Sikur erdhën, panë e bënë 
                            e shkuan
                            Do bjerë edhe mbi ne njëherë këmbona
                            Vinë të etur tjerë. Njësoi afshëm 
                            duan
                            S'jemi ne. Por nuk mungon e jona
                          Thot njeriu dhe zbret i urtë ndër bimë
                            Djalli e di se në ç'vend u poqën 
                            të parat
                            Pemë të mendimit të mirë. Me urtinë
                            E kësaj dhjate ne stërpikim arat
                          Shollit të ditës s'i duhet spermë 
                            komete
                            Ky lloj Shën Njeriu don bibël të re
                            Një fe tjetër. Fe besimi në vete
                            Amen. Koha jonë s'guxon të kohosh pa ne
                          
                            ---------------------------------------------------
                            Kjo poezi brenda tri katrenave të rimuara artikulon 
                            një mozaik refleksesh mendore dhe emocionale. 
                            Këtu rrezaton ideja e vazhdimësisë 
                            së vlerave njerëzore, si dhe prania e tyre 
                            në përjetshmëri: S'jemi ne (nuk do 
                            të jemi ne një ditë) thotë poeti; 
                            por nuk mungon e jona (nuk do të mungojë), 
                            pra fjala është për veprat, bëmat 
                            njerëzore. Por vepra e madhe nuk mund të 
                            lindë përnjëherë dhe aq më 
                            tepër në boshësi. Vepra e madhe ka 
                            një lidhje sinonimike me mendimin e mirë, 
                            i cili dhe ai arrihet shkallë-shkallë, ngjizet 
                            ashtu i mirë që në embrion dhe zhvillohet 
                            vit pas viti, shekull pas shekulli, epokë pas 
                            epoke. Poeti kalon madje dhe në një mendim 
                            tejet të guximshëm. Ai mohon biblën 
                            (të kaluarën) në emër të 
                            së tashmes, e cila domosdoshmërisht kërkon 
                            një koncept të ri, një mënyrë 
                            jetese të re. Po ky mohim nuk është 
                            absolut, por një urë që lidh të 
                            tria kohët njerëzore dhe universale: të 
                            shkuarën, të tashmen, të ardhmen. Poezia 
                            mbyllet me një përbetim solemn (paçka 
                            se ka brenda farën e kërcënimit), Koha 
                            jonë s'guxon të kohosh pa ne ... Dhe nënvetëdijshëm 
                            lind
                            pyetja: Apo ne do ta lemë kohën të 
                            na shkasë nga duart ?.
                            ----------------------------------------------------