Ky realitet historik, plot trazira 
                            e shqetësime u pasyrua me forcë të 
                            madhe goditëse në komeditë e shkëlqyera 
                            të Aristofanit. Sulmet e tij kundër shoqërisë 
                            së kohës nuk duhen marrë si sulme kundër 
                            rendit demokratik. Autori demaskon me satirën 
                            e tij të fuqishme përfaqësuesit e padenjë 
                            të këtij rendi që fshihen pas parullave 
                            demokratike; këta janë nënpunësit 
                            e pandërgjegjshëm që grabisin arkën 
                            e shtetit, demagogët(2) që shfrytëzojnë 
                            besimin e popullit, oratorët e shitur, filozofët 
                            llafazanë që merren me gjëra pa vlerë 
                            dhe me teoritë e tyre edukojnë keq rininë. 
                            Duke u nisur nga këto vrojtime që nxjerr 
                            nga realiteti i kohës së tij, Aristofani 
                            kujton me nostalgji kohët e dikurshme të 
                            virtytit e të heroizmit, kur qytetarët luftonin 
                            me vetmohim për të mbrojtur atdheun nga 
                            sulmet e hordhive të huaja që vinin diku 
                            larg nga Azia.
                            Degjenerimin moral të shoqërisë poeti 
                            e gjen me shumë në qytetin grek, ku vërtitet 
                            turma e parazitëve, mashtruesëve, demagogëve 
                            që orvaten të tërheqin pas vetes për 
                            qëllimet e tyre politike njerëzit naïvë 
                            ose edhe të tjerë që kërkojnë 
                            të nxjerrin ndonjë përfitim nga rrethanat 
                            që u krijohen.
                            Problemi i edukimit të rinisë me normat 
                            e moralit të shëndoshë tradicional 
                            zë vend të dukeshëm në komendinë. 
                            "Retë", një nga veprat më 
                            të bukura të Aristofanit. Fshatari Strepsiad, 
                            i shkatërruar ekomomikisht nga i biri, i edukuar 
                            keq prej së ëmës, shkon në "mendimtoren" 
                            e filozofit sokrat për të mësuar artin 
                            e gënjeshtrës. Fillon mësimi: plaku 
                            kërkon të mësojë mënyrën 
                            si të mos të paguajë borxhet; por, 
                            meqë s'i hyn asgjë në kokë, e 
                            dëbojnë nga "mendimtorja". Dërgon 
                            atëherë të birin, i cili përvetëson 
                            mirë dhe me lehtësi të gjitha mësimet. 
                            Kthehet në shtëpi, i aftë tanimë 
                            të përcjellë duarbosh të gjithë 
                            ata që i trokasin në derë për 
                            t'i kërkuar borxhet. Por i biri duke menduar 
                            se arsyeja qëndron gjithnjë në anën 
                            e tij, arrin deri atje sa të rrahë të 
                            atin dhe të kërcënojë të 
                            ëmën. Strepsiadi i zhgënjyer nga kjo 
                            lloj edukate e të birit, me kurrizin që 
                            i dhemb ende nga dajaku, shkon dhe i ve zjarrin "mendimtores" 
                            së mallkuar.
                            Komedia "Retë" është e pasur 
                            në personazhe e situata komike, të përshkruara 
                            nga një ironi e hollë qesëndisëse.
                            Vetë titulli i komedisë priret të tregojë 
                            se doktrina filozofike e Sokratit u ngjan reve, që 
                            e ndryshojnë formën sipas erërave që 
                            fryjnë.
                            Një çështje e mprehtë që 
                            shqetëson Aristofanin është ajo e luftës 
                            dhe e paqes, që e ka trajtuar në komedinë 
                            e tij "Kalorësit", "Aharnianët". 
