Eskili ka pasur një veprimtari 
                            shumë të gjerë letrare. Ka shkruar 
                            rreth 90 tragjedi, nga të cilat janë ruajtur 
                            të plota: Lutëset, Persët, Të 
                            shtatë kundër Tebës dhe Agamemnoni, 
                            Koeforet, Eumenidet, që janë pjesë 
                            përbërëse të trilogjisë Orestia(5) 
                            
                            Përveç tragjedisë Persët, të 
                            gjitha të tjerat i kanë marrë subjektet 
                            nga ciklet e miteve dhe legjendave të lashta, 
                            përmes të cilave Eskili shprehu shpirtin 
                            e kohës, përplaset politike e shoqërore, 
                            virtytet dhe krimet, sasionet njerëzore në 
                            tërë dritë-hijet e tyre, luftën 
                            në rrafshin fizolofik midis obskurantizmin dhe 
                            iluminizmit.
                          
                            Lutëset. Për nga ndërtimi i thjeshtë 
                            dhe zotërimi i pjesëve të korit, e 
                            para në vargun e tragjedive të ruajtuara, 
                            mendohet të jetë tragjedia "Lutëset". 
                            Në themel të veprës shtrohen dy probleme: 
                            ai i ndalimit të martesës brenda fisit dhe 
                            ai i dashurisë si ligj i ripërtëritjes 
                            së gjinisë njerëzore.
                          
                            Sipas renditjes tradicionale tragjedia e dytë 
                            është TË SHTATËT KUNDËR TEBËS(6), 
                            ku tregohet lufta për pushtet midis dy vëllezërve 
                            Eteoklit dhe Polinikut, të cilët kishin 
                            rënë në marrëveshje të qeverisnin 
                            Tebën me rradhë. Vjen një ditë 
                            dhe Eteokli vendos të mos e ndajë pushtetin 
                            më të vëllanë. Atëherë, 
                            ky u drejtohet gjashtë prijësve miq të 
                            tij dhe vetë i shtat shkon t'i bjerë të 
                            vëllait, Eteoklit. Të dy vëllezërit 
                            vriten në përleshje me njeri-tjetrin.
                          
                            PERSËT. Është një nga veprat e 
                            hershme të Eskilit, e vetmja tragjedi nga ato 
                            që njohim, që e ka marrë subjektin 
                            jo nga mitologjia, po nga ngjarjet historike në 
                            jetën e Greqisë së shekullit V p.e.r.
                            Fitorja e grekëve kundër persëve është 
                            jo vetëm fitorja e një lufte të drejtë, 
                            por edhe e demokracisë kundër tiranisë 
                            së Lindjes, e qytetërimit të ndritur 
                            helen kundër prapambetjes dhe errësirës 
                            që mbulonte një perandori përbindëshe 
                            e despotike.
                          
                            ORESTIA. Është e vetmja trilogji që 
                            është ruajtur e plotë, e përbërë 
                            nga tri tragjedi: "Agamemnoni", "Koeforet" 
                            dhe "eumenidet". Subjekti i "Oresias" 
                            është mallkimi i fisit si pasojë e 
                            krimit të kryer nga të parët. Ideja 
                            e autorit se krimi lind krimin përshkon të 
                            gjitha ngjarjet e tragjedisë.
                          
                            Në pjesën e parë, "Agamemnoni", 
                            tregohet kthimi i mbretit në atdhe dhe vrasja 
                            e tij nga e shoqja Klitemnestra dhe i dashuri i saj 
                            Egisti. Është pa dyshim pjesa më e 
                            bukur e trilogjisë, e mbushur me atmosferë 
                            dramatike e kontraste të fuqishme pas të 
                            cilave fshihet hipokrizia e Klitemnestrës, e 
                            cila e pret të shoqin me nderime të mëdha.
                            Në një vend të tragjedisë "Agamemnoni", 
                            kori shpreh mendimin se "… drejtësia shpesh 
                            ndriçon / dhe në shtëpitë plot 
                            me tym./ Ku zemrat kanë pastërti/ Ndërsa 
                            pallatet veshur ar,/ Dorë e përlyer që 
                            i sundon,/ Ajo kthen sytë e i braktis".
                            Idetë madhore demokartike e humane të Eskilit 
                            shpalosen gjerë në trilogjinë "Orestia" 
                            që është një nga gurët më 
                            të çmuar në gjerdanin e letërsisë 
                            botërore. Gëtja tragjedinë "Agamemenoni" 
                            e ka cilësuar "kryeveprën e kryeveprave".
                          
