Tragjedia "Promoteu i mbërthyer" 
                            është një nga veprat më madhështore 
                            të Eskilit.
                            Kjo tragjedi është pjesë përbërëse 
                            e një trilogjie, dy pjesët e tjera të 
                            së cilës Prometeu zjarrsjellës dhe 
                            Prometeu i çliruar nuk janë ruajtur.
                            Sipas mitit, Prometeu krijoi me baltë njeriun 
                            e parë, i cili me kohë, u shumëzua, 
                            Qe të mos i linte në mjerim dhe padije, 
                            shkoi te qerrja e zjarrtë e Diellit (Helios), 
                            vodhi një shkëndijë të cilën 
                            e vuri në një kallam dhe këtë 
                            burim të zjarrit hyjnor ua solli njerëzve, 
                            Kjo e bëri Zeusin të tërbohet nga mëria, 
                            dhe të urdhërojë Pushtetin, Dhunën 
                            dhe Hefestin ta mbërthejnë Prometeun në 
                            një shkëmb në malet e Skithisë 
                            në Kaukaz. Këtu fillon dhe veprimi i tragjedisë 
                            që zhvillohet në atë vis të egër 
                            e të shkretë, ku nuk ka shkelur këmbë 
                            njeriu.
                            Dersa Prometeu është duke u ankuar për 
                            këtë ndëshikm të padrejtë, 
                            dëgjohet frushullima e flatrave të nimfave 
                            oqeanide, që vijnë nga larg për ta 
                            ngushëlluar së bashku me babanë e tyre, 
                            Oqeanin, i cili i shpreh keqardhjen e heroit dhe orvatet 
                            ta bindë që të pajtohet me Zeusin. 
                            Por Prometeu pranon më mire të vuajë 
                            se sa t'i përulet tiranit. Oqeani largohet.
                            Prometeu i tregon korit të nimfave Oqeanide të 
                            mirat që i ka sjellë njerëzimit.
                            Ndërkaq vjen Ioja(1), viktimë e Zeusit, 
                            të cilën gruaja e tij, Hera, e kishte shndërruar 
                            në mëshqerrë dhe e kishte detyruar 
                            të bridhte nëpër botë pa gjetur 
                            kurrë prehje. Prometeu, i cili ishte i pajisur 
                            me dhuntinë profetike për të njohur 
                            të panjohurën, i paraflet Iojës për 
                            vuajtjet e tjera që ajo do të heqë, 
                            dhe se si nga fisi i asaj do të lindë një 
                            hero shumë i fuqishëm, i cili do të 
                            çlirojë Prometeun nga vuajtjet. Këtu 
                            krijohet nyja që lidh tragjedinë me pjesën 
                            e tretë të trilogjisë Prometeu i çliruar.
                            Zeusi, i tërbuar nga qëndrimi i paepur i 
                            titanit, dërgon Hermesin për ta kërcënuar 
                            dhe detyruar t'I zbulojë të ardhmen, por 
                            Prometeu hesht. Heshtja e tij shpreh më shumë 
                            se çdo fjalë urrejtjen për tiranin. 
                            Atëherë Zeusi nuk duron më dhe e gjuan 
                            me rrufe Prometeun, i cili groposet bashke me shkëmbin 
                            ku ishte mbërthyer, në fund të dheut.
                            Tragjedia "Prometeu i mbërthyer" është 
                            një vepër e mbushur me patosin e luftës 
                            për liri, me bukurinë e vetëflijimit:
                          M'u dhimb gjithçka, veç vetja nuk m'u 
                            dhimb.
                          Konflikti midis Prometeut dhe Zeusit ka një 
                            kuptim të thellë filozofik në të 
                            gjitha rrafshet e mendimit njerëzor. Eskili përmes 
                            tij goditi tragjikisht për vdekje obskurantizmin 
                            dhe tiraninë.
                            Prandaj Prometeun e kanë quajtur "Shënjtin 
                            dhe martirin më fisnik në kalendarin filozofik". 