                            "Lisistrata" dhe "Paqja". Në 
                            to është vënë në shenjë 
                            të goditjes së tij satirike lufta e gjatë 
                            dhe e kobshme për hegjemoni midis qyteteve shtete 
                            greke, Lufta e Peloponezit. Në ndonjerën 
                            prej tyre ("Kalorësit") autori madje, 
                            vë në një pozitë komike edhe Demosin 
                            (popullin), i cili, i rrjedhur paksa nga trutë, 
                            hiqet për hunde nga demagogë të tillë 
                            si Paflagoni, që me genjeshtra dhe lajka, orvatet 
                            të nxjerrë fitime për vehte.
                            Në komedinë "Paqja" tregohet se 
                            si fshatari Trigje i dëshiruar për paqe, 
                            hipën në një lloj brumbulli shumë 
                            të madh dhe shkon në qiell për të 
                            liruar Paqen (Irenën), që luftëzënësit 
                            e kishin mbyllur në një guvë. Me ardhjen 
                            e paqes në tokë, jeta fillon të çelet; 
                            fshatarët, pjesa më e dëmtuar nga pasojat 
                            e luftës, nisin punën e tyre në arat 
                            e braktisura për kaq vjet me rradhë, dhe 
                            gëzojnë të mirat e prodhimeve që 
                            nxjerrin me djersë e mund. Kohës së 
                            tij, të mbarsur me luftra të vazhdueshme, 
                            Aristofani u kundërve kohët e para kur gjindja 
                            jetonte e qetë, secili shikonte punën e 
                            tij, nderonte dhe jetonte në harmoni me të 
                            tjerët. Komedinë e përshkon ndjenja 
                            e një malli të ëmbël për 
                            qetësinë fshatarake dhe gëzimin e punës 
                            paqësore, të cilat në kohën e 
                            tij i ka përpirë në vorbullën 
                            e saj ligësia:
                          Kujtoni ato kohë, o miq,
                            Kur paqja u falte begatinë,
                            Ato kepele varg me fiq,
                            Mushtin e ëmbël dhe mirsinë,
                            Lëndinëzën e lulëzuar,
                            Me vjollcat plot anës rrëkesë,
                            Ato ullinjtë e bekuar…
                          
                            Në qendër të vëmendjes së 
                            komediografit të madh janë gjithnjë 
                            problemet politike. Ai shpërthen me një 
                            furi të pashembullt kundër gjithë shkaktarëve 
                            të luftës së Peloponezit, ku përplaseshin 
                            interesat e klasave sunduese të Spartës 
                            dhe Athinës. Shkaktarët kryesore të 
                            luftës për Aristofanin ishin demagogët 
                            që qëndronin në krye të partive 
                            politike, ku kishin arritur me dinakëritë 
                            e premtimet e bukura që i bënin popullit. 
                            Një nga këta kundër të cilit autori 
                            shfryn mllefin e tij satirik, është Kleoni, 
                            udhëheqësi i partisë radikale në 
                            Athinë. Te Kleoni, Aristofani sheh në rradhë 
                            të parë luftënxitësin dhe mbrojtësin 
                            e flaktë të prirjeve hegjemoniste të 
                            Athinës në rivalitet me Spartën. Në 
                            këtë vështrim e ka paraqitur autori 
                            Kleonin në komedinë e tij, "Kalorësit", 
                            "Grenzat" etj. Në "Kalorësit" 
                            tehun e satirës së tij Aristofani e drejton 
                            edhe kundër parlamentit të Athinës 
                            për paaftësi në drejtimin e jetës 
                            së vendit, për prirje luftënxitëse, 
                            duke u bërë kështu vegël, në 
                            duart e demagogëve. Me ngjyra të karikaturës 
                            dhe të groteskut e ka paraqitur poeti parlamentin 
                            edhe në komedinë "Aharnianët" 
                            dhe sidomos te "Gratë në parlament". 
                            Meqënëse burrat u treguan të paaftë 
                            të drejtojnë jetën e vendit, këtë 
                            radhë janë gratë që marrin fuqinë 
                            në parlament dhe bëjnë reforma që 
                            synojnë të zhdukin dallimet sociale dhe 
                            t'u vinë në ndihmë të varfërve. 
