Faqja Kryesore  >> Letersi  >> E Rilindjes  >> Andon Zako Cajupi
 

Andon Zako Çajupi

 

   E Vjetër

 
 

   E Bejtexhinjve

 
 

Ju ndodheni ketu E Rilindjes

 
 

   E Pavarësisë

 
 

   Moderne

 
 

   Antike Greke

 
 

 



Autorët e kësaj periudhe

 

  Naum Veqilharxhi

 
 

  Sami Frashëri

 
 

  Pashko Vasa

 
 

  Jeronim De Rada

 
 

  Gavril Dara (i riu)

 
 

  Zef Serembe

 
 

  Naim Frashëri

 
 

Ju po shikoni kete autor Andon Zako Çajupi

 
 

  Ndre Mjeda

 
 

  Luigj Gurakuqi

 
 

  Filip Shiroka

 
 

  Mihal Grameno

 
 

  Risto Siliqi

 
 

  Asdreni

 


 

14 Vjeç Dhëndërr

(Është natë. Brënda në një odë për të fjetur, zoti Vangjel e zonja Tanë bëhen hazër për të rënur.
Në fund të odës ndrit një llambë afër shtratit.)


Tana.Dëgjo, burrë...
Vangjeli. Ç'ke, moj grua?
Tana. (Rënkon.)Jam sëmurë.
Vangjeli. Që kur! Ç'thua?
Tana.Ç'them? Ja them që jam sëmurë,
koka më digjet si furrë,
s'e keshë pësuar kurrë.
Vangjeli. Po tani, vallë, ç'pësove?
Më duket se u ftove;
gjithë natën u zbulove
dhe s'më lë fare të flërë!
Tana.Gjithë ditën ç'keshe bërë?
Ti për bar e për dru s'vete
dhe qahesh se nukë flete?
Tërë ditën ngas qetë
dhe drek' e darkë bëj vetë,
gjithë puna përmi mua!
Vangjeli. Përse të kam marrë grua?
Gratë për punë po janë.
Tana. (Qesëndis.)
Edhe burratë të hanë
dhe të rrinë nat' e ditë!
Vangjeli. (Me inat.)
Mos më bën të të godit.
se zakonë s'e harrova,
sonte shumë të durova.
Nga hunda s'më heq dot kurrë,
se nuk' jam si çdo burrë!
Jam shqipëtar i vërtetë,
do të bëj si dua vetë!
Ç'ke që s'pushon duke qarë?
Nga unë ç'të ligë ke parë?
S'të kam lënë si të tjerë,
Vetëm, të shkret' e të mjerë.
Nukë ika kurrë nga fshati,
eja, s'të shkoi inati?
Ngreu të biem të flëmë
dhe këto fjalë t'i lëmë.
Tana. Bjer e fli, mua s'më flihet.
Vangjeli.Nesër, porsa që të gdhihet,
do t'dërgoj djalën me vrapë
të bjerë jatronë (Doktorin)prapë.
Tana.Cinë jatro(Doktor)?
Vangjeli. Adhamutnë.
Tana. S'e shoh dot me sy çifutnë,
as për mace s'i vë besë!
Vangjeli. Le, moj grua, ta thërresë,
kokën mund të ta shërojë.
Tana. Nuk' e dua të më shojë!
Të bukur jatro që gjete!
Më për hair të ruaj qetë.
Vangjeli. Mos kuvëndo kështu, moj grua.
Tana. (Me inat.) Nuk' e dua, nuk' e dua!
Pse s'shëron gruan e tij?
Se nga ajo ha e pi. ..
Ndaj e mori me një sy,
i dalçinë që të dy.
Vangjeli. Ç'jatro të të bie unë?
Mitrua s'është këtunë,
dhe Naum kokëshiniku
këtejë natën iku. . .
Në vende të tjerë vanë,
këtu vetëmë na lanë,
ikn' e muarë Misirë,
u hante koka për brirë
Tana. Prapa diellit të venë,
se çnderuan mëmëdhenë,
s'jam sëmurë për jatrua,
se s'më ka gjë koka mua,
Po të më ndëgjosh një fjalë.
