Pas fitores së Belgradit që 
                            korri Huniadi më 14 korrik 1456 ajo e Skënderbeut 
                            në Albulenë qe fitorja e dytë e madhe 
                            që korrën popujt ballkanike kundër 
                            Fatihut, pas rënjes së Kostandinopojes. 
                            Të dyja këto fitore ngjallën shpresa 
                            të mëdha në opinionin publik evropian. 
                            Njerëzit më përparimtarë të 
                            kohës e kuptonin se ishte koha më e volitëshme 
                            për të grumbulluar forcat e përbashkëta 
                            në luftën kundër turqve. Tani emri 
                            i shqiptarëve ishte bërë popullor në 
                            të gjitha vendet e Evropës. Vullnetarë 
                            të huaj nga vende të ndryshme erdhën 
                            në Shqipëri dhe hynë në radhët 
                            e ushtrisë shqiptare që konsiderohej një 
                            nga ushtritë më heroike të kohës. 
                            Me vdekjen më 1456, të kapitenit të 
                            lavdishëm hungarez Janosh Huniadit, Skënderbeu 
                            u bë figura kryesore evropiane e luftës 
                            kundër turqve. "Invazioni i Evropës 
                            - shkruante atë vit kalorësi anglez Njupor 
                            - është i sigurtë, sepse s'ka fuqi 
                            tjetër që mund ta bëjë këtë 
                            rezistencë, po të bjerë kështjella 
                            shqiptare>. Kërkesat që dilnin nga njerëzit 
                            largpamës për formimin e një koalicioni 
                            evropian, e nxitën papën, që rrezikohej 
                            të humbiste pozitat e fundit të kishës 
                            katolike në Ballkan, të lëshonte qysh 
                            më 1457 idenë për organizimin e një 
                            kryqëzate kundër turqve. Një vend të 
                            rëndësishëm në këtë 
                            kryqëza-të do të zinte edhe Skënderbeu, 
                            të cilit papa i dha atë vit titullin e lartë 
                            të "kapitenit të përgjithshëm 
                            të Selisë së shenjtë". Por 
                            thirrja e papës për kryqëzatë 
                            nuk gjeti gadishmërinë e menjëherëshme 
                            të shteteve evropiane. Veç kësaj 
                            vetë papa Kalisti i III nuk e kishte marrë 
                            seriozisht organizimin e saj.
                           Fitorja e Albulenës i dha rast Skënderbeut 
                            të bënte përsëri përçapje 
                            pranë Napolit, Romës Venedikut, Raguzës,Hungarisë 
                            dhe disa shteteve italiane për të ndihmuar 
                            rezistencën shqiptare. Ambasadorët shqiptarë 
                            që dërgoi Skënderbeu i ftuan sundimtarët 
                            e këtyre vendeve to hiqnin dorë nga grindjet 
                            vjetra dhe të bashkoheshin me shqiptarët 
                            në luftën kundër turqve. Por edhe këtë 
                            radhë ata nuk i dëgjuan thirrjet e Skënderbeut; 
                            ata dërguan në Shqipëri vetëm 
                            ndihma të parëndësishme në të 
                            holla së bashku me mesazhe përgëzimi 
                            për Skënderbeun.
                           Kërkesat gjithnjë më këmbëngulëse 
                            për një kryqëzatë kundër 
                            turqve, e bënë papën e ri, Piun e II. 
                            të vihej më seriozisht në krye të 
                            kësaj fushate me të cilën ai kishte 
                            gjithashtu për qëllim t'ia largonte vemendjen 
                            opinionit publik nga kërkesat për refor-mën 
                            e kishës që po përhapeshin me sukses 
                            në gjithë Evropën. Me inisiativën 
                            e tij u organizua më 1459 në Mantova një 
                            kongres në të cilin morën pjesë 
                            përfaqësuesit e sundimtareve kryesorë 
                            të Evropës. Në kongres u vendos të 
                            ndërmerrej një ekspeditë ndërkombëtare 
                            kunder turqve. Këtë radhë u duk sikur 
                            edhe Republika e Venedikut do të hiqte dorë 
                            nga politika miqësore gati 30 vjeçare 
                            me sulltanin, sepse ajo kishte filluar t'i trembej 
                            rritjes së fuqisë detare të Turqisë 
                            që vinte në rrezik zotërimet e saj 
                            në Egje. Në Romë dhe Venedik filluan 
                            të hartoheshin plane, sipas të cilave do 
                            të hapeshin tri fronte kundër Turqisë. 
                            Në frontin qëndror do të vepronin forcat 
                            shqiptare bashkë me forcat frënge të 
                            Dukës se Burgonjës. Në frontin e Danubit 
                            do të vepronin hungarezët, kurse në 
                            Greqi dhe në det do të vepronte flota e 
                            shteteve italiane. Për të lehtësuar 
                            këto veprime u vendosën lidhje edhe me sundimtarin 
                            e Turkmenisë, që ishte në luftë 
                            me fehmetin a II dhe me atë të Karamanisë 
                            në Azinë a Mogël, i cili përpiqej 
                            të çlirohejj nga vartësia e sulltanit.
