Faqja Kryesore  >> Letersi  >> E Vjeter
 

Letërsia e Vjetër

 

Ju ndodheni ketu E Vjetër

 
 

   E Bejtexhinjve

 
 

   E Rilindjes

 
 

   E Pavarësisë

 
 

   Moderne

 
 

   Antike Greke

 
 

 


 

Hyrje

Letërsia e vjetër shqiptare lindi dhe u zhvillua në mesjetë, kur vendi ynë nën zgjedhën osmane, në kushtet e shoqërisë feudale, ku ideologjia sunduese ishte ideologjia fetare. Prandaj edhe përmbajtja e saj është kryesisht fetare. Të nisur nisur nga qëllime atdhetare, shkrimtarët e kësaj periudhe shkruan edhe vepra mësimore e didaktike, si:
"Fjalori latinisht-shqip„ i F.Bardhit , "Gramatika„ e Andrea Bogdanit, madje edhe krijime tërësisht laike si ndonjë poezi e Budit, shume vjersha të bejtexhinjve etj.
Atë që s'mund ta bënte letërsia e shkruar, e bëri vetë populli me letërsinë gojore, me krijimet e bukura folklorike, që përbëjnë një monument kulture të pandërprerë gjatë gjithë qenies së tij, që nga kohët më të lashta.
Shkrimi më i vjetër shqip që njohim deri më sot, i përket vitit 1462 dhe libri i shkruar në gjuhën shqipe, me sa dimë deri tani, është "Meshari„ i Gjon Buzukut, botuar më 1555. Ky është libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, por jo libri i parë i letërsisë shqiptare. Letërsi shqiptare të shkruar në gjuhë të tjera ka pasur edhe më parë. Vepra më e rëndësishme e këtij lloji është "Historia e Skënderbeut„ e Marin Barletit botuar rreth viteve 1508-1510 .
Me letërsi të vjetër shqiptare kuptojmë letërsinë e tre shekujve. Në qoftë se në shekullin XVI u shkrua vetëm "Meshari", në shekullin XVII ai ndiqet nga librat në gjuhën shqipe të Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit etj., në Veri.
Një grup tjetër përbën prodhimi letrar që u zhvillua në qendra të ndryshme të Shqipërisë së Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme si: në Voskopojë, Elbasan, Gjirokastër dhe Janinë. Sidomos në shekullin e XVIII dhe në gjysmën e parë të shekullit të XIX, ky prodhim përfaqëson kryesisht shtresat e zanatçinjve, të tregëtarëve dhe të fshatarësisë së lirë dhe lidhet me zhvillimin ekonomik e kulturor të qyteteve të këtyre anëve. Kështu p.sh., Voskopoja gjatë viteve 1720-1770
Ishte një qytet i begatshëm me rreth 20.000 banorë, një nga qendrat kryesore ekonomike dhe kulturore të vendit. Këtu lulëzoi një veprimtari e gjerë arsimore, me kisha e shkolla të shumta; ndër to edhe një shkolle e nivelit të mesëm, e quajtur Akademia e Re, e ngritur nga Bushatllinjtë e Shkodrës. Kishte, gjithashtu, një biblotekë dhe një shtypshkronjë, të njohura për kohën. Rëndësi të veçantë jo vetëm politike, por edhe kulturore mori Janina sidomos në kohën e Ali Pashë Tepelenës.
Shkrimtarët kryesorë te këtij prodhimi janë Theodor Kavaljoti nga Voskopoja (sh.XVIII). Kostë Beratasi (nga fundi i shk.XVIII), Anonimi i Elbasanit (gjysma e parë e shekullit XVIII), trimi suliot Marco Boçari, peshkopi Grigor Gjirokastriti etj. Veprat e tyre kanë kryesisht karakter fetar ose mësimor, janë fjalore disagjuhësh ose përkthime. Ata vetë kanë një formim greko-bizantin , ndaj dhe në shkrimet e tyre përdorin kryesisht alfabetin grek, por pati edhe nga ata, si Anonimi i Elbasanit, Kostë Beratasi, Theodhor Haxhifilipi e ndonjë tjetër, që krijuan edhe alfabete të veçanta të shqipes, duke dashur të vënë në dukje individualitetin e gjuhës shqipe dhe dallimin e saj nga gjuhët e tjera.
Fakt i rëndësishëm i jetës letrare të shekullit të XVIII dhe fillimit të shekullit të XIX është krijimtaria e bejtexhinjve (letërsi shqiptare me alfabet arab) me përfaqësues kryesore: Hasan Zyko Kamberi nga Kolonja; Nezim Frakulla, nga Berati: Zenel Bastari nga Tirana; Muhamet Cami, nga Konispoli; Dalip e Shahin Frashëri, nga Frashëri; Salih Pata e Mulla Hysen Dobraci, nga Shkodra etj.
Një degëzim të veçantë të letërsisë së vjetër shqiptare përbënte letërsia arbëreshe, prodhim i shqipëtarëve të emigruar në Itali para dhe pas vdekjes së Skënderbeut.
Kjo letërsi njohu një rrugë të gjatë zhvillimi , që nga shekulli XVI deri nër ditët tona. Ndër autorët e saj më të dëgjuar, mund të përmendim Lekë Matrënga (1560-1619); Niko Katalano (1637-1694); Nikolla Brankati (1675-1741); Nikollë Filja (1682-1769). Një etapë të re në letërsinë e vjetër arbëreshe shënuan veprat e Jul Varibobës (shek XVIII), ku bie në sy jo vetëm origjinaliteti i trajtimit të materialit, por edhe cilësia e lartë artistike, traditë e që u çua pastaj me përpara nga shkrimtarët arbëreshë të Rilindjes Kombëtare (De Rada , Dara (i riu), Santori, Serembe, Stratiko etj.).
Ndonëse e kufizuar në tematikë dhe e përfaqësuar me një numër të vogël veprash, rëndësia e letërsisë së vjetër qëndron, në rradhë të parë, në faktin se ajo është shprehje e vitalitetit të popullit shqiptar, e qëndresës së tij kundër pushtuesit e kulturës së huaj. Nëpërmjet veprave të kësaj letërsie u ruajt e gjallë dashuria për gjuhën shqipe dhe tradita për shkrimin e saj.

Letërsia e Vjetër

Hyrje

Shkrimtarët

Marin Barleti
Gjon Buzuku
Pjetër Budi
Frang Bardhi
Pjetër Bogdani


 

 

PËRSHTYPJET  ::  KUSH JEMI  ::  KONTAKTO  ::  FORUM  ::  CHAT

Albanian Network Group - 2003