                            Por edhe këto reforma, të paraqitura në 
                            vepër me situata dhe efekte komike, mbetën 
                            në rrafshin e një ëndrre të bukur, 
                            se nuk zgjidhen asgjë. Gjendja mbeti po ajo që 
                            qe.
                            Aristofani është një komediograf thellësisht 
                            realist, por shpesh mban dhe qëndim romantik, 
                            ëndërrues për të gjetur zgjidhje 
                            qoftë dhe në fantazi apo në mënyrë 
                            utopike(3), 
                            Për tërë ato probleme që e shqetësojnë 
                            lidhur me fatin e shoqërisë njerëzore, 
                            për tërë ato probleme që e shqetësojnë 
                            lidhur me fatin e shoqërisë njerëzore.
                            Në këtë frymë ka shkruar komeditë 
                            "Gratë në parlament", "Zogjtë", 
                            "Pluti".
                            Në komedinë "Zogjtë" dy qytetarë 
                            athinas, shkojnë të ndërtojnë 
                            një qytet midis qiellit dhe tokës për 
                            të jetuar në mes të zogjve që 
                            bëjnë jetë të qetë të 
                            shkujdesur. Poeti në këtë vepër 
                            është futur i tëri në botën 
                            e fantazisë, përmes së cilës ai 
                            vë në lojë një realitet konkret, 
                            Athinën dhe qytetarët e saj, disa prej të 
                            cilëve vrapojnë për në qytetin 
                            e ri për të ngatërruar e për të 
                            nxjerrë fitime.
                            Problemin e mprehtë shoqëror të ndarjes 
                            së padrejtë të pasurisë dhe të 
                            kontrasit midis të pasurve dhe të varfërve, 
                            Aristofani e ka trajtuar në komedinë "Pluti". 
                            Fshatari i varfër , Kremili, e shpie perëndinë 
                            e pasurisë Plutin, që ishte i verbër 
                            , te Askelepi, perëndia e shëndetit, i cili 
                            e shëron dhe i sjell pamjen. Pluti tani i sheh 
                            gabimet e rënda që kishte bërë 
                            dhe premton se këtej e tutje do të shkojë 
                            vetëm te njerëzit e mirë, punëtorë 
                            e të virtytshëm,
                            Zgjidhja utopike e problemit nuk e ka penguar Aristofanin 
                            të shohë veset dhe anët e errëta 
                            të shoqërisë së kohës, prirjen 
                            për t'u pasuruar me çdo lloj mënyre, 
                            pa marrë parasysh dëmin dhe të këqijat 
                            që ju shkaktojnë të tjerëve.
                            Aristofani, që për dyzet vjet me radhë 
                            dha me veprat e tij një pasqyrë të 
                            gjallë të jetës politike, shoqërore 
                            e ideologjike të Athinës midis shekullit 
                            V dhe IV para erës së re, është 
                            komediografi më i madh i antikitetit dhe një 
                            nga më të mëdhenjtë e të 
                            gjitha kohëve. Arti i tij shkëlqen nga fantazia 
                            e jashtëzakonshme në krijimin e situatave 
                            komike të trashura të karakterit të 
                            tyre deri në hiperbolë. Përdorimi i 
                            subjekteve dhe i situatave përrallore fantastike 
                            i ka dhënë dorë poetit që të 
                            verë në lojë e të satirizoje më 
                            me forcë, për të gjetur rrugëdalje 
                            të papritura me efekte komike.
                            Në komedinë e Aristofanit spikatin shpesh 
                            nota të theksuara të një lirizmi të 
                            hollë, dashuria për të bukurën, 
                            nostalgjia për natyrën e virgjër e 
                            të pamolepsur nga prapësite, për gëzimin 
                            e punës së bujkut, kontrasti midis realitetit 
                            dhe ëndrrës, midis asaj që është 
                            dhe asaj që duhet të jetë.(4)