Mbeçë more shokë 
                          
                          Mbeçë, more shokë, 
                            mbeçë
                            Përtej Urës së Qabesë
                            Falëm me shëndet nënesë,
                            Kàun e zi le ta shesë.
                            
                            Në pyestë nëna për mua
                            I thoni që u martua.
                            Në pyestë se ç'grua mori
                            Tre plumba te kraharori,
                            
                            Në pyestë se ç'kalë hypi
                            Atje tek hypën meiti.
                            Në pyestë se ç'krushq i vanë 
                            
                            Sorrat e korbat që e hanë.
                          
                          - - - - - - - - - - - - - - - - - - 
                            - - - Analizë nga Ismail Kadare
                            Qarkullimi i këngës popullore shqiptare 
                            nëpër truallin perandorak osman, është 
                            një dukuri e mahnitshme. E thjeshtë si një 
                            lule e egër, me një tekst të kursyer 
                            prej shtatë-tetë rrjeshtash, e pajisur me 
                            melodi gjithashtu të thjeshtë dhe disa herë 
                            me një skicë lëvizjesh për valle 
                            disi të papritur, e vetme midis propagandës 
                            zyrtare, pasthirrmave, bejteve, ekstazës fetare, 
                            e huaj, e pangjashme me to, gjithsesi e çuditshme, 
                            - kjo këngë vërtitej midis kësaj 
                            bote mistike, pa u përçudnuar aspak prej 
                            saj. Që nga kufijtë e largët perandorakë 
                            ajo udhëtonte drejt truallit lindor, Shqipërisë 
                            ose që nga Shqipëria nisej drejt kufijve 
                            më të largët. Vetë fakti që 
                            e bënte lirisht këtë udhë tregon 
                            se ç'kockë e patretshme ishte ajo për 
                            makinën shkombtarizuese otomane dhe me ç'brumë 
                            të pavdekshëm që ngjizur. Siç 
                            thotë studiuesi ynë V. Sejko për këngët 
                            e largimit, ato ishin "këngë të 
                            vjetra shqiptare, që luftërat dhe rrebeshet 
                            kanë marrë nëpër këmbë 
                            e përplasur vend e pavend ashtu si rrungaja kur 
                            merr përpara lymin e arave që gërryen".
                            Në këngët e largimit, ato të mërgimit 
                            ushtarak (të nizamëve), janë ndër 
                            më të bukurat. Sipas shembullit të 
                            gjithë sistemit poetik popullor ato gjithashtu 
                            janë të plota në vetvete, një 
                            ushtarologji e vërtetë ku gjendet gjithçka 
                            që ka të bëjë me shërbimin 
                            e detyruar ushtarak duke u nisur nga shpallja e dekretit 
                            për mobilizimin, zyrat e rekrutimit, ndarja me 
                            të afërmit e nisja e rekrutëve dhe 
                            gjer te buka e kazermës, stërvitjet në 
                            rërat e përvëluara të Arabistanit 
                            dhe vdekja larg. 
                            Kjo enciklopedi e tërë dhimbjesh, kurorëzohet 
                            përzishëm me këngën e Urës 
                            së Qabesë, pa dyshim më të bukurën 
                            e këngëve të nizamëve dhe një 
                            nga margaritarët e rrallë jo vetëm 
                            të poezisë sonë, por të poezisë 
                            popullore botërore në përgjithësi. 
                            Teksti i saj i thjeshtë përbëhet nga 
