Fitoret që korrën kundër 
                            turqve në tri vjetët e para, forcuan pozitat 
                            politike të bujarëve shqiptarë, pjestarë 
                            të "Lidhjes së Lezhës dhe në 
                            mënyrë të veçantë ato të 
                            Skënderbeut. Ata ishin bërë tashmë 
                            të pavarur në zotërimet e tyre feudale. 
                            Zhvillimi i mëtejshëm i këtyre zotërimeve 
                            e bënte të nevojshme përfshirjen brënda 
                            kufijve të tyre edhe të qyteteve që 
                            përfaqësonin lulen e ekonomisë së 
                            vendit. Por qytetet kryesore shqiptare ndodheshin 
                            gjithnjë në duart e Venedikut. Për 
                            këto arsye, republika, e cila më 1444 e 
                            kishte lejuar mbledhjen e kuvendit të shqiptarëve 
                            në zotërimin saj të Lezhës, dhe 
                            më 1445 i kishte dhënë Skenderheut 
                            dhe vëllait të tij Stanishit. qytetarinë 
                            e nderit tani filloi t'i trembej rritjes së fuqisë 
                            së bujareve shqiptarë dhe në mënyrë 
                            të veçantë forcimit të autoritetit 
                            të Skenderbeut, principata e të cilit ishte 
                            zgjeruar deri afër kufijve të zotërimeve 
                            të saj në bregdet. Si rezultat i kësaj, 
                            më 1447, republika kaloi në politikën 
                            armiqësore kundrejt Skënderbeut, duke përdorur 
                            mjetet veta të zakonëshme, politikën 
                            e përçarjes së krerëve feudalë 
                            që bënin pjesë në "Lidhjen 
                            Shqiptare", Politika provokuese e republikës 
                            e shpejtoi shpërthimin e konfliktit të armatosur 
                            me shqiptarët.
                           Shkak për këtë u bë qyteti i 
                            Danjës. Më 1445, Lekë Zaharia, zoti 
                            i Danjës dhe antari i Lidhjes Shqiptare, u vra 
                            nga rivali i tij Nikollë Dukagjini. Përveç 
                            ndërlikimeve të tjera, vrasja e Lekë 
                            Zaharisë, i cili nuk kishte fëmijë, 
                            nxori në shesh çështjen e trashëgimit 
                            të qytetit të rëndësishëm 
                            të Danjës. Venediku u përgatit menjëherë 
                            të vinte dorë mbi këtë qendër 
                            dhe kështjellën e vendosur në hyrjen 
                            e luginës së Drinit, e cila zotëronte 
                            rrugën për në Shkodër dhe sillte 
                            të ardhura të mëdha nga dogana që 
                            paguhej në kalimin vaut të Danjës (sot 
                            Vau i Dejës). Për të evituar kalimin 
                            e Danjës në duartë e republikës, 
                            Skënderbeu dërgoi nga ana e vet pranë 
                            Borës, nënës së Lekë Zaharisë, 
                            një nga bashkëpuntorët tij, kontin 
                            Uran, për të bindur atë që ta 
                            vinte qytetin nën mbrojtjen e "Lidhjes shqiptare". 
                            Por konti venedikas i Shkodrës dërgoi me 
                            të shpejtë ushtri dhe pushtoi qytetin.
                           Skënderbeu thirri atëherë në 
                            vjeshtë 1447 mbledhjen e "Lidhjes shqiptare" 
                            dhe u kërkoi antarëve të saj që 
                            t'i shpallej luftë republikës në rast 
                            se ajo nuk do t'ia kthente qytetin Lidhjes. Këtu 
                            u dukën frytet e politikës përçarëse 
                            të republikës, e cila për ta diskredituar 
                            Skenderbeun, kishte hapur lajme se ky, me qëllim 
                            që ta merrte për vehte Danjën, kishte 
                            nxitur vrasjen e Lekë Zaharise dhe përpiqej 
                            tani t'i armiqësonte bujarët shqiptarë 
                            me venedikasit. Skënderbeu u detyrua atëherë 
                            të bënte publikisht betimin se nuk kishte 
                            fare gisht në vrasjen e aleatit të vet, 
                            Lekë Zaharisë. Në mbledhjen e kuvendit, 
                            shumica e antarëve e pranoi propozimin e Skënderbeut. 
                            Vetëm dy antarë, Pjetër Spani dhe Gjergj 
                            Dushmani, e kundërshtuan këtë vendim 
                            dhe larguan nga Lidhja.
                           Republika nuk e ktheu Danjën. Në dhjetor 
                            shqiptarët filluan veprimet ushtarake kundër 
                            forcave venedikase. Skenderbeu dhe shumica antarëve 
                            të Lidhjes, midis të cilëve Gjergj 
                            Arianiti, e Nikollë Dukagjini, filluan sulmet 
                            kundër Durrësit, Danjës dhe qyteteve 
                            të tjera, por këto, të mbrojtura nga 
                            kështjellat e tyre, nuk i morën dot. Skënderbeu 
                            vendosi atëhere të rrethonte Danjën 
                            dhe ta mbante të bllokuar për një kohë 
                            të gjatë.
