Lasgush Poradeci

 

 


 

Durimi


Tashi me gas, tashi me lot,
Tashi dhe nj'herë,
Duro durimin si për-mot
E si përher.

Mendo mendimin zemërak,
Ndaj vjen të sjellë
Sa leu e zjeu e shfreu me gjak
Në zemër fellë;

Sa pati shkrirë aq ëmbëlsi
Dyke kënduar,
E vaj e zi e shkrumb e hi
Të pambaruar;

Dyke përflakur plot me gas,
Plot afsh të ndritur,
Një mall të math që më vjen pas,
Kujtim-zhuritur;

Vjen ku përplaset përmi dhé,
Nër ulërimë,
e greminuar si rrufe,
Kjo jeta ime;

Ku mban shtrëgatën me sa mund,
Dhe kësaj radhe,
E hapur krejt, gjer mu në fund,
Ah plag'e madhe;

Fund e gjehenë e ang i zi,
Jetë pas jete,
Yll-dashuri! Hon-lemeri
Që mbaj me vete!

Edhe mendoj mendim me lot,
Me përvëlime,
Duroj durim të mbushur plot
Me zemrën t'ime.



1899 - 1987

Jeta dhe Vepra

Hyrje

Analiza

Poradeci
Dimër
Malli
Shpirtit
Syt' e lumtur
Je ulur fort
Dora jote ledhatarja
Pamja
Përse të dua
Zemra
Durimi
Gremina
Vdekja e Noisit
Ç'u mbush mali
Lodra e Dashurisë
Kujtimi
Mitrush Kutelit
Dëgjimi i zemrës
Ku vemi shpesh
Ku shtrohet vala
Sytë e tu vetëtimtarët
Vallja e Yjve
Kur të më jesh e zemëruar
Gjarpërushja
Kush ta fali Bukurinë
E mora shoqezën përkrah
Kur në flakë