                           Por përgatitjet e koalicionit po bëheshin 
                            jashtëzakonisht ngadalë për shkak të 
                            mosmarrëveshjeve që ekzistonin midis pjesëmarrësve. 
                            Ndërkohë, Mehmeti i II nisi po atë 
                            vit në Shqipëri një ekspeditë 
                            tjetër turkë, kundër së cilës 
                            Skënderbeu korri një fitore të re. 
                            Pas kësaj disfate, Mehmeti i II i propozoi Skënderbeut, 
                            me anën e rojeve kufitare turke, që të 
                            lidhnin paqë. Me shpresë të kryqëzatës, 
                            Skënderbeu nuk e pranoi paqën. Por kur më 
                            1460 e pa se kryqëzata po vonohej Skënderbeu 
                            e pranoi kërkesën e sulltanit dhe, me gjithë 
                            zemërimin e papës, lidhi me të një 
                            armëpushim prej 3 vjetësh.
                           Armëpushimi ishte i domosdoshëm per shqiptarët, 
                            të cilët kishin nevojë të çlo-dheshin 
                            dhe të shëronin plagët e shkaktuara 
                            nga luftat 15 vjeçare. Nga ana tjetër, 
                            armëpushimi i dha mundësinë Skënderbeut 
                            t'i vinte në ndihmë aleatit të tij, 
                            Ferdinan-dit, mbretit të Napolit.
                           Ferdinandi, biri i Alfonsit të V që kishte 
                            vdekur më 1458, ndodhej në rrezik nga kryengritja 
                            e baronëve të Italisë së jugut, 
                            të cilët ishin bashkuar me princin Rene 
                            të Anzhuinëve që pretendonte fronin 
                            e Mbretërisë së Napolit. Skënderbeu 
                            kishte interes që në Italinë e jugut 
                            të fitonte aleati i tij, që përkrahej 
                            edhe nga papa, prej të cilit shpresonte të 
                            merrtë pastaj ndihmat e nevojëshme kundër 
                            turqve. Per këtë arësye, ai i dërgoi 
                            në ndihmë aleatit të vet, më 1460, 
                            një kontigjent kalorësish shqiptarë 
                            duke i premtuar se së shpejti do të vinte 
                            edhe vetë. Një nga kundërshtarët 
                            e Ferdinandit, Xhiovani Antonio Orsini, princi i Tarantos, 
                            me një letër që i drejtoi Skënderbeut 
                            më 10 tetor 1460, u përpoq ta bindëte 
                            që të hiqte dorë nga ekspedita në 
                            Itali. Ai kërkonte t'ia mbushte mëndjen 
                            Skënderbeut se ardhja e trupave shqiptare, të 
                            armatosura lehtë dhe të pamësuara të 
                            luftonin kundër kalorisë së rëndë 
                            italiane, nuk do të ndryshonte fatin e Ferdinandit. 
                            Skënderbeu, në përgjigjen që i 
                            bëri princit të Tarantos, më 31 tetor 
                            1460, i thoshte ndër të tjera, se ai nuk 
                            mund të harronte ndihmën që i kishte 
                            dhenë Alfonsi në luftën kundër 
                            turqeve dhe i kujtonte se pa luftën me sukses 
                            që kishin bërë shqiptarët, jo 
                            vetëm Shqipëria, por edhe por edhe Italia 
                            do të kishte kaluar nën zgjedhën e 
                            osmanllinjëve. Në këtë vështrim 
                            , sipas Skënderbeut , ishte më mirë 
                            të ndihmohej ky mbret se sa baronët kryengritës 
                            dhe anzhuinët, të cilët nuk kishin 
                            dhënë asnjë kontribut në luftën 
                            kundër turqve. "Dhe pasi thoni, - shkruante 
                            Skënderbeu, - se me shqiptarët unë 
                            nuk do të mund ta ndihmoj as ta mbroj (Ferdinandin), 
                            dhe as t'i dëmtoj armiqtë e tij të 
                            fuqishëm, po u përgjigjem: ka ndryshuar 
                            puna, e në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, 
                            ne quhemi Epirotë dhe duhet ta dini se në 
                            kohë të tjera, stërgjyshët tanë 
                            kanë kaluar në vendin tuaj që ju mbani 
                            sot dhe kanë bërë me romakët luftime 
                            të mëdha dhe e dimë se më të 
                            shumtën e herës u ndanë me nder se 
                            me turp".
                           Në gusht të vitit 1461, Skënderbeu 
                            u nis me një ushtri të vogël, prej 
                            2500 vetësh për në Itali. Rrugës 
                            ai vetë u ndal në Raguzë, ku më 
                            24 gusht, u prit në një mënyrë 
                            madhështore nga senati i republikës. Kur 
                            arriti në Pulje, gjëndja e Ferdinandit ishte 
                            e dëshpëruar. Përveç qytetit 
                            të Napolit atij i kishin mbetur në dorë 
                            vetëm dy kështjella të tjera, ajo e 
                            Tranit dhe e Barletës, të rrethuara edhe 
                            këto nga ushtritë e baronëve kryengritës. 