                           Lufta kundër Venedikut e bëri Skënderbeun 
                            të afrohej me despotin e Serbisë, Gjergi 
                            Brankoviçin, i cili synonte gjithashtu t'i 
                            merrte republikës qytetet e bregdetit malazez. 
                            Ata shpresonin ta detyronin republikën t'i dorëzonte 
                            qytetet, pasi në këtë kohë ajo 
                            ishte e zënë me luftë në Lombardi 
                            kundër dukës së Milanos. Aleati i dukës, 
                            Alfons i V, mbreti i Napolit që ishte njëkohësisht 
                            rival i Venedikut, kishte filluar nga ana e tij të 
                            interesohej qysh më parë për një 
                            afrim me Skënderbeun dhe Gjergj Brankoviçin, 
                            duke i inkurajuar këta kundër republikës. 
                            Qysh në fund të vitit 1447 Alforsi dhe Skënderbeu 
                            shkëmbyen midis tyre ambasadorë, duke hedhur 
                            kështu bazat e aleancës që u lidh më 
                            vonë midis tyre.
                           Rrethimi i Danjës vazhdoi gjatë gjithë 
                            dimërit. Republika, e zënë në 
                            një luftë në dy fronte, i propozoi 
                            Skënderbeut të bënin paqë duke 
                            e mbajtur për vehte qytetin, por ky nuk e pranoi. 
                            Për të shpëtuar nga presioni i shqiptarëve 
                            Venediku i u drejtua atëhere turqve dhe i nxiti 
                            që të rifillonin një ekspeditë 
                            në Shqipëri. Në të njëjtën 
                            kohë, shpalli më 4 mars 1448, se i siguronte 
                            një pension prej 100 dukatash në muaj atij 
                            që do të vriste Skënderbeun.
                           Skënderbeu me sa duket ra në dijeni të 
                            këtyre planeve, sepse, në pranverë 
                            dërgoi një pjesë të ushtrisë 
                            shqiptare, rreth 4 mijë vetë, nën komandën 
                            e kont Uranit, të mbronin kufijtë lindorë 
                            nga ndonjë ekspeditë turke, kurse me pjesën 
                            tjetër të ushtrisë e shtërngoi 
                            presionin mbi Dannjën dhe Durrësin. Për 
                            t'u lehtësuar nga presioni, venedikasit i kërkuan 
                            përsëri Skënderbeut të hynin në 
                            bisedime për paqë dhe i zgjatën këto 
                            bisedime deri sa të vinin ushtritë turke.
                           Me të vërtetë, në qershor 1448 
                            një ushtri e madhe turke me në krye vetë 
                            sulltan Muratin e II i u afruan kufijve të Shqipërisë 
                            dhe rrethoi kështjellën Sfetigradit. Skënderbeu, 
                            i lajmëruar me kohë për afrimin e saj, 
                            pa hequr dorë nga rrethimi i Danjës, nis 
                            me 10 mijë vetë në drejtim të 
                            Shkodrës. Hyrja trupave shqiptare në zotërimet 
                            venedikase të Shkodrës u bë shenjë 
                            për një kryengritje të gjerë të 
                            fshatarëve bujkrobër të pronarëve 
                            venedikas. Turma fshatarësh u vunë zjarrin 
                            shtëpive të pronarëve dhe vrapuan për 
                            t'u bashkuar me ushtrinë e Skënderbeut. 
                            Më 24 korrik 1448 forcat shqiptare u ndeshën 
                            me ushtrinë venedikase prej 15 mijë vetësh, 
                            të komanduar nga Daniel Juriçi , dhe në 
                            betejën që u zhvillua atë ditë 
                            në brigjet e Drinit, Skënderbeu kori një 
                            fitore të shkëlqyer.
                           Por ai nuk pati mundësi të shfrytëzonte 
                            fitoren e Drinit për arësye të rrezikut 
                            turk që e kërcënonte nga lindja. Pasi 
                            la nipin e vet Hamza Kastriotin, të vazhdonte 
                            bllokimin e Danjës, me pjesën kryesore të 
                            ushtrisë u nis në drejtim të Sfetigradit 
                            të rrethuar nga turqit.
                           Garnizoni i Sfetigradit, i përbërë 
                            nga forcat shqiptare dhe reparte bullgare, nën 
                            komandën e Pjetër Perlatit, u qëndroi 
                            heroikisht sulmeve turke që drejtoheshin nga 
                            Murati i II, synimi i të cilit ishte të 
                            merrte sa më parë kështjellën 
                            dhe të vazhdonte ekspeditën kundër 
                            Krujës për t'i dhënë fund një 
                            herë e mirë rezistencës shqiptare.
