Fatos Arapi

 

 


 

Ditë Tiranase

Ti mbyll derën pas e nisesh
Në mesin e rrugës takon ditën
Që të pyet e hutuar: - Nga të shkoj?
Shpresën e ushqejnë me shpresë, -
Pastaj shpresës i vrasin shpresën.
Vetëm pasqyrat ndryshojnë,
Teknologjia përsosëse e tyre, -
Fytyrat janë po ato.
Jo, ti, - hija jote shkrin në gotën me ujë
Diellin dhe kokrrën e aspirinës, -
Ke dhimbje të forta koke.
E di: zembereku i zemrës sime
Eshtë pluhurosur , - kur do të vijë Ajo,
Me frymën e saj t'i fryjë,
Të ndjej ecjen tingëlluese të kohës.
Në qiellin e Tiranës, një unazë e zjarrtë
Fluturon nga syri në sy -
Kërkon gishtin e nuses.
Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej,
Dhe marsi eci para meje.
Të paktën, o zot, akoma jemi njerëz
Respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.

---------------------------------------
Kjo poezi mban datën e vitit 1997. Poezia ka 22 vargje monokolonë dhe është shkruar si apostrofim i vetës së dytë, pra është zëri i subjektit lirik që bën dialog të brendshëm. Poeti përcjell zëshëm lëvizjen e vet tek kapërcen pragun e shtëpisë për të dalë në qytet. Ky është veprimi i parë. Veprimi i dytë është ballafaqimi me rrugën, realitetin. Hutimi, gjendja pa kuptim, pa krye të godet: S'di nga të shkoj! Veprimi i tretë është zhgënjimi: kostatimi se pasi të kanë ushqyer me shpresë, ta vrasin atë. Papritmas kemi një lajthitje, një përçartje nga dhimbja e kokës: shërohet me diell apo aspirinë? jashtë çdo vullneti mekanikisht ndodh lëvizja brenda poetit. Ai bëhet i vetëdijshëm se zembreku i orës është pluhurosur, ashtu si zembreku i kohës së Atdheut të tij. Po ama megjithë shpresën e vrarë, qytetari tiranas përsëri ka aftësinë të shpresojë: A do të vijë Ajo? Për një çast të duket se është fjala për një të dashur, mbase dhe është ashtu, dhe a ka më të dashur për një shtetas shqiptar të presë kohën e mirë për veten. Dhe prapa shpinës së tij hapet një dekor shpresëdhënës, i realizzar ky me figura të goditura simbolesh: Unazë e zjarrtë, gishti i nuses, gonxhe, zambak, dallëndyshe. Kështu poezia mbyllet me një vetëngushëllim tragjik, si për të theksuar se nuk është koha më të gënjejmë vetveten, aq më tepër me poezi.
-----------------------------------------------------


1923 - 1979

Jeta dhe Vepra

Analiza
Poezi