                            fjalët e një ushtari që po jep shpirt 
                            diku në rërat arabike, pranë Urës 
                            së Qabesë, siç e tregon shkurt fillimi 
                            i vjershës. 
                          Mbeçë, more shokë, mbeçë
                            Përtej Urës së Qabesë
                          (A nuk është përtej jetës, në 
                            zonën e vdekjes, kjo "përtej Urës 
                            së Qabesë"?) Në dy rrjeshtat që 
                            pasojnë ka në njërin një dëshirë, 
                            në tjetrin një porosi:
                          Falëm me shëndet nënesë,
                            Kàun e zi le ta shesë.
                          Pra në pjesën e parë të këngës 
                            kemi një ushtar që po vdes, një nënë 
                            që po e pret mijëra kilometra larg dhe një 
                            kà të zi, që duhet të shitet 
                            menjëherë. Kjo shitje është porosia 
                            e parë e ushtarit që po vdes. Ai është 
                            i ndërgjegjshëm se me vdekjen e tij do të 
                            ndryshojë krejtësisht raporti ekonomik në 
                            familje. Ai në Jemenin e Afrikës dhe Kàu 
                            i zi në luginën e fshatit e kanë mbajtur 
                            gjallë gjer atëherë familjen. Tani 
                            ushtari po vdes, ndaj kàu duhet të shitet 
                            për të përballuar përkohësisht 
                            jetesën. Prandaj dhe vargjet janë të 
                            prerë, të kursyer, gati-gati të thatë 
                            si një kuitancë, pusullë e shkruar 
                            shpejt e shpejt përpara se dora të ngrijë.
                            Dhembja është e fshehur tani. Ajo pikon 
                            paksa vetëm tek folja "mbeçë", 
                            që përsëritet dy herë dhe të 
                            ngjyra e kàut. Kalimthi, gati-gati rastësisht, 
                            midis kësaj pusulle ekonomike poeti anonim ka 
                            hequr një penel, ku na kujton se objekti i shitjes, 
                            kàu, ka ngjyrën e zisë. Nënvizime 
                            të tjera s'ka sepse ato janë të panevojshme.
                            Kurse në pjesën e dytë të vjershës 
                            dhembja vërshon hapur.
                          Në pyestë nëna për mua
                            I thoni që u martua.
                          Vargjet kanë një brengë çjerrëse, 
                            por të tërthortë, të përzier 
                            me ironi, me një nënqeshje të ftohtë, 
                            tamam nënqeshje të vdekuri. Ç'mund 
                            të kishte ëndërruar më tepër 
                            një nënë shqiptare, që ka djalin 
                            ushtar në Jemen, veçse martesën e 
                            tij dhe ç'mund të ish më e kundërt 
                            se martesa se kjo shkretëtirë shterpë 
                            arabike, ku s'ka as hije, as drurë, pa le dasmë 
                            dhe riptodhim njerëzor. Në këtë 
                            përplasje të ëndrrës me realitetin 
                            qëndron tragjedia. Dhe ushtari vazhdon amanetin, 
                            ose më saktë antiamanetin e tij duke nisur 
                            çdo rrjesht me fjalët dërrmuese "në 
                            pyestë". Në qoftë se nëna 
                            do të kërkojë hollësira për 
                            dasmën e tij, atëherë përse tjetër 
                            mund të pyesë veçse për nusen, 
                            për kalin, për krushqit? Dhe ushtari i jep 
                            përgjigje për të tria:
                          Në pyestë se ç'grua mori
                            Tre plumba te kraharori,
                            