                            Figura e heroit që pranon më mirë të 
                            vuajë e të durojë dhembjet më 
                            të tmerrshme, sa si t'i nështrohet Zeusit 
                            dhe ti shërbejë si skllav, është 
                            dhënë në tërë madhështinë 
                            dhe krenarinë e martirit kryengritës.
                            Në fjalët e Oqeanideve që i thonë 
                            heroit se kur të çlirohesh ti, do të 
                            matësh në fuqi me Zeusin, poeti sheh mundesitë 
                            njerëzore për të sfiduar qiellin. Eskili 
                            e ka zbritur prometeun hyj në tokë, e ka 
                            humanizuar për të simbolizuar me të 
                            drejtësinë, arsyen njerëzore kundër 
                            arbitraritetit dhe pushtetit absolut të hyjnive:
                            Ta them haptazi: të gjithë ju hyjni
                            Të qiellit ju urrej…
                          I thotë heroi Hermesit.
                            Zjarri prometean simbolizon arsyen, përparimin, 
                            dritën që do të ndriçojë 
                            mendjen e njeriut dhe që do ta bëjë 
                            atë të vetëdijshëm për madhështinë 
                            e tij. Në këtë vështrim Prometeu 
                            është një filozof iluminist. 
                            Parashikimi i Prometeut se një ditë do të 
                            çlirohet nga vargonjtë e Zeusit, qëndron 
                            në besimin në forcën emancipuese të 
                            përparimit, që e ka burimin nga shkëndia 
                            që ai i dha njerëzimit.
                            Figura e Prometeut, e të parit romantik të 
                            madh në letërsinë evropiane, që 
                            ëndërron për ditë më të 
                            mira, kjo figurë, për fisnikërinë 
                            dhe dashurinë e pakufishme që ka për 
                            njerëzit, është një nga më 
                            madhështoret e më të bukurat në 
                            galerinë e artit botëror.
                            Dinjiteti dhe përmasat vigane të Prometeut 
                            shquhen më mirë në sfondin e hyjnive 
                            të tjera servile, që i shërbejnë 
                            qorrazi Zeusit tiran. Pushtetit dhe Hefestit, që 
                            e mbërthejnë në pranga, heroi u thotë 
                            se është "… armik i Zeusit/ dhe i gjithë 
                            perëndive/ që kërrusin qafën". 
                            Personazhe që i binden pa asnjë luhatje, 
                            e madje me zell të madh, vullnetit të Zeusit, 
                            janë Pushteti, dhuna dhe Hermesi. Në gojën 
                            e tyre nuk i vihet asgjë e keqe Zeusit. Poeti, 
                            përmes personazheve të tjera hyjni, ka mundur 
                            të zbulojë gjendje psikologjike të 
                            ndryshme në mardhënie me heroin. Hefesti 
                            i bindet urdhërit të Zeusit, por i dhimbset 
                            Prometeu ashtu siç i dhimbset edhe Oqeanit, 
                            veçse këta nuk arrijnë të kuptojnë 
                            se si mund të guxojë ndokush të ngrihet 
                            kundër Zeusit.
                            Ato që ndiejnë një dhembje me të 
                            vërtetë të thellë për Prometeun 
                            janë nimfat Oqeanide, që janë plotësisht 
                            të ndërgjegjshme për karakterin despotik 
                            e mizor të Zeusit.
                            Por edhe Oqeanidet, duke parë vuajtjet e rënda 
                            të Prometeut, dhe pse u dhimbset, mundohen ta 
                            pajtojnë me Zeusin.
                            Tragjedia ka një ndërtim të thjeshtë; 
                            veprimi në të është i brendshëm, 
                            me kontraste që zbulohen gjithnjë e më 
                            mirë në tërë mprehtësinë 
                            e tyre përmes një debati të ndezur, 
                            të pasur në ngjarje e legjenda sa të 
                            bukura e poetike, aq edhe tragjike e të dhimbshme 
                            për fatin e heronjve-viktima e të përndjekur 
                            nga hyjnitë.