Vangjeli. Folë, ç'do të thuash vallë!
Do t'më lësh dhe sot pa gjumë?
Tana. Kemi ara, vreshta shumë. . .
Vangjeli. Të gjitha ç'duhen i kemi,
si do zot vetë jemi;
si ne s'ka shumë të tjerë.
Tana. Sa qe e ndyera vjehrrë,
pas takatit pleqërisë,
bënte punët e shtëpisë,
dhe kur ktheneshë nga ara,
gjejë darkënë përpara.
Po tani, ç'të bëj më parë,
në vrështë të jem a nd'arë?
Të të bëj dhe drek' e darkë?
Tani s'mund, se jam më plakë.
Vangjeli. Plakë? S'je plakë, moj grua,
po je ashtu si të dua.
Tana. (Me të lutur.) Të të vijë keq për mua:
punëtë janë të rënda,
S'punoj dot jashtë dhe brënda.
Puno sa të duash vetë
arat jepi me të tretë
Kjo punë s'bënetë kurrë,
po djali na u bë burrë.
Ndaj të lutem ta martojmë,
erdhi dita të gëzojmë.
Ne pa nuse pse të rrimë?
Kur të kem nusenë ndihmë,
punëtë bënenë vetë,
nukë rrojmë me jetë!
Pse s'më flet?
Vangjeli. Ç'të them, moj grua?
Çuditem me ç'fjalë thua!
Katërmëdhjetë vjeç djalë
do ta martosh?
Tana.Sa jam gjallë,
dua të gëzoj si mëmë!
Vangjeli. Eja të biem të flëmë.
Tana. T'i ç'më thua, u ç'të them!
Sikur kemi shumë djem!
Me Gjinë mbeti kjo derë.
Vangjeli. Qasu të të bëj të tjerë,
të pjellç, pa mbushurë moti...
Tana. (Duke qarë.) Me fjalë je shum' i zoti.
Vangjeli. Ç'ke që qa prapë taninë?
Tana. (Me lot.)Ku të mos qaj un' e mjera?
Une të flas me perëndinë,
ti më flet fjalë të tjera!
Vangjeli. Eja moj grua nër mënde.
Tana. Çuditem me kokën tënde.
Vangjeli.Sado qave, ngreu bjerë.
Tana. S'je baba si të tjerë!
Thuajmë, për perëndinë,
pse s'do ta martojmë Gjinë?
Vangjeli. Ësht' i vogëlë, moj Tanë!
Tana. ç'thua! Pa shikoi shtanë
bota nukë shonë vjetë.
Shihe sa mori përpjetë:
duketë njëzet vjeç djalë,
kur hipën e bredh me kalë.
Me mua kur u martove,
sa vjeç jeshe, mos harrove?
Tani për djalënë tonë
do të ndërrojmë zakonë?
Vangjeli. Mos kërko ç'bënim njëherë,
Po shiko ç'bëjnë të tjerë:
Shiko bejnë rrënjëdalë,
nukë ka dhe ai djalë?
Kur i thashë ta martojë,
"Le të bëjë si të dojë,
s'më ha malli për tim birë,
u për vete të rroj mirë"
më tha dhe më ktheu kratë.
Tana. I muarë mëntë gratë!
Të bukur njeri që gjete!
Ai të kish mënt për vete,
nukë shkretonte shtëpinë,
s'kish marrë porropotinë!
Mëndjeprishur, zemërligu,
la të shoqenë dhe iku!
E zeza grua se ç'hoqi'.
Njëzet vjet e la i shoqi
dhe në pleqëri s'e poqi,
(Të mos arrij' të kish ardhë!).
nukë pa ditë të bardhë:
nat' e ditë duke qarë
nga turpetë që kish parë.
E mba mënt ç'grua ka qënë?
S'kishe shoqe në vënd tënë:
e nderçme, zëmërmirë,
punoi e rriti të birë.
Ka qenë grua për mbretnë.
burri s'ja diti kimenë.
Dhe tani në pleqëri,
dashuri më dashuri!
E gjetë nga perëndia,
se prishi shtëpin' e tia!