                            Dhe tani që nëna e mori vesh të vërtetën, 
                            le ta pijë kupën e helmit deri në fund, 
                            le të marrë vesh cili qe kali i dhëndërisë 
                            dhe cilët qenë krushqit e tij.
                          Në pyestë se ç'kalë hypi
                            Atje tek hypën meiti.
                          Dhe ja fundi i gjithçkaje dhe fundi i këngës:
                          Në pyestë se ç'krushq i vanë 
                            
                            Sorrat e korbat që e hanë.
                          Ata qe e dinë ç'është dasma 
                            shqiptare me nusen e bardhë si të qendisur 
                            me brymë e argjend, me veshjen e dasmorëve 
                            plot fustanella e mëngore e qeleshe të bardha 
                            gjithashtu, me orizin, kuajt, muzikat, këngët 
                            kristaline, vetëm ata mund ta marrin me mend 
                            se çdo të thotë që në vend 
                            të këtyre krushqëve e dasmorëve 
                            rrezëllonjës të jenë një 
                            grumbull korbash me krokamë.
                          Në këtë këngë flitet për 
                            vdekjen, por vdekja s'përmendet. Përkundërazi 
                            sundojnë fjalët martesë, grua, kalë, 
                            krushq. Ceremonia e dasmës dhe vdekjes janë 
                            të shkrira si në një plan të dyzuar. 
                            Dhe çuditërisht mbi "humorin e zi" 
                            sundon dasma. Me gjenialitet poeti anonim e ka ndriçuar 
                            zinë me dritë, për ta bërë 
                            jo më të lehtë, por më të 
                            përzishme. Nga drita dhe bardhësia dhembja 
                            është dyfishuar, trefishuar dhe kryesorja 
                            gjithçka është bërë më 
                            e vërtetë. Sikur të kishte mundësi 
                            që të krijohej një anketë me gjithë 
                            nënat shqiptare që kanë qarë djemtë 
                            e pamartuar, do të dilte se parafytyrimi i dasmës 
                            që nuk u bë, midis zisë dhe vdekjes, 
                            ka qenë me siguri më i përgjithshmi 
                            te ato. 
                            Përse i përket vendit ku mund të jetë 
                            krijuar kënga, në truallin brenda kufijve 
                            apo Jemenin e largët, apo në hapësirën 
                            midis Jemenit dhe Shqipërisë, kjo është 
                            vështirë të gjendet. Natyrisht, është 
                            më e besueshme që kënga të jetë 
                            e krijuar këtu, po s'përjashtohet mundësia 
                            që të jetë lindur edhe atje. Më 
                            tepër ka mundësi që pjesa e parë 
                            e këngës, ku flitet për shitjen e kàut 
                            të zi, të jetë krijuar në Jemen, 
                            kurse pjesa e dytë, ajo e dasmës makabre, 
                            në Shqipëri dhe koha i ka bashkuar vetvetiu 
                            të dyja. Te kjo hamendje të çon vetë 
                            përmbajtja e tekstit. Në pjesën e parë 
                            sundon zëri i ushtarit, brenga e tij, halli ekonomik. 
                            Në pjesën e dytë, pavarësisht 
                            se vazhdon të flasë ushtari, sundon dhembja 
                            e të tjerëve, kryesihst e nënës, 
                            për vdekjen e ushtarit. Në pjesën e 
                            parë halli ekonomik e superon dhembjen e vdekjes 
                            së njeriut, ndaj është më e besueshme 
                            që kjo pjesë të jetë krijuar prej 
                            ushtarëve shqiptarë në Jemen. Kurse 
                            në pjesën e dytë dhembja e vdekjes 
                            së njeriut e superon anën ekonomike, ndaj 
                            kjo pjesë mund të jetë krijuar në 
                            Shqipëri. Sepse s'ka se si të mendohet që 
                            njerëzit këtu, kryesisht nëna, pavarësisht 
                            nga mjerimi ekonomik, të fillonin këngën 
                            e trishtueshme pikërisht me shitjen e Kàut. 
                            Me një fjalë, në qoftë se vazhdojmë 
                            pandehmat, në secilën pjesë, secila 
                            palë mendon për tjetrën dhe jo për 
                            vetveten.
                            Megjithatë s'përjashtohet mundësia 
                            që ky lloj arsyetimi mund të jetë paksa 
                            metafizik, po të kemi parasysh se mekanizmi poetik 
                            popullor është tepër i komplikuar dhe 
                            ai ka aftësi të habitshme për të 
                            shkrirë kohërat, hapësirat dhe zëra 
                            brezash të tërë njerëzorë 
                            në poemat e tij. Kështu ka ndodhur ndoshta 
                            edhe me këngën e Urës së Qabesë.
                            Kjo këngë ka vetëm 12 rrjeshta. Në 
                            qoftë se ndonjë ditë popujt që 
                            kanë vuajtur dikur nën sundimin otoman, 
                            do të binin në marrëveshje për 
                            të ngritur një monument të përbashkët 
                            për kujtim të miliona bijëve të 
                            tyre të vdekur gjatë shërbimit ushtarak 
                            në ushtrinë shumëkobëshe osmane, 
                            vështirë se mund të gjendet një 
                            tekst më universal për t'u gdhendur mbi 
                            këtë monument se kënga shqiptare e 
                            Urës së Qabesë.