                            Skënderbeu sulmoi me një herë dhe i 
                            theu ushtritë kundërshtare në Barleta. 
                            Pasi mori në dorëzim kështjellën, 
                            me kalorësinë e tij të lehtë e 
                            ndoqi kalorsinë e rëndë të princit 
                            të Tarantos, duke e thyer herë pas here 
                            dhe duke kallur tmerrin në radhët e saj. 
                            Pas disa veprimesh të tjera, Skenderbeu, shpëtoi 
                            në fund të atij viti edhe kështjellën 
                            e Tranit dhe e ndihmoi me këtë mënyrë 
                            Ferdinandin të shtypte kundërshtarët 
                            e vet.
                           Skënderbeu u kthye në Shqipëri më 
                            1462, në një kohë kur çështja 
                            e kryqëzatës ishte gjithnjë në 
                            rend të ditës, pa u vënë akoma 
                            në vijë organizimi i saj. Në Shqipëri 
                            ai gjeti një gjëndje jo fort të qetë. 
                            Republika e Venedikut, e shqetësuar nga forcimi 
                            i aleancës shqiptaro-napolitane, filloi prapë 
                            nga provokimet e saj të vjetra. Duke kujtuar 
                            se gjëndja Skënderbeut ishte e dobësuar, 
                            sulltan Fatihu dërgoi atë vit kundër 
                            shqiptarëve tri ekspedita njerën pas tjetrës. 
                            Por edhe këtë radhë shqiptarët 
                            i bënë ballë furtunës turke. Si 
                            gjithmonë, nën udhëheqjen e Skënderbeut, 
                            të tri ekspeditat turke u thyen, e para më 
                            27 gusht 1462 në grykën e Mokrës, e 
                            dyta pak ditë më vonë në fushën 
                            e Pollogut, dhe e treta në shtator 1462, në 
                            Livad afër Ohrit. 
                           Vazhdimi i luftës kundër turqve në 
                            një kohë kur Shqipëria ishte e shkretuar 
                            dhe e izoluar dhe zgjatja pa shpresë e përgatitjeve 
                            të kryqëzatës që kishte ndërmarrë 
                            Piu i II, e detyruan Skënderbeun të pranonte 
                            paqën propozuar përsëri nga Mehmeti 
                            i II, i cili synonte me këtë mënyrë 
                            të shkëpuste Skënderbeun nga koalicioni 
                            evropian. Paqja u nënshkrua në Shkup më 
                            27 prill 1463.
                           Edhe këtë radhë paqja shqiptare-turke 
                            nuk u pa me sy të mirë nga Piu i II i cili 
                            e shfrytëzonte figurën e Skënderbeut 
                            në fushatën propagandistike kryqtare. Paqja 
                            e shqetësoi edhe Republikën e Venedikut, 
                            e cila tani që po hynte në luftë kundër 
                            turqve për t'u marrë Morenë donte t'i 
                            shfrytëzonte shqiptarët si diversion në 
                            prapavijat e armikut. Papa dhe Venediku ushtruan mbi 
                            Skënderbeun një presion të madh për 
                            ta detyruar ta prishte paqën me turqit. Skënderbeu 
                            në fillim nuk pranoi. Si duket ai donte të 
                            shikonte më parë makinën kryqtare të 
                            vihej në lëvizje. Në nëndor 1463 
                            kryqëzata u shpall zyrtarisht nga papa dhe ushtritë 
                            kryqtare filluan të grumbulloheshin në skelat 
                            e Italisë për t'u nisur kundër turqve. 
                            Atë vit, midis Skënderbeut dhe Venedikut 
                            u lidh më në fund një traktat miqësie 
                            dhe aleance në luftën kundër turqve. 
                            Kjo aleancë u plotësua me një aleancë 
                            tjetër midis Venndikut dhe Hungarisë. Në 
                            të njëjtën kohë, Dukagjinët 
                            hoqën dorë një herë e përgjithmonë 
                            nga qëndrimi i vjetër armiqësor dhe 
                            u bënë aleatë të ngushtë 
                            të Skëndetbeut. Me presionin e republikës, 
                            e cila i premtoi ndihma ushtarake, dhe me nxitjen 
                            e papës, Skënderbeu u bind më në 
                            fund të solidarizohej me kryqëzatën 
                            dhe më 27 nëndor 1463 i shpalli luftë 
                            Turqisë duke kryer një varg veprimesh luftarake 
                            në zotërimet turke të Maqedonisë.
                           Por ushtritë kryqtare, megjithëse po grumbulloheshin 
                            nëpër skela, nuk u nisën as në 
                            verën e vitit 1464. Mosbesimi që ekzistonte 
                            midis pjesëmarrësve të kryqëzatës, 
                            mungesa e organizimit paraprak, dhe më në 
                            fund edhe vetë vdekja e Piut të II me 14 
                            gusht 1464, sollën dështimin e kryqëzatës. 
                            Me dështimin e saj shqiptarët mbetën 
                            përsëri vetëm përballë furisë 
                            turke.