Gruaja vdiq nga qederi!
Këtë kërkonte dhe derri:
tani mban disa të tjera,
i vaftë shpirti në ferra.
Vangjeli. Pse kuvëndon kështu, moj Tanë?
Njerëzit e mëdhenj kështu e kanë:
njerëzit e tyre i mundojnë
duan ata q'i lëvdojnë.
Tana. Në bëjnë kështu të mëdhenjtë,
djalli t'i marrë për jetë!
Beu djalën ta martojë!
Me sy nukë do ta shojë,
se në turpe do të rrojë,
si ka rrojturë ngaherë!
Dhe guxon e mson të tjerë!
Ka lojturë nga fiqiri.
Një ditë më thosh i biri:
"Baban' e mirë nderoje,
baban' e lik duroje"
Do të bëhet djal' i mbarë,
se me mëmënë ka gjarë
Po në ngjaftë me babanë. ..
Vangjeli.
Minji gdhietë, moj Tanë!
Tani lë bejnë mënjanë
dhe hajde të flemë pranë,
eja se më mori gjumi. (Shtrihet.)
Tana. Dhe mua më marrtë lumi!
Vangjeli.
Pa dhe nesër kuvëndojmë
Tana. Djalënë do ta martojmë?
Vangjeli. Pa të shomë. . .
Tana. Ço të shoç?
Nukë do të më ndëgjoç!
Ndëgjo dhe mua një herë.
Vangjeli.
Të ndëgjoj, po hajde bjerë.
Tana. Të vi, po të më apç fjalën,
që do të martojmë djalën.
Vangjeli. Puna, s'bënet me një natë,
do menduar gjer' e gjatë.
Tana. Ç'do menduar, pa më thua?
Vangjeli. Ç'vajzë do t'i apëm grua?
Tana. Mos e ki këtë qeder:
djalën tënë kush s'e merr?
Kush nuk' e do Gjinon tim,
q'është nga trimat më trim?
Vangjeli. Trimërinë s'ja nxë dheu!
Tana. Nukë është si djalë beu. ..
po ësht' i mir' e i mbarë,
kush ta rrëmbejë më parë.
S'është ndonjë djal' i mbetur
unë nusen ia kam gjetur.
Vangjeli. Ja ke gjetur! Po ç'e thonë?
Tana. Çupën e gjitonit tonë.
Vangjeli. Cinë çupë, Marigonë?
Çupën e zotitë Kore?
Tana. E bukur e punëtore.
Mos e pyet ç'grua është!
Si për ara dhe për vrështë,
pun' e saj s'gjëndet në jetë,
Punon vetëmçi sa dhjetë!
Nukë them mirë? Ti ç'thua?
Vangjeli. Në do të më ndëgjosh mua,
Gjini Katonë të marrë,
të bëhem krushk me korçarë. . .
Ara, vreshta shumë kanë.
Tana. Ti pse s'e do Marigonë?
Ajo nuse bën për mua.
Vangjeli. Po ësht' e madhe, moj grua.
Njëzet vjeçe!...
Tana. Kaq e dua,
nukë marr nuse për sisë,
po për punët e shtëpisë;
të dijë të ngasë qetë,
se nukë mund t'i ngas vetë,
të na bëjë dru nga mali.
Vangjeli.Mirë ti, po ç'thotë djali?
Gjini me të do të rrojë.
Tana. Doemos që do të dojë!
Pse kuvëndon kshtu, mor burrë?
Pyeten fëmija kurrë?
Ta martojm' ashtu më rruash.
Vangjeli. Moj grua, bën si të duash
dhe më qafë t'i kesh vetë!
Tana. Em këtu, em n'at jetë!. . .
Nesër do t'vete të bluaj,
të shëtunë të gatuaj,
të diel të bëjmë dasmë,
gjithë miqtë t'i gërshasmë (Qan).
Vangjeli. Tani pse qa?
Tana. Qaj nga gazi,
më shpëtove nga marazi.
Tani do të bënem vjerrë!
Vangjeli. Shuaj dritën dhe shko bjërë.
(Të dy bien të flënë në shtrat. Perdja mbyllet.)

