Martin Camaj

 

 


 

Proza

Martin Camaj e nisi prozën, ashtu siç thotë shkrimtari i madh francez Flober "në moshën e prozatorit", pra në prag të dyzetave. Djella, tregim në prozë e në vjershë, Romë 1958, është përpjekja e tij e parë, që do të pasohet me veprat: Rrathë, roman, Mynih 1978; Shkundullima, proza, Mynih 1981; Karpa, Romë 1987.
Romani Karpa e vendos subjektin në brigjet e lumit Drin në vitin 2338, ndoshta për këtë autori ka parapëlqyer ta quajë "Parabolë". Ky roman si dhe vëllimi me proza "Shkundullima" shquhet për një kërkim strukturor në rrënjët e zanafillave, jo vetëm si përsiatje e vazhdueshme, por edhe si gjuhë, në të gjitha dimensionet e saj. Pesë novelat e vëllimit "Shkundullima" janë zgjedhur prej shumë shkrimesh, sipas disa cilësish të përbashkëta, por ato kanë dhe ndryshime. Këto proza paraqesin dy mjedise: i pari lidhet me atmosferën në disa vise të Shqipërisë së Veriut, ku thellësia e bjeshkëve ndahet nga qafa malesh prej fushave të gjera. Ndërsa në tregimet "Shkundullima" dhe "Katundi me gjuhë të fshehtë" pasqyrohen brigjet bregdetare të Italisë së Jugut, treva ku jetojnë arbëreshët e lashtë. Edhe "Gjon Gazulli" anon nga ky mjedis. Ngjyra të përbashkëta janë kataklizmat natyrore, si shkundullima(tërmeti), apo rrëzumja e borës(orteku), që trandin një vend, ashtu si edhe vdekja ose prania e saj: mbarë këto dukuri i ndërrojnë faqe dheut e shoqërisë.
Nga veprat e tjera letrare të Camajt me interes të veçantë janë "Loja mbasdrekës" dramë Mynih, 1981; "Kandili argjandit", dramë, Kozencë 1983; Dranja, madngale, Mynih 1991.
Drama "Loja mbasdrekes" trajton disa shkaqe të shthurrjes së kanunit të Lek Dukagjinit nga fillimi i shekullit XX. Ajo u shkrua në atë mënyrë që të lexohet lehtësisht, thuaj si novelë, për t'u kuptuar drejtazi dhe pa u vënë në skenë.


1925 - 1992

Jeta dhe Vepra

Proza
Poezia
Analiza
Fragmente
Poezi
Motiv Arbëresh
Retë e Oqeanit
Fuqia e Konës
Motiv i Vjetër në Kthim
Hoqa Fletën e Librit të Parë