Martin Camaj

 

 


 

Poezia

Martin Camaj është poet lirik me forma e përmbajtje moderne, me faza të ndryshme të krijimtarisë poetike dhe kjo nga shkaku, sepse ka kaluar nëpër kultura të ndryshme. Gjatë qëndrimit në Jugosllavi e Kosovë do të botojë njëri pas tjetrit dy vëllimet e para me poezi "Një fyell ndër male", Prishtinë 1953 dhe "Kanga e vërrinit" Prishtinë 1954. Në Itali vëllimin Legjenda, Romë 1964 dhe në Gjermani librat e fundit poetikë "Lirika mes dy moteve", Mynih 1967, "Njeriu më vete e me të tjerë", Mynih 1978, "Poezi 1953-1967", Mynih 1981.
Dy vëllimet e para të Camajt të botuara në Prishtinë frymëzoheshin nga motivet e vendlindjes dhe ishin në frymën e së ashtuquajturës "Shkollë letrare e Shkodrës", pjesë e së cilës u bë dhe ai.
Në përmbledhjet "Legjenda dhe lirika mes dy moteve" Camaj dëshmon me të gjitha mjetet stilistike e estetike të gjendurit nën ndikimin e poezisë hermetike. Ky ndikim lidhej me kohën studentore në Romë, kur Camaj kishte profesor poetin e madh hermetik Xhuzepe Ungareti.
I ndjeshëm tej mase ndaj motiveve të vendlindjes e fëmijërisë ai në gjithë poezinë e tij përpiqet të universalizojë elementet thellësisht shqiptare, si peisazh, mitologji, mentalitet e karakter. Pjesa më e rëndësishme e poezive të Camajt i është bërë e njohur edhe lexuesit të huaj me anë të botimeve "Poesie", Palermo 1985; Selected poetry, Nju Jork 1990; Palimpset, Nju Jork 1991; Gedichte, Mynih 1991.
Jo vetëm po të nisemi nga vendet e botimit, por mbi të gjitha nga mënyrat e ligjërimit poetik, stilit dhe frymës, mund të vihen re qartazi tri faza të krijimtarisë poetike veçanërisht e letrare përgjithësisht të Martin Camajt:
Faza kosovare (ose klasike)
Faza italiane (ose paramoderne)
Faza gjermane (ose moderne)
Të tria këto faza kanë lënë shenja të qarta në krijimtarinë e tij:
Në fazën e parë ndihet mbështetja e fuqishme në mjetet shprehëse tradicionale e folklorike. "Mali e vërrini" përbëjnë botën rreth të cilës sillet e rreh nervi poetik.
Në fazën e dytë kemi pasurimin e elementeve shprehëse me struktura më të komplikuara gjuhësore, duke mos iu larguar kurrësesi tharmit të motiveve vendase.
Në fazën e tretë motivi vendas mitizohet, "thahet" e shndërrohet në një substancë me esencë të fortë.
Nga njëra tek tjetra arti i tij bëhet përherë e më formal larg strukturave tredicionale e ideve të ditës dhe synon të bëhet universal.


1925 - 1992

Jeta dhe Vepra

Proza
Poezia
Analiza
Fragmente
Poezi
Motiv Arbëresh
Retë e Oqeanit
Fuqia e Konës
Motiv i Vjetër në Kthim
Hoqa Fletën e Librit të Parë