Dritëro Agolli

 

 


 

Shiu i Marrë

Dikur na bridhte qiejve një shi,
Që veç poetët çmendte po t'i lagte.
Dhe ra ky shi pa pritur mbi njerëzi,
Poetët u lajthitën pas një nate.

Filluan të kopjonin veç një varg,
Të kishin të përbashkët veç një metaforë,
Për shembull: "Jam Homeri, jam bust në park,
Jam Sofokli, Eskil e Pitagorë.

Jam rrugë vetëtimash e rrufè,
Jam dhe kostelacion në qiell,
Jam rrap me rrënjët pleksur nëpër dhè,
Jam udhëtar që kam në sup një diell…"

Po nga ky shi s'u lag veç një poet,
Se ishte fshehur në një pyll të dendur,
Poetët e lajthitur në qytet
E qeshnin dhe i thoshin: "Je i çmendur!"

Dhe u mërzit poeti në vetmi,
Se talleshin të çmendurit, poetët,
Dhe luste zotin që të binte prapë ky shi,
Që dhe ai të çmendej si të tjerët.

---------------------------------------
Kjo poezi është shkruar nga Agolli në formën e një proteste ndaj shoqërisë ku jeton, e cila mendjelehtësisht nuk i zë besë poetit- profet, por është gati të ndjekë pas shortarë të rrernë, që ndoshta do ta degdisin në greminë. Përmes kësaj poezie autori ka shprehur dhimbjen e vet, që përmbyllet me një dëshpërim gati disfatist, për psikozat masive që e kanë futur shoqërinë në një farë kurthi.
"Shiu i marrë" bashkon në një lëngatë kolektive gjithë bashkësinë, e cila shkon e ngazëllyer drejt vetëmashtrimit, ndërsa profetët e vërtetë i përqesh dhe i tregon me gisht si të lajthitur. Kjo poezi është dhimbja e poetit të vetëveçuar, të braktisur edhe nga vetë raca e poetëve, që i prin turmës drejt humnerës me një entuziazëm mahnitës.
Agolli paraqitet në këtë poezi në një dilemë që duket tragji-komike. Ai nuk di ç'vendim të marrë: të tërheqë ende vëmendjen e turmës së shastisur se në ç'hone po e tërheqin misionarët e rremë, apo të bashkohet edhe ai vetë me të, për të shpëtuar një herë e mirë nga dhimbja e të treguarit me gisht. Së fundi, i dëshpëruar për mosmirënjohjen e shoqërisë, ironikisht poeti lutet të rikthehet edhe një herë shiu i marrë, të përzihet edhe ai me turmën anonime që gjendet nën pushtetin e psikozës masive, të humbë identitetin në vorbullat e saj, të flijojë edhe dhuntinë e tij prei misionari me diellin mbi sup, mjafton që, së paku, të mos e marrin edhe më tej si të çmendur.
Duket se ky është flijimi i fundmë që i mbetet poetit të bëjë. Ndoshta mundet edhe me këtë ta trondisë shoqërinë, ta sjellë në vete, ta bindë për të gjetur yllësinë që meriton.
--------------------------------------------------------


1931

Jeta dhe Vepra

Poezia
Proza
Analiza
Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo
Njeriu me Top
Arka e Djallit
Poezi
Kur një Mëngjes
Vetmija
Poemë për Babanë e për Vete
Pjesa e dytë
Pjesa e tretë