Martin Camaj

 

 


 

Mbramja ashtë Larg

Mbramja ashtë larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve

e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.
Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell.
---------------------------------------------Koment
Poezia është e ndërtuar me një lirizëm të thellë, të fshehur prej trajtash tregimtare. Një ëndërr erotike mes dy njerëzve larg njëri-tietrit, që një lumë dhe një mbrëmje imagjinare i ndan. Janë dy botë të ndryshme larg në hapësirë, por edhe në kohë. Kujtimi i një krijese femërore i sillet poetit në krye, një krijesë pa formë a trajtë, e ngjashme me një frymë a shpirt (që ka motër heshtjen) e që jeton diku në gji të natyrës. E ky për vete në një botë tjetër, të mekanizuar, me tram (treni i metrosë).
E gjitha është një ëndërr që i vjen poetit prej kujtimeve të vjetra të rinisë. Ndjehet i pamundur, por edhe i paepur deri në fund (i lëshon vendin një më të vjetri). E vetmja gjë që ka mbetur është heshtja krijuar prej kohës dhe hapësirës, heshtje krijuar nga numërimi i gjurmëve të diellit nëpër qiell.
Edhe kjo një poezi hermetike, e vështirë për një lexim klasik, sugjeruese dhe sugjestionuese, ku fryma e mban në këmbë si njësi unike, e ku vargjet synojnë të jetojnë në vete e për vete.


1925 - 1992

Jeta dhe Vepra

Proza
Poezia
Analiza
Fragmente
Poezi
Motiv Arbëresh
Retë e Oqeanit
Fuqia e Konës
Motiv i Vjetër në Kthim
Hoqa Fletën e Librit të Parë