Ismail Kadare

 

 


 

Malli i Shqipërisë

Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë
Sonte, kur po kthehesha me autobuz,
Tymi i cigares "Partizani" që pinte dikush
Dridhej, kaltëronte bënte spirale,
Sikur të fshehta më thosh me gjuhën e shqiptarëve
Mua bashkëatdhetarit

Të shikoj dua mbrëmjes në rrugët e Tiranës,
Ku kam bërë dikur ndonjë marrëzi.
Dhe në rrugët ku s'kam bërë marrëzi.
Me njohin ato porta të vjetra të drunjta,
Inatin akoma do ta mbajnë,
Kokën do ta tundin,
Po unë s'do ta marr për keq,
Se malli më ka marrë.

Dhe t'eci rrugicave plot gjethe të thara
Gjethe të thara gjethe vjeshte,
Për të cilat krahasimet gjenden aq lehtë.

Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë;
Për atë qiell të madh, të gjerë e të thellë,
Për vrapin e kaltër të dallgëve adriatike
Për retë që në muzg si kështjella digjen,
Për alpet mjekërbardha e mjekërgjelbra,
Për netët e najlonta që nga flladet fërgëllojnë,
Për mjegullat që si indianë të kuq
muzgjeve shtegtojnë.

Për lokomotivat e kuajt,
Që të djersitur avullojnë e hungërojnë,
Për qiparisat, kopetë, e varret
Malli më ka marë, malli më ka marë,
për shqiptarët.

Më ka marë malli e së shpejti vij atje
Duke fluturuar mbi mjegullat si mbi dëshira,
Sa i largët, aq edhe i dashur je, Atdhe.

Aerodromi do të dridhet nga uturima
Mjegulla do të rrijë pezull mbi humnera.
Ata që shpikën shpejtësinë reaktive
Larg Atdheut sigurisht do të kenë qenë
ndonjëherë.


1936

Jeta dhe Vepra

Analiza
Poezi
Kronikë në Gur
Përbindëshi
Nëpunësi i Pallatit të Ëndërrave
Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur
Qyteti pa Reklama