Është tragjedia e tretë 
                            në vazhdimësi kohore, me temë nga cikli 
                            mitologjik teban. Ajo nis aty ku mbaron vepra e Eskilit 
                            "Të shtatët kundër Tebës". 
                            Mbas vrasjes së dy vëllezërve Eteoklit 
                            dhe Polinikut në dyluftim me njëri-tjetrin, 
                            në Tebë bëhet mbret Kreonti. Ky jep 
                            urdhër që Poliniku dhe të tjerët 
                            që luftuan kundër atdheut, të mos varrosen, 
                            këtu zë fill konfliki ndërmjet Antigonës 
                            që mbron ligjet e pashkruara të ndërgjegjjes, 
                            të lidhjes së gjakut me të vëllanë, 
                            dhe Kreontit, që mbron ligjet e shkruara të 
                            shtetit. Urdhërit të Kreontit se do të 
                            dënojë me vdekje cilindo që do të 
                            guxojë të varrosë Polinikun e shpallur 
                            tradhtar, i kundërvihet Antigona, e cila, pa 
                            marrë parasysh asgjë, e varros të vëllanë. 
                            Kreonti, duke mbajtur në duar trupin e djalit 
                            të tij të vrarë, dhe dërrmuar 
                            shprtërisht e në valën e dëshpërimit, 
                            i lutet vdekjes ta marrë.
                            Për të kuptuar rëndësinë 
                            e konfliktit në tragjedinë "Antigona", 
                            duhet pasur parasysh mendësia e botës së 
                            lashtë, për të cilën të varrosje 
                            të vdekurin ishte një detyrë e shenjtë 
                            fetare, përndryshe shpirti i tij do të endej 
                            poshtë e lart pa gjetur kurrë prehje. Moment 
                            tjetër në këtë çështje 
                            është detyra familjare, dashuria e motrës 
                            për të vellanë.
                            Por edhe Kreonti si sundimtar ka të drejtë 
                            të kërkojë nga qytetarët të 
                            nderohen dhe të ruhen rregullat dhe ligjet e 
                            shtetit. Nga ky këndvështrim e dënon 
                            tradhëtinë ndaj atdheut. Jo rrallë 
                            kori në tragjedi e qorton Antigonën për 
                            vendimin që ka marrë, por më shumë 
                            dënon Kreontin. Hemoni i thotë të atit 
                            se populli mban anën e Antigonës. Kreonti 
                            i përgjigjet të birit me kryeneçësi: 
                            "Mos vallë populli kërkon/ të 
                            më imponojë vullnetin?". Sofokliu në 
                            këto fjalë shikon te Kreonti një mbret 
                            autokrat dhe tiran, një sundimtar arrogant që 
                            shkel me këmbë mendimet dhe ndjenjat e shenjta 
                            të qyetetarëve. Kreonti nuk është 
                            sundimtari që i përgjigjet frymës demokratike 
                            të epokës kur jetoi poeti.
                            Sofokliu është për ruajtjen dhe nderimin 
                            e ligjeve të shkruara shtetërore, por në 
                            atë kufi sa të mos cënojnë ligjet 
                            e pashkruara morale e zakonore, të rrënjosura 
                            thellë që së lashti në ndërgjegjen 
                            e njerëzve.