Pamje e Katërt; Dit' e Dasmës
(Ndë odë të krushqet, sofra plot me mish të pjekur m'
hell. Burra, gra, çupa, djem, këndojnë a hedhin valle.
Çoku kërcet ndonjë pushkë. Burrat e shtrojnë me dolli,
dhëndri rri më këmbë, dhe dy a tri trima qerasin krushqit pas urdhërit "dollibashit". Këto të gjitha bëhenëmë darkë.)
I.
Gratë vetëm:
A të pëlqen nusia,
more djal' o lulia?
Ësht' e mir' e shoqe s'ka,
m'e mirë nga gjithë na.
Nusia si zogë deti,
sikur është bijë mbreti.
Gra e burra bashkë:
Ç'mirë ja bëm' krushkësë,
q'i muarm të bijënë,
atë më të mirënë,
Maro gjeraqinënë.
Burrat vetëm, në valle:
Moj unaza rreth me ar,
për grua do të të marr,
gjithë të kanë nakar.')
nakar le të kishninë,
sa të mos pëlcisninë.
Moj unaza rreth flori,
gjithë të kanë zili,
se do të të marr ndë gji.
Zili le të kishninë,
sa të mos pëlcisninë.
II
(Burrat rrinë përdhe të pinë me dolli.)
Nuni: Djalë, bjerë,
shtjerë verë
shtjerë, shtjert
në të tjerë.
Pini verë,
mor të mjerë,
se qederë
do tua nxjerrë.
Gjithë burrat:
Kush e pi këtë dolli?
Zoti nun me trimëri,
i gëzofshim më shtëpi!
Nuni te prifti: 0 prift, të kam gjetur!
Pa pirë ke mbetur,
të gjej me kupë me verë
të ëmbël si sheqerë.
Prifti Tek unë mir' se të vish.
Nuni. Këtë ta dish e ta pish
për shëndet të dhëndërit,
që rri më këmb' e dremit.
Gjithë tok
Shëndet të mirë të ketë,
të trashëgohet për jetë! (Kërcet
një pushkë).
Prifti. (Te nuni) Zoti, nun, mir' se më erdhe!
Po verën pse na e derdhe?
Nuni. (Te prifti)
Mir' se të gjeta, uratë,
të kesh jetënë të gjatë.
Kupën e piva me fund
dhe më tutje, mo e tund.
Prifti. S'e pi dot, jam prift njeri.
Nuni. Të di, uratë, të di. . .
Prifti. Kur e bën emërë vete
pikë në kupë mos mbete!
Ti që vure sot kurorë,
pagëzofsh edhe me dorë,
Gjithë tok:
Nuni që vuri kurorë
pagëzoftë edhe me dorë
urdhër, o nun se jam plak
të lutem, bëmë konak.
Nuni. Konak? Gjej Vangjel' e shkretë.
Prifti. Këtë kërkojë dhe vete'
Vangjel, e mira të gjetë.
Vangjeli Me një kupë ç'do të jetë?
Prifti. E di mirë kush martonet?
Djali të të trashëgonet.
Do ta pi pas urdhërit,
shëndet të dhëndërit!
Gjithë tok
Dhëndëri të trashëgonet,
të gëzonet e të shtonet!
Vangjeli. S'e pive të tër' uratë!
Prifti. Përmbys e ktheva, s'e patë?
Vangjeli. prift, mirë se urdhërove,
rrofsh e qofsh që më nderove!
Dhe dollibashi na rroftë,
dhëndëri ju trashëgoftë'
Gëzofsh dhe në dere tënde'.
Nuni. Dhe zoti të dhëntë mëntë!. ..
Vangjeli. Unë verën s'e kam pirë
që të mos kuvëndoj mirë.. .
Po dilni, paskam mënt pak,
të lutem bëmë konak.
Nuni. Ç'konak kërkon të më thuash?
Vangjeli. Dërgomë ku do të duash!
Nuni. Zotnë Brodanë të gjësh
dhe si të duash të bësh!
Vangjeli. 0 zoti Brodan, të gjeta!
Brodani. Mir' se erdhe, t'u ngjatë jeta'
Vangjeli. Këtë kupëzë, ta dish,
për dhëndërin plot ta pish.
Gjithë tok:
Dhëndëri shumë të rrojë,
jetë të mirë të shkojë!
