ndodh shpesh 
                            me çifte të tillë personazhesh. Në 
                            romanin e njohur të Servantesit në fillim 
                            Don Kishoti është krejt jashtë realitetit, 
                            në botën e iluzioneve, kurse Sanço 
                            Pança habitet me lajthitjet e të zotit. 
                            Por në fund të romanit është Sanço 
                            Pança që e humbet sensin e realitetit, 
                            duke besuar se është emëruar guvernator 
                            i një shteti, ndërsa Don Kishoti habitet 
                            me naivitetin e shqytarit të tij.