Azem Shkreli është një 
                            nga lirikët më modernë në llojin 
                            e poezisë patriotike. Nuk ka eufori në atë 
                            poezi, as përbetime e dëshmi atdhetarizmi 
                            që, në këtë fund shekulli janë 
                            aq me tepricë në poezinë tonë. 
                            Brenda këtij harku tematik poeti me guxim denoncon 
                            cenet dhe veset shqiptare, dje dhe sot, duke e ruajtur 
                            besimin në substancën e shëndoshë 
                            të qenies. Ndjenja e atdhedashurisë shtrihet 
                            gati në tërësinë e veprës 
                            poetike të Azem Shkrelit. Ajo dallohet thekshëm 
                            tek frymëzimet poetike të ngjizura nga drama 
                            kosovare dhe shqiptare, sidomos të viteve nëntëdhjetë. 
                            Në këtë tematikë sidomos shquhen 
                            dy veprat e fundit të poetit, "Lirikë 
                            me shi" dhe "Zogj dhe gurë". Nga 
                            tërësia e vargjeve atdhetare reflektohet 
                            një urti e thithur nga e kaluara, nga tradita 
                            dhe lashtësia historike, nga bota shpirtërore 
                            kolektive, që i sfidon krizat aktuale morale 
                            dhe shpirtërore të shqiptarëve.
                            Si poezi atdhetare, pjesërisht mund të konsiderohen 
                            edhe ato përsiatëse, të llojit "Meshë" 
                            apo "Dhiatë e re". Tek e para përmes 
                            një loje fjalësh që, vetëm duke 
                            i ndërruar vendet, tek tri vargjet e poezisë, 
                            shquhet zëri, në frymë biblike, i vendosur, 
                            i prerë në mbrojtje të Dheut dhe qëndrimi 
                            shpirtëror e intelektual i poetit ndaj tij. Ajo 
                            që e dallon poetin nga shumica e autorëve 
                            të lirikës patrioktike aktualisht është 
                            ndjenja ndaj fjalës dhe e shqiptimit poetik të 
                            përmbajtur në emocione; është 
                            ndjenja e masës, ndjenja për të mos 
                            u rrëmbyer nga brohoritja kolektive në çastet 
                            dramatike për fatin e kombit, siç janë 
                            vitet nëntëdhjetë. Këto tipare 
                            sidomos shquhen tek vëllimi i parafundit i poetit 
                            "Lirikë me shi". Në këtë 
                            kontekst, do të veçojmë poezinë 
                            e poetit të lënë në dorëshkrim 
                            e që lidhet me ngjarjet e pranverës shqiptare 
                            të vitit 1997: "Këngë e turpshme".
                            Cikli i kësaj lirike, në këtë 
                            përzgjedhje prezantohet me poezitë "Psalm 
                            për Kosovën", "Origjina", 
                            "Arkeologji", "Meshë", "Sogje", 
                            "Zgjim", "Motiv optimist", "Ndërtimi 
                            i kullës", të cilat dallohen për 
                            shtresime të rralla gjuhësore e poetike.