Faqja Kryesore  >> Letersi  >> Moderne
 

Letërsia e Moderne

 

   E Vjetër

 
 

   E Bejtexhinjve

 
 

   E Rilindjes

 
 

   E Pavarësisë

 
 

Ju ndodheni ketu Moderne

 
 

   Antike Greke

 
 

 


 

Hyrje

Pas Luftës së Dytë Botërore letërsia shqiptare eci në një rrugë mjaft të vështirë e komplekse. Karakteristikë kryesore e kësaj periudhe është shkëputja jo e natyrshme e letërsisë nga tradita e saj dhe ndikimi i fuqishëm, po ashtu jo i natyrshëm, që ushtroi mbi të përvoja krijuese e metodës së realizmit socialist. Veçoria tjetër, mbase më e rëndësishme dhe me pasoja më të rënda, është se letërsia shqiptare do të zhvillohej e ndarë nga një kufi politik brutal dhe kufizimet e një regjimi diktatorial. Kështu do të kemi: letërsi të zhvilluar brenda kufirit të shtetit shqiptar; të shqiptarëve në përbërje të ish Jugosllavisë, kryesisht në Kosovë dhe në Maqedoni, si dhe të shqiptarëve të diasporës.
Këto karakteristika ndikuan fuqishëm në rrjedhën e letërsisë shqiptare në përgjithësi, si dhe në fizionominë, strukturën artistike apo frymëzimin tematik të saj. Gjatë katër dhjetëvjetëshave të parë të shekullit XX e sidomos gjatë viteve '20 e '30 letërsia shqiptare pari një zhvillim të hovshëm dhe të gjithanshëm. U rrit si numri i krijuesve, ashtu dhe numri i veprave letrare të botuara, të cilat u ngritën në një shkallë më cilësore artistike, duke krijuar premisat për një komunikim më të afërt me përvojat e përgjithshme letrare në Evropë. Përmes shkrimtarëve të talentuar, të shkolluar nëpër qendra të ndryshme të Evropës, në letërsinë shqiptare filloi të depërtojë fryma e drejtimeve dhe e ndjeshmërive të reja krijuese letrare të kohës. Siç dihet, gjatë këtij harku kohor shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë shqiptare, si: Fishta, Konica, Noli, Poradeci, Koliqi, Migjeni, Kuteli, shënuan disa nga kulmet më të larta të letërsisë shqiptare, në llojet dhe zhanret e gjinive të ndryshme. Në këtë kontekst letrar llojet e gjinisë lirike do të jenë ato që përparojnë, por një hov të dukshëm do të marrin
edhe llojet epike, drama, kritika dhe teoritë letrare.


Krejt ky fluks i pasur krijuesish të talentuar të moshave të ndryshme, të nxitur dhe të mbështetur nga shtypi periodik letrar i drejtimeve dhe i shkollave të ndryshme, do të vazhdojë, thuajse po me këtë ritëm dhe gjatë pjesës së parë të viteve '40.
Për çudi, jehona e hovit të tillë krijues nuk u ndërpre menjëherë pas përmbysjes së pushtimit nazist dhe vendosjes së pushtetit komunist. Pati një tolerancë gjatë ditëve të para të pushtetit të ri ndaj frymës së lirë, liberale në krijimtarinë artistike, e cila do të vazhdojë ta ketë këtë fat edhe për dy-tre vjet. Por siç dihet, tanimë nuk ishte më ai rreth individualitetesh të jashtëzakonshëm krijuesish të viteve'30. Noli e Koliqi do të vazhdojnë të krijojnë nëpër Evropë e Amerikë, por të shkëputur totalisht nga letërsia në Shqipëri dhe pa kurrfarë ndikimi mbi të. Lasgushi kishte pushuar së krijuari. Migjeni dhe Fishta nuk ishin më. Nga ky rreth kolosësh të letërsisë shqiptare, vetëm Kuteli do vazhdojë të jetë vazhdimi i natyrshëm i letërsisë së Pasluftës duke botuar sa herë i hiqej çensura. Do të vazhdojnë fare ndryshe krijimtarinë e nisur që më parë: Petro Marko, Vedat Kokona, Shefqet Musaraj, Fatmir Gjata, Sterjo Spasse, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi etj. Nga poetët që krijuan në vitet e para të çlirimit dhe që krijimtaria e tyre pati jehonën e entuziazmit kolektiv të këtyre viteve, janë: Aleks Çaçi, Luan Qafëzezi, Llazar Siliqi etj.
Kështu, pas luftës dhe gjatë viteve '50 do të duket qartë orientimi i ri në fushën e letërsisë shqiptare, si në rrafshin tematik, dhe në atë të përvojave dhe të metodave e prosedeve krijuese. Tematikisht letërsia u përqëndrua kryesisht, në jehonën e lirisë së fituar nga Lufta Nacionalçlirimtare, kurse ngjyrimi i aktualitetit dhe i botës reale u reduktua kryesisht në bardhë e zi. Si përvojë shkrimi, veprat letrare të kësaj periudhe shpesh do të qëndrojnë ndërmjet gjuhës së rrëfimit letrar dhe atij propagandistik. Kryesisht këtë vulë proceduese kanë romanet e para gjatë viteve '50. Po kaq skematik ishte dhe mendimi kritik zyrtar i asaj kohe, që do ta përkrahte këtë
letërsi.
Nga fundi i viteve '50, e sidomos me fillimin e viteve '60, pra pas një dekade e gjysmë që nga çlirimi, do të bëhen hapat e parë për ta nxjerrë nga ky shabllon letërsinë shqiptare. Në këtë kontekst duhet përmendur, pikërish viti 1958, kur Petro Marko do të botojë romanin e tij të parë "Hasta la Vista", që sjell një tjetër tematikë në romanin shqiptar, një tjetër frymë dhe ndjeshmëri në paraqitjen e personazheve (tanët dhe të huajt). Dy vjet më vonë ai do të botoië dhe romanin "Qyteti i fundit" me prirje për të shmangur skematizmin. Pas tij Ismail Kadare boton romanin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1962), që, shtegun e paralajmëruar nga romanet e Petro Markos, do ta ngrejë në një nivel ndërkombëtar.
Pas romaneve të dy autorëve të përmendur, gjatë viteve '60, Jakov Xoxa do të botojë romanin "Lumi i vdekur" që, nga një aspekt tjetër procedura, do të konsolidojë prirjen e romaneve shqiptarë, për të kërkuar rrugë të reja në paraqitjen e botës shqiptare. Pas Jakov Xoxës do të paraqitet Dritëro Agolli me një seri romanesh, Dhimitër Xhuvani, Ali Abdihoxha, Skënder Drini, Sabri Godo, Vath Koreshi etj., ndërsa majën e poezisë lirike do ta zenë Fatos Arapi, Ismail Kadareja dhe Dritëro Agolli, të cilët do të çelin një rrugë të mbarë dhe për një brez poetësh të rinj të talentuar si: Dhori Qiriazi, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Frederik Rreshpja, Natasha Lako etj.

Letërsia Moderne

Hyrje
Shqipëria
Kosova
Diaspora

Autorët

Petro Marko
Jakov Xoxa
Kasem Trebeshina
Fatos Arapi
Anton Pashku
Nazmi Rrahmani
Martin Camaj
Dritëro Agolli
Ismail Kadare
Azem Shkreli
Ali Podrimja
Arshi Pipa
Lluka Perone
Esat Mekuli
Vorea Ujko


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003