Jakov Xoxa lindi më 1923, në 
                            qytetin e Fierit. Që i ri mori pjesë në 
                            Luftën Antifashiste. Pas Çlirimit të 
                            vendit vazhdoi studimet e larta për filologji 
                            dhe njëkohësisht bëri hapat e para 
                            në poezi dhe në prozë. Më 1949 
                            botoi veprën e parë në prozë "Novela". 
                            Krijimtarinë letrare në këtë zhanër 
                            e vazhdoi dhe gjatë viteve '50, kështu në 
                            vitin 1958 botoi veprën e dytë, po me atë 
                            titull "Novela". Ndërkohë botoi 
                            dhe dy drama "Buçet Osumi" dhe "Zemra". 
                            Që nga viti 1957 punoi profesor në Fakultetin 
                            e Historisë dhe të Filologjisë në 
                            Universitetin e Tiranës, ku për shumë 
                            vite dha lëndën "Teoria e letërsisë". 
                            Për nevojat e studentëve, në formën 
                            e dispencës, botoi në katër vëllime 
                            veprën "Bazat e teorisë së letërsisë", 
                            që ishte nga veprat më serioze të kohës 
                            (si degë e shkencës mbi letërsinë). 
                            Pikërisht se në të autori ofronte dije 
                            dhe përvojë teorike letrare të gjerë, 
                            që dilte jashtë kornizave të teorive 
                            zyrtare të kohës, kjo vepër e rëndësishme 
                            për shkencën letrare shqiptare, nuk u botua 
                            kurrë. Autori i saj u qortua dhe ai pa bujë 
                            dhe zhurmë, ashtu siç ishte gjatë 
                            tërë jetës, i qetë dhe i mbyllur 
                            në vete, u tërhoq në vetmi. Natyrisht, 
                            vlerësimi dhe kritika (zyrtare) që nuk ishte 
                            e kënaqur me bindjet e tij, me vizionin përmes 
                            të cilit Jakov Xoxa e shihte dhe e projektonte 
                            artin në përgjithësi, bënë 
                            që sa qe gjallë, të mos botohej vepra 
                            e tij e plotë; ajo u botua në Prishtinë 
                            ("Rilindja" 1971).
                            Pjesën më të madhe të jetës 
                            krijuese Jakov Xoxa e kaloi në një fshat 
                            myzeqar afër Fierit, ku, në vetmi të 
                            plotë krijoi romanet: "Lumi i vdekur" 
                            (1965), "Juga e bardhë" (1971) dhe 
                            "Lulja e kripës" (1978), që hynë 
                            në rrethin e romaneve artistikisht më cilësorë, 
                            të letërsisë shqiptare.
                            Asnjë roman para tij nuk e pasqyron në mënyrë 
                            aq komplekse botën shqiptare në prag të 
                            Luftës së Dytë Botërore, si "Lumi 
                            i vdekur" apo dhe periudhën gjatë luftës, 
                            si romani "Lulja e kripës", ku gjejmë 
                            një shtrirje të pakufishme të rrëfimit 
                            që mbulon plotësisht hapësirën 
                            e jetës dhe të ekzistencës së 
                            mjedisit shqiptar. Jakov Xoxa është nga 
                            romancierët më në zë të gjysmës 
                            së shekullit XX. Në krijimtarinë e 
                            tij letrare ai individualizohet me parimin krijues-realist: 
                            fati individual do të jetë ai që do 
                            të hedhë dritë mbi kontestin tërësor 
                            të mjedisit dhe të kohës së fokusuar 
                            në rrëfime. Shëmbëllyeshëm 
                            me romanet e shquara realiste, Jakov Xoxa do ta vendosë 
                            dramën jetësore të personazheve dhe 
                            të familjeve në sfond të një kolektiviteti, 
                            të një gjendjeje apo të një rrjedhe 
                            historike.
                            Parashenja më karakteristike e prozës së 
                            Jakov Xoxës është stili. Gjuha e tij 
                            vërehet dhe veçohet si e një individualiteti 
                            të fuqishëm dhe të papërsëritshëm 
                            në letërsinë shqiptare: nga njëra 
                            anë është e pranishme fryma e urtisë 
                            popullore me tërë thellësinë e 
                            shpirtit kolektiv; nga ana tjetër, kemi një 
                            rrëfim të rrjedhës së qetë, 
                            të shtrirë në gjerësi, por edhe 
                            në thellësi.
                            Autori rrëfimin e vet e ndien si një bashkëbisedim 
                            në mes tregimtarit dhe lexuesit: Desha të 
                            shkruaj një roman jo sikur lexuesin iks ose ipsilon 
                            ta kem larg, jo, desha ta shkruaj sikur lexuesin ta 
                            kem para meje, gjatë çdo radhe, sikur 
                            të hyj në bisedë me të, sikur 
                            t'ia tregoj jo letrës, por lexuesit me mend në 
                            kokë, që, duke lexuar, do të kundërshtojë, 
                            të flasë, të thotë ki mendjen, 
                            mos gënje! E desha romanin tim që të 
                            jetë sa më realist, se realizmi në 
                            art është gjithçka për mua.