Prometeu i tregon Korit të Oqeanideve 
                            se do të vijë një ditë kur Zeusi 
                            do të përmbyset. Ato nuk mund të përfytyrojnë 
                            një gjë të tillë: S'ke frike që 
                            lëshon të tilla fjalë? Prometeu që 
                            e ndjen se Kori trembet para tiranisë së 
                            Zeusit, me ironi i thotë që le t'i lutet 
                            e le ta lajkatojë Zeusin tani që ka pushtet, 
                            kurse sa për vete: … për asgjë s'çaj 
                            kokën, aq me pak për Zeusin.
                            Në këto e sipër vjen Hermesi, që 
                            kërkon t'i shkëpusë heroit të 
                            fshehtën për të ardhmen e Zeusit. Ky 
                            është shërbëtori më servil 
                            dhe më i pamëshirshëm i tiranit.
                          
                            HERMESI
                          Me ty, o dhelpër, tallës e përbuzës,
                            me ty, o tradhtar i perëdive,
                            me ty, që pasurove njerëzit e vdekshëm,
                            me ty, hajdut i zjarrit të hyjnive, 
                            me ty po flas! Im at' i madh kryezot
                            në qiell, të urdhëron çdo gjë 
                            që llape
                            për dasmën, që do ta rrëzoj nga 
                            froni,
                            shpejt t'ia tregosh haptazi, pa fshehur gjë.
                            Fol qartë, Promete dhe pa enigma!
                            Mos më shtrëngo të bëj dy herë 
                            rrugën. 
                            Nuk zbutet Zeusi me kokëfortësi!
                          PROMETEU
                          Sa fort i shkokërka një gju' e lartë
                            prej mburraveci një lakejeje të bindur
                            të Perëndive! Eh, t'rinj në moshë,
                            të rinj' e në pushtet, mos ju pandehni
                            sa tërë jetën e jetës pa trazira
                            do të banoni në pallat qiellor?
                            S'i patë dy tiranët e tjerë
                            se si u rrokullisën posht' nga froni?
                            Do shoh si përmbyset dhe të tretin.
                            ai që sundon tani në qiell do bjerë
                            me shpejt dhe më me turp sesa të tjerët.
                            Mos vall' kujton se trembem dhe përulem
                            përpara hyjve të tu të rinj?
                            Shiko se po gabon. S'më njihke mirë!
                            Vër majat nga ke thembrat! Mbathja shpejt 
                            nga erdhe! Kjo është përgjigja ime,
                            mos prit më shumë. Nuk të them asgjë.
                          Hermesi përdor të gjitha mënyrat për 
                            t'ia arritur qëllimit të tij, duke përsëritur 
                            kërcënimin dhe hipokrizinë. Edhe Kori 
                            i Oqeanideve, të cilat vërtet e mëshirojnë 
                            heroin, o e quajnë gabim veprën e tij, e 
                            këshillojnë të bindet:
                          PROMETEU
                          Cdo gjë që tha ky lajmëtar
                            e dija mirë, e parashihja,
                            por si armik të të trajtojë
                            armiku, s'është aspak për turp.
                            Hë, përvëloni me zjarr rrufesh,
                            me vetëtim, shkrep, qëllomë!
                            Me zhurmë, britma dhe potere
                            ti tok' e qiell tmerr tronditi,
                            me bubullimë, er' e shqotë,
                            tallaze të egër, uturime,
                            ti ajër, tok' e det e shtilli,
                            mbi yje shtjella marrt' përpjetë.
                            Dhe në skëterrë trupin hidhma,
                            m'u në Tartar, mu në humnerë.
                            Në ferr të zi si trup të vdekur
                            me dorën hekur, fat, vërtitem!
                            Por vetëm trupin tim të mjerë,
                            se kurrë, kurrë un' nuk vdes!
                          HERMESI
                          Nga dëshpërimi flet përçart, 
                            
                            urrejtj' e zezë e zemërimi.
                            Mbërthyer nga tmerr përmbi shkëmbinj
                            s'e mbyllka gojën i shkalluari.
                            I lirë ky sikur të ishte
                            ku mendj' e shthurrur kish arrirë?
                            Por ju, që keq ju vjen për të,
                            largohuni shpejt nga ky vend;
                            që mendja juaj mos të shakallojë,
                            kur të godas' rrufe e zeusit!
                          Me fjalët e Prometeut bëhet gjithnjë 
                            e më e qartë qëndresa e tij titanike. 
                            Hermesi mbasi është i bindur se nuk mund 
                            të bëjë asgjë, i lajmëron 
                            nimfat oqeanide të largohen që aty, që 
                            mendja e tyre të mos shkalloj,. "Kur të 
                            godasë rrufe e Zeusit".
                            Kori i Oqeanideve e quan vepër të ulët 
                            të braktisë mikun në fatkeqësi.
                          
                            KORI
                          Me mua flit me tjetër gjuhë
                            dhe mos më jep të tilla mend,
                            ato nuk zenë vend tek une!
                            Më the një fjalë fyese shumë!
                            Jo, kurrë nuk mund t'më shtysh
                            të bëj një poshtërsi të tillë!
                            Sepse jam gati un' gjithmonë
                            çdo short të zi me të ta vuaj.
                            Po , jam mësuar gjithë jetën 
                            që pabesinë ta kem pështirë.
                            S'njoh unë ves më të shëmtuar,
                            më të poshtër, se tradhëtinë!
                          HERMESI
                          Por mos harroni çfar' ju thashë, 
                            as mos mallkoni fatin tuaj,
                            kur dallgë dhembjesh t'u godasë,
                            mos u rropatni, as mos më thoni
                            se gjoja zeusi krejt pa pritur 
                            ju pat qëlluar me flak' e zjarr.
                            Ju në humner' u hodhët vetë.
                            Vet' u gremisët në skëterrë.
                            Në befasi askush s'ju zuri,
                          pasi askush s'ju ngriti juve.
                            Me dashjen tuaj rrjetën endet,
                            në rrjet të fatit zunë veten.
                          Hermesi më në fund largohet. Prometeu po 
                            e ndien se paralajmërimi i Hermesit po bëhet 
                            realitet.
                          
                            PROMETEU
                          S'qënkan fjalë boshe, se me të vërtetë
                            toka më rrëmet po trandet(9) e dridhet.
                            Oshëtijnë bubullimat me gjëmime,
                            gjarpërojnë rrufetë me vetëtima,
                            gjuhë flakë zigzag bëjnë nëpër 
                            qiell,
                            flakërimat verbojnë do gjë përqark!
                            Era pluhurin rrugës ngre në ajër,
                            shqota ulërin, vërshëllen me lemeri!
                            Shotë me shqotë po përpalsen, po përleshen
                            tok' e qiell e çdo gjë u përie në 
                            botë!(10)
                            ja, ç'furtunë dërgoi zeusi i tërbuar
                            për të më ndëshkuar, për 
                            të më përkulur!
                            Shih, o mëmë tokë.
                            E nderura nënë,
                            shih eter i shenjtë
                            që më ndrite botën
                            skaj me skaj pështjell,
                            shihni si po vuaj
                            krejt pa pasur faj!