Qëllimi i Skënderbeut ishte 
                            çlirimi i krejt vendit dhe lufta kundër 
                            shkelësve turq me forcat e përbashkëta 
                            të të gjithë shqiptarëve, me ushtri 
                            të rregullt dhe të organizuar.
                           Për t'ia arritur këtij qëllimi, Skënderbeu 
                            sapo mori Krujën. filloi bisedimet paraprake 
                            me bujarët shqiptarë. Këto bisedime, 
                            vazhduan edhe në fillim të vitit 1444. Fitoret 
                            që po korrte Huniadi, lajmet që qarkullonin 
                            në ato muaj se në vendet e ndryshme të 
                            Evropës qëndrore e perëndimore po bëheshin 
                            përpjekje për të organizuar një 
                            fushatë të re ushtarake kundër turqve, 
                            suksesi i shpejtë që korri Skënderbeu 
                            në çlirimin e zotërimeve të 
                            Kastriotëve si dhe gadishmëria e mbarë 
                            popullit për të luftuar kundër turqve, 
                            i bindi bujarët shqiptarë se kishte ardhur 
                            koha që të çliroheshin edhe ata nga 
                            zgjedha e sulltanit dhe të rifitonin zotërimet 
                            e tyre të mëparëshme. Ne këto 
                            rrethana, ftesa e Skënderbeut për të 
                            mbajtur një kuvend të përgjithshëm 
                            gjeti pëlqimin e pothuajse të gjithë 
                            bujarëve shqiptarë. Kuvendi u vendos të 
                            mblidhej në fillim të marsit. Mbledhja u 
                            caktua të bëhej në qytetin e Lezhës 
                            që ishte nën zotërimin e Venedikut, 
                            për të mos ngjallur dyshimin e republikës 
                            dhe për të evituar pakënaqësinë 
                            e bujarëve, që mund të shkaktohej në 
                            qoftë se mbledhja bëhej në një 
                            nga domenet feudale. Republika e Venedikut dhe ajo 
                            e Raguzës u ftuan të dërgonin përfaqësuesit 
                            e tyre në kuvend.
                           Kuvendi u çel më 2 mars 1444 pranë 
                            katedrales së Shën Kollit të Lezhës. 
                            Midis bujareve që moren pjesë në kuvend 
                            qenë udhëheqësit e kryengritjeve të 
                            mëparëshme: Gjergj Arianiti, Andre Topia, 
                            Nikollë Dukagjini dhe Teodor Korona Muzaka.
                          Personalitete të tjera të rëndësishme 
                            qenë gjithashtu Pal Dukagjini, Lekë Zaharia, 
                            Lekë Dushmani,Gjergj Stres Balsha, Pjetër 
                            Spani, sundimtari i Malit të Zi Stefan Cernojeviçi 
                            dhe mjaft feudalë të tjerë. Në 
                            kuvend morën pjesë edhe përfaqësues 
                            të fiseve malësore.
                           Çështja kryesore që u bisedua në 
                            kuvend qe ajo e bashkimit të vendit në luftën 
                            kundër turqve. Skënderbeu, pasi u foli pjesëmarrësve 
                            të kuvendit mbi të kaluarën e tij dhe 
                            arësyet që e kishin detyruar të shërbente 
                            si sanxhakbej i sulltanit, u theksoi atyre nevojën 
                            e bashkimit të forcave të vendit per të 
                            marrë pjesë në luftën kundër 
                            turqve tani që fitorja e hungarezëve kishte 
                            hapur prespektiva për çlirimin e popujve 
                            të Ballkanit. Në përfundim të 
                            bisedimeve, bujarët shqiptarë, megjithëse 
                            në shumë çështje kishin divergjenca 
                            të theksuara, u shprehën në mënyrë 
                            të njëzëshme për bashkimin e tyre 
                            në luftë kundër turqve, bashkim ky 
                            në shkallë kombëtare që ndodhte, 
                            nga sa dihet, per të parën herë në 
                            historinë e Shqipërisë feudale. Me 
                            pëlqimin e pjesëmarrësve kuvendi vendosi 
                            formimin e një besëlidhjeje e cila njihet 
                            me emërin "Lidhja shqiptare", ose "Lidhja 
                            e Lezhës" Lidhja shpalli Skënderbeun 
                            kryetar të saj.
                           Një vendim tjetër me rëndësi 
                            që mori kuvendi i Lezhës qe formimi i një 
                            ushtrie shqiptare me repartet që do të rekrutonin 
                            si Skënderbeu ashtu dhe bujarët e tjerë 
                            në zotërimet e tyre. Komandant i saj u caktua 
                            gjithashtu Skënderbeu, me titullin "kapiten 
                            i përgjithshëm" (Capitaneus generalis) 
                            ndërsa komandantët e reparteve të veçanta 
                            do të caktoheshin nga vetë bujarët. 
                            Përveç ushtrisë, kuvendi vendosi 
                            të krijonte edhe një arkë të përbashkët 
                            për të përballuar shpenzimet e luftës. 
                            Fondi do të krijohej me kontributet që do 
                            të jepnin bujarët shqiptarë si dhe 
                            me një pjesë të të ardhurave të 
                            kriporeve të Shën-Köllit që ndodheshin 
                            në veri të Durrësit. Kontributi që 
                            premtuan të jepnin bujaret arriti në shumën 
                            e rëndësishme prej 200 mijë dukatësh 
                            ari.
                           "Lidhja Shqiptare" kishte karakterin e 
                            një aleance politike e ushtarake të krijuar 
                            për nevojat e luftës kundër pushtuesve 
                            turq, por secili bujar pjesëmarës e ruante 
                            autonominë e vet, Skënderbeu, si kryetar, 
                            ishte në këtë kohë vetëm 
                            një "i parë midis të barabartëve" 
                            dhe nuk gëzonte asnjë të drejtë 
                            të ndërhynte në zotërimet e bujarëve 
                            të tjerë. Megjithatë, caktimi i një 
                            udhëheqësi të vetëm politik e 
                            ushtarak kishte një rëndësi të 
                            madhe, ishte një hap përpara në kapërximin 
                            e përçarjes feudale. Në duart e Skënderbeut, 
                            i cili fitoi një prestigj dhe autoritet në 
                            radhët e masave popullore si çlirimtar 
                            i zotërimeve të gjëra të Kastriotëve, 
                            "Lidhja e Lezhës" u bë një 
                            mjet për bashkimin politik të mbarë 
                            popullit shqiptar në luftën kundër 
                            pushtuesve turq.
                           Republika Raguzes, ndonse premtoi, nuk dërgoi 
                            ndonjë perfaqësues në kuvend. Edhe 
                            Republika e Venedikut nuk mori pjesë zyrtarisht. 
                            Ajo dërgoi këtu vetem një vëzhgues. 
                            Republika, e cila ishte në paqë me sulltanin 
                            dhe nuk donte t'i prishte marrëdhëniet me 
                            të, u dha shqiptarëve, me anën të 
                            vëzhguesit të saj, vetëm premtime të 
                            thata. Ajo bile, vrapoi të nxirrte përfitimet 
                            e veta. Duke përdorur si pretekst rrezikun e 
                            shqiptarëve, republika hyri në bisedime 
                            me turqit, dhe u kërkoi Vlorën e Kaninën. 
                            Por këto qytete sulltani nuk i lëshoi.