Esat Mekuli

 

 


 

Në Mëngjes

Horizonte zbulue me bardhsi mëngjesore
zgjohen…
Dy-tri përvidhen hapsirë,
udhëtojnë,
t'bardha e t'holla
si çarçafë t'lëshuem n'erë…

Fushat pëshpërisin lutje mëngjesore.
Ditën e re përshëndesin
Me lojë kunorash -
Drujt e gjethuem;
në bar kanga e gjallesave t'imta
ende himnin e saj…

Livadhe dhe arave t'vesueme,
zane… Dita po gdhin.
Fushat erënjoma shtrihen
Si trup i gufuem femne…

Endem, si fëmi, n'qetësinë mëngjesore
dhe trupin e ushqej me freski
t'barishtave dhe t'erës;

përkdhel mëngjesin me sy t'mbyllun
dhe thellë n'zemër qetoj,
me harresë mësheh, mbuloj
dhimbjet e shpirtit t'varruem.

1934

------------------------------------------------------ Koment
Në këtë poezi të shkruar në vargje të lira, ashtu si dhe në mjaft krijime të tjera, Esat Mekuli na paraqitet një lirik i hollë që di të pikturojë si natyrën ashtu edhe ndjenjat e njeriut përpara kësaj natyre. Bukuria e fushave, qetësia mëngjesore, drujtë e gjethuem, me një fjalë mbarë natyra është diçka që qetëson "dhimbjet e shpirtit t'varruem" të poetit.
Poezia "Në mëngjes" është një shembull që dëshmon se si poezia shqiptare nëpërmjet poetëve të ndryshëm të kohës (Migjeni, Mekuli etj.) vjen duke u bërë përherë dhe më metaforike (d.m.th. metafora bëhet figura qendrore e saj). Kjo praktikë u përgjithësua më pas me Martin Camaj-n, Ismail Kadare-në dhe Din Mehmeti-n.

1916 - 1993

Jeta dhe Vepra

Poezi