Martin Camaj

 

 


 

Elegji e Parë

Ku kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa 'i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze, për mue
të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i gatuem për flije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qysh kur.

Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiq im atë, premë dy qe
me ngimun të unshmit e thneglat e lamit
me grimca buke.
Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë
të ngishëm,
prandej ndër drekët e mija qitni
vetëm kafe të idhta.
---------------------------------------------------- Analizë
Me këtë poezi ndoshta nis epoka e pjekurisë artistike të Camajt drejt modernitetit, gjuhës së kursyer dhe të shumëkuptimshme. Si në shumë poezi të tjera edhe këtu ndjehet ankthi i ndeshjes së dy kohëve dhe hapësirave: Fëmijëria në malësitë e Shqipërisë dhe së fundi vdekja në malësitë e Gjermanisë së jugut. Duket se autori drejton dy amanete njëherësh: një në atdheun e largët (Tazes) dhe një në vendbanimin e përkohshëm (Gruas). Do të jenë dy ceremoni mortore në të njëjtën kohë: një në Dukagjin me plakat dhe elementet e tjera autoktone dhe një tjetër në mërgim mes njerëzve
gjithmonë të ngishëm.
Poezinë e zotëron një ndjeshmëri e madhe muzikore dhe ritmike dhe pse e shkruar me vargje krejtësisht të lira e me struttura tregimtare.
Ajo është një elegji moderne, ku elementet autoktone dhe primi-tive tentojnë të universializohen e të bëhen të kuptueshme për të gjithë. Ky në përgjithësi është dhe çelësi i gjithë poezisë së Camajt.


1925 - 1992

Jeta dhe Vepra

Proza
Poezia
Analiza
Fragmente
Poezi
Motiv Arbëresh
Retë e Oqeanit
Fuqia e Konës
Motiv i Vjetër në Kthim
Hoqa Fletën e Librit të Parë