Këtë përmbledhje me 
                            poezi lirike Naimi e botoi më 1890. Aty ai shfaqet 
                            më i plotë si poet. Talenti i tij lirik 
                            shpërthen në një rreth të gjerë 
                            ndjenjash tepër të holla dhe mendimesh të 
                            thella.
                            Motivet kryesore që trajtoi Naimi në përmbledhjen 
                            "Lulet e verës" janë tri: motivi 
                            patriotik, motivet filozofike dhe motivi i dashurisë(erotik).
                            Vjershat e motivit patriotik:
                            ("Shpreh", "Përse", "Gjuha 
                            jonë", "Korça", "Tradhëtorët" 
                            e ndonjë tjetër) janë lirika që 
                            shprehin ndjenjat qytetare të poetit ndaj Atdheut, 
                            vlerave të tij dhe fateve të tij.
                            Një nga përjetimet më të fuqishme 
                            të këtij motivi është besimi i 
                            palëkundur në të ardhmen e Shqipërisë, 
                            ndonëse dita e lirisë ishte ende larg. Por, 
                            duke u nisur nga fakti që lëvizja komëtare 
                            kishte përparuar, ishin hapur shkolla shqipe, 
                            ishin botuar libra e gazeta shqip, ndërgjegjja 
                            komëtare ishte forcuar, poeti shpërthen 
                            plot ngazëllim:
                          Për Shqipërinë
                            Ditët e mira
                            Paskëtaj vijnë,
                            shkoi errësira;
                            lum kush do të rronjë,
                            ta shohë zonjë! ("Shpreh").
                          Padurimi i poetit për të parë ditën 
                            e bardhë të lirisë është 
                            i madh. Kjo shpresë, kjo dritë e mban gjallë 
                            poetin, i cili, edhe pse me shëndet tepër 
                            të tronditur, ka besim se do ta arrijë:
                          As hidhe gardhë
                            Dhe shpejto pakë, 
                            o dit' e bardhë,
                            dhe jakë, jakë,
                            se të pres, 
                            nukë vdes ("Përse")
                          Dy vjersha që lidhen ngushtë nga idetë 
                            dhe patosi që i përshkron, janë "Gjuha 
                            jonë" dhe "Korça". Në 
                            to ai i ka thurrur gjuhës shqipe vargjet më 
                            të frymëzuara. Është ndër 
                            të parët poetë që i kënoi 
                            bukurisë dhe ëmbëlsisë së 
                            gjuhës sonë, është ndër të 
                            parët që kuptoi vlerat dhe mundësitë 
                            e saj të shumta për të shprehur mendimet 
                            dhe ndjenjat më të thella njerëzore:
                          Gjuha jonë sa e mirë!
                            Sa e ëmbël! Sa e gjerë!
                            Sa e lehtë! Sa e lirë!
                            Sa e bukur! Sa e vlerë! ("Korça")
                          Naimi shkruan plot entuziazëm për hapjen 
                            e shkollës së parë shqipe në Korçë 
                            më 1887 dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve 
                            të hyjnë me guxim në rrugën e 
                            diturisë e të kulturës. Kur ai thotë: 
                            "Të marrim diturinë…, tani lipsetë 
                            dritë ("Gjuha jonë"), kemi prirjet 
                            e tij iluministe dhe konceptin se liria nuk shkëputet 
                            nga progresi, nga "qytetërimi". Me 
                            një informacion krejt tjetër, plot mllef 
                            dhe urrejtje shpërthen ai në vjershën 
                            "Tradhëtorët". Ai u vë damkën 
                            e turpit atyre që tradhëtojnë kombin 
                            dhe bashkatdhetarët, atyre që harrojnë 
                            mëmëdheun dhe punojnë për të 
                            huajt. Vjersha tingëllon si një mallkim 
                            për tradhëtinë, kur poeti shkruan plot 
                            zemërim:
                          Buk' e mëmëdheut i zëntë
                            Tradhëtorët e pabesë!
                          Motivi filozofik zë vend të gjerë 
                            në "Lulet e verës" dhe mund të 
                            themi se Naimi themeloi në letërsinë 
                            shqiptare traditën e poezisë së mendimit.
                            Në lirikat filozofike gjejmë përsiatjet 
                            e poetit për botën, për jetën 
                            dhe vdekjen, për njeriun, perëndinë, 
                            për kohën që shkon pa kthim. Për 
                            herë të parë në letërsinë 
                            shqiptare trajtohen kaq gjerë koncepte të 
                            tilla filozofike, një botë përjetimesh 
                            që kanë në qendër njeriun. Me 
                            sinqeritet e me gjuhë plot emocione Naimi shpreh 
                            ide humane, dashurinë dhe besimin e tij ndaj 
                            njeriut. Në disa nga vjershat filozofike si "Jeta", 
                            "Zemra" e sidomos "Perëndia", 
                            spikat qartë një nga elementet bazë 
                            të botkuptimit të Naimit, panteizmi. Shfaqet 
                            aty nga ana mistike e këtij botëkuptimi, 
                            por nga ana tjetër, edhe mohimi i riteve të 
                            tepruara fetare. Ai pohon se perëndia është 
                            kudo, e shkrirë, e trupëzuar te çdo 
                            send a gjallesë e botës:
                          Ç'sheh, është zot' i vërtetë,
                            Ç'dëgjon, është zër' i 
                            tija,
                            Gjithë ç'ka e s'ka në jetë, 
                            
                            Është vetë perëndia ("Perëndia")
                          Në panteizmin e naimit depërton edhe humanizmi, 
                            besimi i madh i poetit te njeriu, që është 
                            qënia më e lartë e gjithësisë, 
                            sepse tek ai, sipas poetit, personifikohet vetë 
                            hyjnia:
                          Zemr' e njeriut në jetë
                            Është vend i perëndisë.