                            Edhe në tragjedinë e dytë, "koeforet", 
                            (gratë që çojnë në varre 
                            vajra, verë etj.) spikat thellësia psikologjike 
                            e artit eskilian. Oresti vret të ëmën, 
                            Klitemnestrën, dhe të dashurin e saj Egistin, 
                            për të marrë hakun e të atit.
                            Por përpara se të ngrejë shpatën 
                            t'i bjerë, ai stepet nga fjalët e së 
                            ëmës që kërkon mëshirë: 
                            Ndalo, o bir, nderoje këtë gji/ Përmbi 
                            të cilin gjumi shpesh të zù/ Tek 
                            qumështin që ty të rriti, thithje.
                          
                            Në pjesën e tretë të trilogjisë, 
                            në "Eumenidet", rrihet çështja 
                            rreth veprës së kryer nga Oresti mëmëvrasës. 
                            Në fillim na paraqitet hija e Klitemnestrës 
                            që kërkon shpagimin ndaj të birit. 
                            Ajo u drejtohet Erineve, hyjneshave të hakmarjes, 
                            që mbrojnë ligjet e gjakut nga ana e nënës 
                            (matriarkatin). Hija kërkon t'i zgjojë nga 
                            gjumi dhe të mos e braktisin, por ta mbrojnë. 
                            Në mënyrë metaforike, Orestin e mundon 
                            dhe përndjek ndërgjegja e vrarë. Ky 
                            është dënimi më i madh për 
                            të, që as në ferr nuk do t'i ndahet.
                            Por Oresti s'mbetet vetë, Ai ka në anën 
                            e tij hyun Apollon, që mbron lidhjet e gjakut 
                            nga ana e babait, (patriarkatin). Në debatin 
                            e flaktë që ndizet midis Apollonit dhe Erineve, 
                            për të ndarë çështjen, 
                            thirret hyjnesha Atenë, e cila i nderon të 
                            dy palët. Ajo e ka të vështirë 
                            të vendosë vetë, prandaj fton gjykatësit 
                            më të mirë ta drejtojnë gjygjin. 
                            Votat ndahen baraz, sa për Orestin aq edhe për 
                            Erinet. Atena votën e saj e jep për Orestin. 
                            Dhe me këtë Oresti çlirohet nga përndjekja 
                            e Erineve.
                          
                            Trilogjia "Oresita" shquhet jo vetëm 
                            për madhështinë e saj si vepër 
                            arti, por edhe për pasurinë e ideve dhe 
                            problemeve të rrahur në legjendat e saj, 
                            përmes të cilave tragjediani i madh u ka 
                            bërë jehonë ngajreve dhe problemeve 
                            të mprehta poliktike e shoqërore në 
                            periudhën e vendosjes së shtetit demokratik 
                            skllavopronar.
                            Eskili me të drejtë është quajtur 
                            poeti i së Drejtës, simbol i së cilës 
                            në mitologji ishte bija e Zeusit, hyjnesha Dike.
                            Ai është sa realist në pasqyrimin e 
                            jetës, aq dhe romantik në ëndrrën 
                            e tij për një jetë të drejtë 
                            e të virtytshme.
                            Eskili është artist i madh. Me figurat e 
                            personazheve të fuqishëm e me gjithcka të 
                            bukur e të madhërishme që kanë 
                            veprat e tij, ai e ngriti tragjedin greke në 
                            një lartësi të paparë ndonjëherë. 
                            Gjenia e tij ndikoi shumë te Sofokliu e Euripidi. 
                            Në veprën e Eskilit gërshetohet në 
                            një haromoni të plotë tragjizmi me 
                            skena të një lirizmi të hollë 
                            poetik.
                            Stili i Eskilit është i fuqishëm e 
                            i pasur me shprehje të bukura, në metafora 
                            e figura të tjera të guximshme, në 
                            fjalë të urta e aforizma, e sidomos në 
                            fjalë të përbërë (kompozita). 
                            Shumë nga këto dhe nga mjetet skenike, si 
                            hanxhari, qefini, fantazmat, hijet që ngrihen 
                            nga varri, profecitë e formulat magjike, po në 
                            rradhë të parë forcat dramatike, veprimet 
                            dhe pasionet titanike të heronjve na kujtojnë 
                            në shumë anë tragjedianin e madh anglez 
                            Shekspirin për të cilin Kadareja, vëren 
                            se nuk mund të thuhet asgjë e sigurt se 
                            si do të ishte ai pa Eskilin.