S'e thur poemën aq të gjatë, 
                            
                            Me vargje si litarë, 
                            Se kushedi e gris im atë 
                            Dhe dredh me të cigare. 
                          Nga kjo poemë e nisa rrugën 
                            E vargjeve rinore, 
                            Në rrokje e rima treta jugën 
                            Dhe erën me dëborë... 
                          Do bëj poema më të mira. 
                            Po ti në mend do vish, 
                            O moj e para më e vështira, 
                            E thurur mes lajthish 
                          Dhe do më thuash buzëplasur: 
                            -S'më vure shumë fletë! - 
                            Ahere ati im i dashur 
                            Në varr do të jetë! 
                          S'do futesh fare në botimet 
                            E vargjeve të zgjedhur 
                            Do mbetesh vetëm në kujtimet 
                            E kaltër, e pazverdhur. 
                          Po mund të ndodhë ndonjëherë, 
                            
                            Qeflinjtë e poezisë 
                            Ty të të vënë në defterë 
                            
                            Si fakt të historisë: 
                          "Dhe fshati ynë nxjerr poetë, 
                            Siç nxorri trima shumë. 
                            Vrapojnë vargjet me rëketë 
                            Dhe piqen në një lumë,,... 
                          Po ti, poemë, moj naive, 
                            E thurur arë më arë, 
                            Do sjellësh erën e lajthive, 
                            Si dashurinë e parë 
                          Dhe thellë rreshtave të tua 
                            Ku zemra ime mbeti, 
                            Do dal'e do më zgjojë mua 
                            Çibuku i tim eti...