                          Te vjersha "Fyelli" (ashtu si te "Fjalët 
                            e qiririt", botuar më 1884) Naimi ngre lart 
                            misionin e poetit në shoqëri, idealet pozitive 
                            e humane të tij, të poetit që bëhet 
                            zëdhënës i shpirtit njerëzor.
                            Motivi erotik është trajtuar në një 
                            cikël të tërë vjershash me titullin 
                            e përbashkët "Bukuria". Lirikën 
                            e dashurisë e kishin lëvruar edhe bejtexhinjtë, 
                            por Naimi e ngriti në një nivel artistik 
                            të ri. Shpesh përcolli edhe koncepte etike 
                            e filozofike.
                            Poeti i këndoi bukurisë së vashës, 
                            para së cilës mrekullohet edhe në të 
                            zbulon një pjesë të bukurisë universale. 
                            Ai e koncepton atë si shfaqje të përsosmërisë 
                            njerëzore, të harmonisë dhe bukurisë 
                            hyjnore. Ndihet në to edhe ndikim i poezisë 
                            orientale. Heroi lirik të kujton bilbilin, kurse 
                            vajza e dashur trëndafilin, figura konvencionale 
                            të asaj poezie. Ndjenja e poetit është 
                            platonike, abstrakte, dhe nuk ka atë shfaqje 
                            konkrete si në lirikën popullore ose më 
                            vonë si në poezinë e Çajupit. 
                            Si romantik, Naimi këndoi më shumë 
                            vuajtjet që sjell dashuria, sesa gëzimet 
                            e saj. Në këto ndjenja, zbulohet një 
                            zemër shumë e ndjeshme dhe mbi të gjitha, 
                            shumë njerëzore. Dashuria për poetin 
                            është gjithmonë një ndjenjë 
                            e lartë, fisnike dhe e pastër.
                            Në ciklin "Bukuria" afrimi me poezinë 
                            popullore është mjaft i dukshëm. Poeti 
                            mori prej saj mjete artistike e teknika vëzhgimi 
                            dhe krijoi vargjet plot spontanitet e bukuri të 
                            rrallë:
                          Bukuroshe, sy mëshqerrë,
                            shikomë njëherë mua,
                            trëndafil i kuq me erë
                            e di, vallë, se sa të dua?
                            E mora vdekjen në sy,
                            do të vdes, të vdes për ty.
                          Me "Lulet e verës" Naimi arriti pjekurinë 
                            e plotë si poet lirik Larmia e motiveve, pasuria 
                            dhe thellësia e ndjenjave kanë përcaktuar 
                            edhe përdorimin e një gjuhe poetike të 
                            larmishme e me shprehësi të lartë. 
                            Sa optimist e i ngazëllyer është kur 
                            shpreh besimin tek e ardhmja, aq i përmbajtur 
                            e meditues është kur flet për probleme 
                            të qënies, të filozofisë, sa i 
                            trishtuar paraqitet kur kujton djalërinë 
                            e perënduar, kohën e ikur, dhe të vdekurit, 
                            aq i përndezur është në urrejtjen 
                            e tij kur mallëkon tradhëtarët. Naimi 
                            përdori mjete të shumta stilistike. Epitetet 
                            e goditura për gjuhën, anaforat tek vjersha 
                            "Fyelli", shpërthimet në formë 
                            pasthirrmash "Lum kush të rrojë…", 
                            krahasimi i Korçës së Mësonjtores 
                            së parë me trimin që sulet në 
                            ballë etj., etj, mbeten të pashlyera në 
                            kujtesë. Me shumë efekt poeti përdori 
                            edhe antitezat, veçanërisht ndërmjet 
                            disa fjalëve të caktuara me kuptim të 
                            përgjithshëm, por që ai i shënoi 
                            me një përmbajtje të qartë e me 
                            ngarkesë emocionale (drita-errësira; fatbardhësia, 
                            mbarësia, qytetëria, - ndarja, marrëzia) 
                            e që përfaqësojnë të parat: 
                            lirinë, emancipimin, kurse të dytat: zgjedhën, 
                            paditurinë, si plagë të pushtimit. 
                            Tërheq gjithashtu vëmendjen pasuria e rimave, 
                            e vargjeve e strofave me skemat AB, AB, A, AA, BCCB, 
                            ABAB, CC, të përdoruara rrallë ose 
                            aspak në poezinë shqiptare.
                            "Lulet e verës" (me "verë" 
                            Naimi quante pranverën) ishin simbol i së 
                            resë që po lindte, i lirisë, i asaj 
                            shprese dhe force të madhe që lindi poetin 
                            e madh dhe poezinë e madhe.