Azem Shkreli

 

 


 

Lirikat e Para

Vendlindja, natyra dhe njeriu i Rugovës së Dukagjinit, portreti shpirtëror i tij, do të jenë frymëzimi kryesor i poezisë së Azem Shkrelit të shtrira brenda viteve gjashtëdhjetë. Frymëzimi që ngjizet mbi këtë hapësirë e që është kthim i shpeshtë i poetit, nuk është konvencional e aq më pak pozë: nuk ka në të patetikë malli dhe mallëngiimi që djeg, "më të bukurin vend"... Bota e vendlindjes së poetit është e pranishme si botë e njerëzve, si besim dhe parim etik, si ashpërsi dhe krenari, si individualitet i papërsëritshëm me hapësirat e tjera, si filozofi jetësore, si raport ndaj lindjes, jetës, vdekjes, dashurisë, si raport ndaj dasmës dhe festës, ndaj punës dhe natyrës, ndaj zotit dhe, sidomos ndaj fjalës. Në këtë frymë janë poezitë e ciklit "Këngë për vete" të shkruara në fund të viteve pesëdhjetë dhe që, së bashku me një tufë poezish të tjera, do t'i emërtojmë si autoportret poetik.
Tek poezitë e ciklit "Dukagjinçe" mund të përmendim disa poezi portrete të vendlindjes që shënojnë kulmin artistik të poetit si: "Dukagjinge", "Vdekja e Malësorit", "Bregu i mollës", "Shkëmbi", "Lumi" etj. Te poezia "Vdekja e malësorit", përmes përqasies poetike vihen pranë e pranë tri majat: e malit, e lisit dhe e Malësorit. S'ka lot, s'ka kujë në këtë vdekje, se atëherë rrëzohen lisat, shemben majat dhe shterrin krojet. Dhe, s'ka vdekje këtu: vetëm se harroi perëndimin dita në sytë e Malësorit, ndërsa mendimi i vrugët dhe i ftohtë ndër vetulla, është ai që shquhet. Ndërsa poezia "Bregu i mollës" edhe si strukturë vargu, si frymëzim dhe poetikë, është realizuar fare ndryshe nga poezia e mësipërme. Ajo është konceptuar si një rrëfim që rrjedh përnjëherë dhe furishëm, thuajse pa të lënë rast të marrësh frymë. Eshtë njëri nga kthim-kërkimet më dramatike të poetit pas gjurmëve të dikurshme që, përfundimisht i ka fshirë koha. Të pashlyera, të njëjta në atë kthim janë vetëm retë shtegtare, të përjetshme në shtegtimin e tyre, sfiduese përballë shtegtimit kalimtar, përballë gjurmëve të fshira pamëshirshëm. Në këtë kontekst mund të përmendet dhe poezia "Lumi", i cili sikur merr pjesë në këtë komplot kundër poetit, po dhe ai fsheh diç të kaltër dhe të urtë në thellësitë e veta, por që s'do ta thotë. Nga vargjet e poezisë "Shkëmbi" reflekton njëjëzimi maksimal në mes të portretit, natyrës së vendlindjes dhe individualitetit të Unit lirik.


1938 - 1997

Jeta dhe Vepra

Hyrje
Lirikat e Dashurisë
Lirikat Atdhetare
Lirikat Refleksive
Poetika

Analiza

Poezi

Dhjatë e Re
Vdekja e Malësorit
Sogje
Liqeni
Nata në Kështjellë
Bregu i Mollës
Dukagjinçe
Këngë Vrugët
Kafsha e Zezë
Motive të Verdha
Psalm për Kosovën
Përshëndetje me Miq