Brodani. Zotrote që gjete mua,
më shtëpi ta paça hua!
Dhe dollibashi me nder,
u bëftë dhe vetë vjehrr
dhe rroftë sa shkëmb' i malit.
Nuni. Gëzofsh më dasmë të djalit!
Brodani. Ku do t'më dërgosh të pshtetem,
se do të pi e mos dejtem.
Nuni. Ecë pshtetu te Abazi,
s'ka pir' e ju tha gurmazi.
Brodani. Të gjeta, Abaz i mjerë!
Abazi. Kshtu të më gjesh kurdoherë!
Brodani. Këtë kupë do ta kthej
për shëndet të këtij bej.
(Rrëfen dhëndërin.)
Gjithë tok:
Me nuse të trashëgonet,
nga e liga të mërgonet!
Abazi. (Te nuni) Dollibash, të qofsha falë,
zoti të faltë një djalë'
Nuni. Rrofsh e qofsh!
Abazi. Kush më ka gjetur?
Nuni. S'e ndëgjove? Keshe fletur?
Të ka gjetur Brodan Duni.
Abazi. Më ke gjetur, thotë nuni,
të gjet' e mira përjetë,
të rrosh sa të duash vetë.
Gjithë tok:
S'mba mënt? U deje pa pirë?
Abazi. Dhe në mos kuvëndoj mirë,
un, i mjeri jam çoban;
sos jam, i ziu, në stan,
dhe sos jini dhën e dhi,
të di për cinë të pi.
Nuni. Ky është shëndet i parë,
për dhëndërin, mor i marrë.
Abazi. Sa malet, o nun, të rrosh!
Tani ku do t'më dërgosh';
Se dua të pi një verë.
Nuni. (Numëron) Një, dy, tri,. . . s'ka më të tjcrë.
Abazi. Numuroi dhëntë mirë.
Nuni. Le të kollet kush s'ka pirë...
Me mua, zoti Abaz.
Nuni. Të gjeça kurdo me gas.
Këtë kup do ta pi
për shëndet. të dhëndrit të ri.
Gjithë tok.
Shëndet të mirë të ketë
dhe të gëzojë përjetë!
I zot' i shtëpisë rroftë
dhe djali ju trashëgoftë!
(Soset dollia dhe prifti ngrihet e zë vallen me burra,
duke kënduar).
Prifti:
Do të them një këngë vetë,
këngë prifti të vërtetë,
rroftë vështi dhe dhëria,
rroftë vera dhe rakia,
q'i ka bërë përëndia.
Se dhe zoti Krisht një herë
mori uj' e bëri verë.
Moj verë, burim i gjakut,
gaz' i djalit e i plakut!
0 raki, moj bukuroshe,
që na hedh qoshe më qoshe!
Se ç'bën vera e rakia,
pin' e dejen trimëria,
sa vjen rotullë shtëpia!
Det i madh e det i gjerë,
pse s'të bëri zoti verë,
se do ta pinim pa blerë?
IV
(Është natë: krusliqit zën' e ikin duke uruar mëmën
e dhëndërit, zonjën Tanë, që është shumë e gëzuar.)
Nuni. Të të trashëgonen!
Brodani. Si bletë të shtonen!
Abazi. Me jetë t'u rrojnë!
Prifti. Dhe t'u pleqërojnë!
Tana. U paça, të rroni,
gjithë të gëzoni!
(Një nga një ikin të tërë dhe mbeten vetëm ndë odë
Tana me djalë e me nuse.)
Tana. (Tek i biri) Rri me nusen, djalë,
dhe foli dy fjalë,
të mos ketë frikë.
Dhëndëri (i thotë s'ëmës)
Ngreu mëm' e ikë.
(Tana ikën.)

(Dhëndri me nusen mbeten vetëm)
Dhëndëri. Lozëm ndonjë lodër?
Të dua si motër.
Nusja. Ç'motër më ke mua,
o lum' e përrua?
Ti më more grua.
Dhëndëri. Pse u zemërove
dhe u hidhërove?
Kur s'lot ndonjë lodër,
s'të dua si motër,
të dua si mëmë!
Po hajde të flemë,
se më mori gjumi.
Nusja. Fli të marrtë lumi!


1866 - 1930

Jeta dhe Vepra

Komedi

Poezi

Fabula

 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003