Martin Camaj

 

 


 

Mosha e Qenit apo Ditëlindja

Kremtuem gjith natën i ri e i vjetër kohën
që vdiq e vrame në mue.
E thanë: askush s'do të lypi gjak
për të.

Ajo nuk ishte festë, por drekë!

Në mëngjes mbas dere qentë
me sy keqardhës e të butë
nuk pritshin eshtna, por mue
me u nisë me ta shtigjeve bri lumit
teposhtë.
------------------------------------------------Koment
Është një ndër poezitë më të bukura e njëkohësisht më private të Camajt. Çasti i festimit të ditëlindjes së një burri të vjetër, që fatalisht ve re se koha, do të thotë jeta, ka mbetur e vrarë brenda tij, përbën frymëzimin tragjik të poezisë. Ai s'di kë të akuzojë për vrasës të kohës së vet, vrasësi ka mbetur anonim, ndaj dhe s'ka se kush të pagujë gjakun. Në këto rrethana afërsia me qenin bëhet sa e dhimbshme aq dhe humane.
Koha i ka ngrënë gjithçka këtij personali subjektiv, e ka nxjerrë kockë e lëkurë. Simboli i lumit që e pret në fund të poezisë mund të lexohet edhe si vijimi i jetës së pasosur, por edhe si caku që ndan dy jetët e prej kah nis bota tjetër. Poezia duket sikur s'ka fund. Gjithçka i lihet në dorë lexuesit, vazhdimi, përparimi i paskaj, finalja e imagiinuar.
Me mjete thellësisht hermetike, ku fjala e zhveshur nga cilësorët e panevojshëm qëndron si monument, gur i rëndë në vendin e vet, përveçse flet në mënyrë të drejtpërdrejtë, më së shumti sugjeron kuptime e imazhe.


1925 - 1992

Jeta dhe Vepra

Proza
Poezia
Analiza
Fragmente
Poezi
Motiv Arbëresh
Retë e Oqeanit
Fuqia e Konës
Motiv i Vjetër në Kthim
Hoqa Fletën e Librit të Parë