Fatos Arapi

 

 


 

Atdheu

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban - dhe të mban ty - në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s'e ke ndën këmbë
Atdheu s'ka fjalë, ka sy të trishtuar
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

Atdheu është buka e urritur,
të ikën nga duart e dot nuk e ngop
ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
me sytë n'errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë
Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli,
Ai hyjnori i pavdekshmi - loti.

------------------------------------------
Poezia Atdheu ka katër katrena dhe një distik të pavarur në fund. Struktura e saj e veçantë është në lidhje me tendosjen emozionale, që e bën fare të ndryshme këtë poezi nga ajo pjesë që emërohet si lirikë atdhedashurie. Të gjashtëmbëdhjetë vargjet e katrenave sistemohen si njësi të mbyllura, të pavarura, që përfundojnë me pikë, të cilën e imponon goditja shpirtërore dhe intelektuale e poetit në ballafaqim me gjendjen e atdheut. Secili varg s'ka nevojë për atë që pason dhe megjithatë ata pasojnë njëri-tjetrin si goditjet që pëson nga realiteti poeti. Brenda secilës goditje ndjehet e ngjeshur si përzierje shija e hidhur dhe e ëmbël që reflekton Atdheu, ledhatimi dhe kafshimi, nëma dhe urata bashkë, përgjërimi dhe revolta, dënimi dhe shpërblimi përherë i ndërsjelltë. Përmes vargjeve të kësaj poezie arrihet identifikimi i fuqishëm i brendshëm i poetit dhe i Atdheut: Atdheu është kryqi që e mban dhe të mban mbërthyer; Eshtë hyjnori Atdhe dhe Atdheu varr i hapur. Deri kur kështu? është klithma e fuqishme e të kryqëzuarit, poetit atdhedashës.
------------------------------------------------


1923 - 1979

Jeta dhe Vepra

Analiza
Poezi