                           Me ardhjen e Skënderbeut, ushtritë shqiptare 
                            filluan t'i sulmonin nga jashtë turqit dhe t'i 
                            vinin shpesh herë në një gjëndje 
                            të vështirë. Sulltani u përpoq 
                            t'i tërhiqte forcat e Skënderbeut në 
                            një betejë vendimtare jashtë kalasë, 
                            por nuk i arriti dot qëllimit. Skënderbeu, 
                            nga e vet, u hapte turqve herë pas here beteja 
                            të vogla me të cilat i shqetësonte 
                            dhe u shkaktonte dëme të vazhdueshme. Rezistenca 
                            e Sfetigradit vazhdoi për një kohë, 
                            deri sa më në fund turqit arritën ta 
                            zbulonin dhe ta prishnin kanalin që furnizonte 
                            kalanë me ujë, duke e keqësuar në 
                            mënyrë të dëshpërueshme gjendjen 
                            e të rrethuarve. Garnizoni u detyrua atëherë 
                            të hynte në bisedime me turqit dhe të 
                            pranonte ofertën e sulltanit për të 
                            dalë të lirë nga kalaja me gjithë 
                            armë.
                           Rënia e kalasë ishte një humbje për 
                            sistemin e fortifikatave mbrojtëse të shqiptarëve. 
                            Por rezistenca e saj gjatë dhe lajmet mbi përgatitjet 
                            e reja të Huniadit e detyruan Muratin e II të 
                            ndërpriste marshimin drejt Krujës dhe t'i 
                            tërhiqte ushtritë nga Shqipëria duke 
                            i përqëndruar ato në Sofie, në 
                            pritje të drejtimit që do të merrte 
                            marshimi i hungarezëve.
                           Rënia Sfetigradit i tregoi Skënderbeut 
                            dëmin që pati nga lufta në dy fronte. 
                            Ai kishte ndërmënd që të merrte 
                            gjithashtu pjesë në lüftën e madhe 
                            që po përgatisnin hungarezët. Këto 
                            e bënë Skënderbeun të hiqte dorë 
                            nga rrethimi i Danjës dhe të pranonte paqën 
                            e propozuar nga senati i Venedikut. Paqja u nënshkrua 
                            më 4 tetor 1448, në kampin ushtarak të 
                            Skënderbeut, pranë Lezhës. "Lidhjen 
                            shqiptare" këtu e përfaqësonin 
                            Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini të 
                            shoqëruar nga peshkopi Andrea i Lezhës dhe 
                            Gjergj Pelini, i cili kryente funksionet e kancelarit 
                            të Skënderbeut për marrëdhëniet 
                            me jashtë. Republika përfaqësohej nga 
                            proveditori i përgjithshëm i Venedikut në 
                            Shqipëri, Pal Loredani dhe konti i Shkodrës. 
                            Sipas traktatit të paqës Danja i mbetej 
                            Venedikut, kurse republika i siguronte Skënderbeut 
                            një pension prej 1.400 dukatash në vit, 
                            i premtonte, në rast nevoje, si atij ashtu dhe 
                            bujarëve të tjerë shqiptarë strehim 
                            në Venedik, u akordonte privilegje në portin 
                            Durrësit, duke i 
                            përjashtuar nga taksa e kripës dhe hiqte 
                            dorë nga çdo shpërblim për dëmet 
                            që kishte pësuar. Me qëllim që 
                            të përballonte shpenzimet për të 
                            marrë pjesë në ekspeditën e re 
                            të Huniadit Skënderbeu u kërkoi venedikasve 
                            dhe mori prej tyre para kohe pensionin vjetor. 
                           Në kohën kur po nënshkruhej paqja 
                            shqiptare-venedikase, Huniadi, sipas marrëveshjes 
                            që kishte përfunduar me Skënderbeun, 
                            kishte filluar marshimin drejt jugut, këtë 
                            radhë duke kaluar jo më nëpër 
                            viset lindore të gadishullit, si në dy rastet 
                            e para, por nëpër Kosovë. Skënderbeu, 
                            qëllimi i të cilit ishte, të bashkohej 
                            me forcat Hungareze, nuk u nis dot me kohë per 
                            shkak të zgjatjes së bisedimeve me venedikasit 
                            dhe të pengesës që gjeti rrugës 
                            nga despoti i Sërbisë, Gjergj Brankoviçi, 
                            i cili nuk donte t'i prishte marrëdhëniet 
                            me sulltanin dhe mbajti një qëndrim armiqësor 
                            kundrejt hungarezëve dhe shqiptarëve. Ky 
                            vuri në dijeni sulltanin për lëvizjet 
                            e Huniadit dhe e ndaloi Skënderbeun të kalonte 
                            me ushtritë shqiptare nëpër tokat veta. 
                            Kështu forcat shqiptare ishin akoma në rrugë 
                            kur më 18 tetor 1448, në fushën e Kosovës, 
                            afër Prishtinës, ushtria hungareze pësoi 
                            një disfatë të rëndë dhe 
                            u detyrua të tërhiqej e shpartalluar nëpër 
                            Sërbi, drejt Danubit dhe pjesërisht nëpër 
                            Shqipëri, drejt bregdetit. Në tërheqje 
                            e sipër Huniadi u zu rob nga Brankoviçi. 
                            Si përgjigje për qëndrimin e pabesë 
                            të Brankoviçit, forcat shqiptare sulmuan 
                            dhe shkretuan një pjesë të tokave të 
                            tij.